Albspirit

Media/News/Publishing

Arion Sulo: Presidenti i palumtur Ilir Meta

I zgjedhur President me opozitën jashtë Parlamentit, Ilir Meta ishte i sinqertë dje kur tha se nuk ndjehej i lumtur! Megjithëse e kishte synuar për një kohë të gjatë, lëkundja e ditëve të fundit ishte racionale; ai u bë Presidenti i shtatë i shqiptarëve pa votat e djathta, për të cilat kishte luftuar shumë dhe nën ‘presionin’ e Ramës, i cili u shfaq i kënaqur që ia doli ta shtynte rivalin e tij drejt karriges së kreut të shtetit.

Emrat e Meidanit, Milos dhe Dades, që Meta propozoi dhe përpjekjet  me Nishanin për të shtyrë afatat e regjistrimit të partive në KQZ faktojnë lëkundjen e tij gjatë orëve të fundit, pavarësisht marrëveshjes së Shkodrës në 2013-ën, ku postet e kryeministrit dhe presidentit projektuar paraprakisht.

Po pse akti i djeshëm i zgjedhjes në postin e dëshiruar të kreut të shtetit nuk ishte ai që Ilir Meta  do të donte?

Në mënyrë paradoksale, Meta-President ka minuar besimin që opozita dhe veçanërisht PD kishte tek ai, si një aleat potencial për pushtetin e ardhshëm apo si plagë permanente e hapur në kurrizin e Ramës. Ai është larguar- ndonëse jo për faj të tij nga demokratët-të cilët  dje janë ndjerë të hutuar dhe të tradhtuar në shpresën ku kishin varur kauzën e qeverisë teknike.

Është afërmendsh që një Metë në presidencë do të thotë një LSI më e dobët. Ndonëse ajo mund të kthehet në një lloj “partie presidenciale” dhe si e tillë, do të jetë në skenë për sa kohë lideri i saj do të jetë në Presidencë.

Megjithatë, shumë nga votuesit rrezikojnë të flirtojnë sakaq majtas e djathtas, sa kohë që askush në atë parti nuk mund të barazohet me peshën e Metës.

Me zhvendosjen në Presidencë, Meta  ia lëshon skenën e së majtës Ramës, pas një lufte 12 vjeçare për rolin e protagonistit.  Rrjedhja e mundshme e LSI-së drejt PS-së, por edhe joshjet apo detyrimet  që pushteti i më të fortit mund t’u bëjë deputetëve, biznesmenëve apo të punësuarve të LSI-së ka qenë pjesë e kalkulimeve të tij në orët e dilemës ‘presidenciale”. Ato rrezikojnë të çojnë në një periudhë afatgjatë në shtimin e votave për PS-në dhe arritjen e shumicës pa nevojën e aleatit të djeshëm.

Por përkundër këtyre arsyeve, Meta ka vënë në peshore situatën në të cilën vendi po i drejtohet zgjedhjeve. Presidenca i siguron atij komoditetin që të  jetë i baraslarguar nga skenarët plot pikëpyetje që pasojnë mosfutjen e opozitës në zgjedhje. Në variantin që mazhoranca e pas 18 Qershorit mund të mos e mbyllë mandatin katërvjeçar, “partia e presidentit” do të ketë sërish në dorë dy të mëdhatë dhe pesha e saj do të jetë sërish si ajo që ka sot. Pa harruar që në skenarin e zgjedhjeve të parakohshme, presidenti ka rol shumë të rëndësishëm.

Nga ana tjetër, dy mandate në Presidencë nuk janë të përjashtuar për Ilir Metën-siç nuk ishin edhe për Berishën. Ngjashmëria e dy politikanëve në këtë rast ndihmon për t’i shkuar deri në fund ambicies për pushtetin dhe aftësive për ta mbajtur atë.

Është e vërtetë që kompetencat e presidentit me ndryshimet kushtetuese janë reduktuar ndjeshëm, por është po kështu e vërtetë që një president politik si Meta mund të forcojë peshën e mandatit të tij…

Askush nuk ka iluzionin se me shkuarjen në këtë post ai do të zhbëhet si aktor i rëndësishëm në politikë apo më keq, do të mbyllë karrierën e nisur në dhjetor të ’90-ës.

Presidenti i sapozgjedhur, si  një nga pesë politikanët më me peshë pas viteve’90 nuk kishte si të mos i mendonte të gjitha këto. Vetëm se pas refuzimit të Bashës për të marrë në tavolinën e negociatorëve të BE-së  një qeveri teknike përgjysmë dhe pas pranimit të Ramës për të shtyrë dhe datën e zgjedhjeve, ai kishte vetëm dy alternativa; t’i bashkohej bojkotit të PD-së ose të fuste LSI-në në zgjedhje.

Ngushtimi i fushës së lojës, në kushtet kur do të futej në zgjedhje pa opozitën dhe jashtë koalicionit me PS-në e fusnin fatin e LSI-së në një spirale të panjohur për pushtetin e nesërm. Pas 18 qershorit, nevoja e PS-së për aleaten e madhe mund të mos ekzistonte, ndërsa presioni me zgjedhjet e parakohshme mund të zhdukte nga menyja edhe karrigen e Presidentit.

Please follow and like us: