Albspirit

Media/News/Publishing

Aleanca Popullore për Drejtësi çel fushatën elektorale

Partia më e re e djathtë, Aleanca Popullore për Drejtësi (APD), çeli dje fushatën e saj elektorale, përmes një ceremonie në selinë e saj në Tiranë, ku firmosi një pakt kombëtar me 31 personalitete nga shtresat e përndjekuara gjatë komunizmit, nga pronarët e shpronësuar gjatë komunizmit, si dhe nga diaspora antikomuniste.

 

 

Ceremoninë e çeli BILAL KOLA, Kryetari i Aleancës Popullore për Drejtësi (APD), i cili është edhe ideatori paktit të sipërmendur. Më pas folën VIKTOR MARTINI, një ndër desidentet e spikatur të mbetur gjallë; TANUSH KASO, Kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë; ALMA GJURGJI, poete, ish e internuar politike; FATBARDHA MULLETI, shkrimtare, ish e internuar politike; Prof. Dr. GEZIM BOÇARI, Mjek, Aktivist i çeshtjes së pronave; HYSEN HAXHIAJ, ish i burgosur politik.

PAKTI I APD ME 31 PERSONALITETE

Aleanca Popullore për Drejtësi (APD), përfaqëson interesat legjitime dhe kauzat e papërfaqësuara të së Djathtës reale, duke u bazuar në parimet e shtetit të së Drejtës dhe lirive njerëzore.

Shtatë prioritet të cilat APD, do të ketë me grupin e saj të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë janë këto:

  1. DEKOMUNISTIZIMI– Ndërmarrja e iniciativave ligjore për dënimin dhe korrigjimin e krimeve komuniste, heqjen e titujve dhe dekoratave të diktatorit komunist, nomenklaturës së lartë si dhe të gjithë shpurës të sigurimit të shtetit, si dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në lidhje me lustracionin.
  2. MUZEALIZIMI , KURRIKULAT SHKOLLOR dhe VLERSIMEVE HISTORIKE Krijimi i muzeve të kujtesës në vendet e vuajtjes, ballafaqimi i nxënësve dhe studentëve me pasojat e krimit komunist nëpërmjet kurrikulave si me anë të eskursioneve, ndërtimin e memorialit Kombëtar të Kujtesës në Tiranë së bashku me murin e Nderit, përmbyllja e plagës së gjetjes së eshtrave të viktimave të komunizmit dhe martirëve të lirisë, caktimin e një date përkujtimore, ku i gjithë shteti dhe shoqëria shqiptare në mënyrë solemne të nderojë e respektojë viktimat e regjimit komunist si dhe martirëve të lirisë.
  3. REHABILITIMI –Përmirësime gjithëpërfshirëse të ligjit të cungët të dëmshpërblimit (përfshirja e dosjeve jashtë afatit, zgjerimi i datës nga 9 nëntor ’41, përfitimi i dëmshpërblimit të internuarve, mos-zbritja nga dëmshpërblimi i vlerës së shtëpive të privatizuara dhe e letrave me vlere, konvertimi në vlera monetare ose asete të letrave me vlerë), përcaktimi i kuotës (15% – 20% të përcaktuara me ligj në programet e punësimit, strehimit dhe arsimit, pension nderi, personave të burgosur politikë dhe të internuar)
  4. PRONA – Rivendosja e të Drejtës Kushtetuese e shtetasve mbi pronën e mohuar dhe të grabitur nga shteti diktatorial, duke i kthyer pronën subjekteve të shpronësuara në zbatim të nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës duke eliminuar  pasigurinë e titujve të pronësisë dhe faturën financiare që imponon legjislacioni aktual si dhe duke mbyllur konfliktet ndërmjet famiiljeve dhe hequr perfundimisht pengesat për investimet e huaja private, me qëllim realizimin e stabilitetit social dhe ekonomik.
  5. DIASPORA –Krijimin e një fondi dhe banke investimesh për diasporën (aksesi prioritar i diasporës që disponon knoë – hoë dhe mjete financiare në ekonominë e vendit, si psh: projekte me partneritet të bizneseve të diasporës në turizëm, infrastrukturë, bujqësi, energji, industri dhe shërbime), si dhe propozimi i nje kuote fikse  (jo me pak se 5%)  për përfaqësimin e diasporës në Parlamentin e Shqipërisë.
  6. SIPËRMARRJA –Synojmë vendosjen e taksës së sheshtë për biznesin në nivelin rreth 7.5%, dhe në cdo rast jo më shumë se 9 %, ulja e vlerës së TVSH prej 5-7% për të gjithë produktet bazë të shportës ushqimor, si dhe krijimin e kushteve lehtësuese për investimet rishtazi ose ato me burime nga fitimi/dividente te bizneseve ekzistues të cilat do të përfitojnë lehtësira sipas programit tonë politik në uljen e tatim fitimit dhe kontributeve shoqërore dhe shëndetësore ne 5 vitet e para.
  7. SHTETI LIGJOR –  APD do mbështesi fuqishëm Vetingun dhe të gjithë paketën e reformës në Drejtësi, sipas kërkesave të partnereve tanë strategjike (SHBA dhe BE), si kusht themeltar për mirëfunksionimin e shtetit ligjor në shërbim të interesave të publikut.

Firmëtarët e paktit: Bilal Kola, Orkid Spahiu, Viktor Martini, Hysen Haxhiaj, Lirim Llanaj, Alma Gjurgji, Bedri Blloshmi, Islam Spahiu, Fatbardha Saraci, Tanush Kaso, Gjergj Lekaj, Destan Dangëllia, Tomorr Dosti, Bibjan Mirakaj, Gezim Boçari, Stef Staku, Ismet Petku, Leonard Prifti, Eduard Zaloshnja, Hajredin Nasufi, Eduard Kaftalli, Sokol Mirakaj, Daut Gumeni, Astrit Kokoshi, Adrian Kati, Arben Dhora, Lek Lleshaj, Dine Dine, Rruzhdi Peposhi, Leonardo Voci, Armand Alliu.

Please follow and like us: