Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Mitrush Kuteli: Shkrimtari & Nacionaliteti

 

(13 shtator 1907 – 4 maj 1967)

Gjuha është shprehja e parë e kombësisë. Ca më shumë: mundet të thuhet se shumica e kombeve janë më fort unitete gjuhësore edhe kulturale se sa unitete raciale – sepse brenda tyre ngjan të jenë tretur kombësi të ndryshme, dyke lënë gjuhën e vjetër për të renë. E mirë, e keqe, kjo përzierje, është një realitet. Përmjet gjuhës një popull shquhet nga popujt e tjerë, përmjet saj lidh brezat verigë pas verige, përmjet saj shpreh ndjenjat e veta. Lidhja përmes brezave bëhet më e fortë kur gjuha është e shkrojtur. Sepse shkrimi ruan thesarin e ndjenjave të së kaluarës dhe lejon punimin e zhvillimin e gjuhës. Shkrimi është një nga veprimet më fisnike të njeriut, një shërbesë e shenjtë në altarin e kombit.
Përmjet shkrimit ay i flet botës së sotme dhe shekujve që vijnë, përmjet tij ringjall jetën e së kaluarës, përmjet tij pasqyrohet shpirti i kombit. Të jesh shkrimtar do të thotë të ndjesh shumë dhe t’i shprehësh këto ndjenja me shkrim. Kur ti ndien si ndjen kombi edhe shkruan si flet kombi – ata më të mirët e kombit! – atëherë je shkrimtar i kombit. Jo çdo njeri mund të quhet shkrimtar, po vetëm ay që është lindur shkrimtar. Shkrimtari zhvillohet, pa fjalë, në qenarin e shoqërisë, po brumin e parë e mban nga lindja. Shkrimtari është përfaqësonjësi më i aftë i kombit nër kombe të tjerë.
Qysh e shohim ne zhvillimin e letërsisë shqipe? Ja se qysh:
– Jemi njerëz, pra në shkrimet tona do pasqyrohet më parë njeriu. Dhe kur themi “njeri” kuptojmë anët pozitive të tij, virtutet e tij.
– Jemi shqiptarë, pra në shkrimet tona do pasqyrohet më parë nga çdo tjatër njeriu shqiptar, kombi vetë – ay që ish, që është e që do jetë.
Qysh e kuptojmë ne patriotizmin?
Shkrimi e zhvillimi i gjuhës është në vetvete një vepër patriotike.
Ata që krijuan e kënduan Këngën e Doruntinës, të Nik Petës, të Pal Golemit, hyjnë në radhën e parë të patriotëve të Shqipërisë. Për t’u quajtur shkrimtar ose poet kombëtar nuk nevojitet me do e mos shtijzë, dyfek a mitroloz.
Mjafton të më shkruash bukur, në gjuhën e pastër të kombit, për vepra e ndjenja fisnike.
Ndjenjë e punë fisnike mbi të cilat duhet shkruar është trimërija e flija për fisin e për tokën, kënga e bilbilit (e filomelës, do t’i theshin ata të lashtët) dashurija e trimit për vashën, e vashës për trimin; drita e hënës, valët e liqerit, pika e lotit që shkrep në beben e syrit.
Gjuha e një kombi s’mund të përdoret kundër kombit. Sepse ay që ndjen bukurinë e saj s’ka se qysh mos ndjejë edhe ndjenjat e kombit.
Shkrimtari i cili, si thamë, pasqyron sensibilitetin e kombit e që mban brenda tij një dhuratë kaq të naltë, s’mund të jetë tradhëtor i kombit, njëkohësisht vrasës e vetëvrasës.
Në qoftë se e bën këtë e në qoftë se talenti i tij – shkëndija hyjnore – fiket edhe ay bëhet jatak i armikut kundër kombit, meriton dënimin më të rreptë. Dhe dënimi më i rreptë nuk është vrasja apo presja, si mund të kujtojë do-një shpirt-xhelat, po mallkimi.
Mallkuar qoftë, do thotë kombi vetë, mallkuar qoftë ay që më pat njohur e ndjerë më mirë se çdo tjatër e që më pat tradhëtuar!
Kaqë mjafton.
(…) Pra në gjithë veprimtarinë tonë letrare – vjershë e prozë – do pasqyrojmë njerinë përgjithësisht, njerinë shqipëtar veçanërisht. Të sotmin e të përhershmin.
Sa i përket artit të rrëfimit, gjer të vijnë pas nesh më të mirët, do përpiqemi të japim fragmente nga afreska e madhe e jetës shqipëtare, dyke u rënë pas vragave që hapnë Faik Konica (Martesa e Skënderbeut, Mrika, etj.) Lumo Skëndua (Hi dhe shpuzë). Nesër mund të vijë dikush – dhe lipset të vijë – të hapë më me guxim palët e kohës për të na dhënë romanin historik, dramën historike, në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe jo në trajtat e zbehta të deritanishme. Një fushë e gjërë punimi është e mbetet ajo e zhvillimit të themës sipas pikëpamjes shoqërore dhe politike. Në se këtë deri tani nuk e ka lejuar kuadri shqipëtar, e ka për të lejuar nesër. Në mënyrë’ fragmentare mund të veprohet edhe sot. (…)
(“Revista letrare”, 1 maj 1944)

Please follow and like us: