Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët në Maqedoni duhet ta sigurojnë statusin e popullit shtetformues, ose do të mbeten edhe më tej të mashtruar dhe vasalë

Abdulla Mehmeti

Pavarësisht nga pritshëmëritë e mëdha nga qeveria e ardhshme në Maqedoni, e deklaruar si reformuese, me përkrahje të parezervë edhe nga faktori ndërkombëtar, me premtime për ndryshime thelbësore të pushtetit, ndoshta edhe zvogëlimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe relativizimin e shkeljes së të drejtave themelore të njeriut dhe lirive qytetare, ka gjasa të mbetet si më parë, vetëm në premtime formale dhe asnjë realizim përmbajtësor konkret.

Pala maqedonase mund të blejë kohë pakufij, me pretekst të ,,qetësimit” të qytetarëve maqedonas, kinse të frikësuar nga ,,Platforma shqiptare e Tiranë”, siç e quajnë ata, të stisur nga propaganda e VMRO-së tanimë opozitare, ndërsa subjektet shqiptare ta kamuflojnë këtë me emërimin e disa ministrave më tepër dhe marrjen e një ose dy posteve të rëndësishme në pushtet, por asgjë thelbësore të mos ndryshojë edhe në të ardhmen në dobi të shqiptarëve, avancimin e të drejtave politike, ekonomike dhe kulturore të tyre.

Disa politikanë që kanë qenë pjesë e pushtetit të derisotëm, mund vetëm t’i ndryshojnë partnerët e tyre politikë, deklaratat publike, kostumet dhe simbolet, por jo edhe veset e tyre, lidhjet me organet e sigurimit të shtetit dhe nëntokën kriminale, të cilat kanë qenë kreatorë të gjendjes së mjerueshme të shqiptarëve në Maqedoni, për dekada me radhë dhe të krizës politike dhe institucionale, sidomos gjatë dy viteve të fundit.

Nëse vërtet u pengon të dyja palëve ,,Deklarata e partive politike parlamantare të shqiptarëve në Maqedoni”, e 7 janarit 2017, për heqjen dorë nga ajo tanimë janë deklaruar disa individë nga bota akademike dhe përfaqësuesit e një partie politike, si dhe me mosrespektimin e Tryezës së rrubullakët, si organ i vetëm për mbikëqyrjen e zbatimit të kësaj Deklarate, atëherë e gjthë kjo le të zëvendësohet me ndryshimin e një neni të vetëm në Kushtetutën e Maqedonisë (rrugë dhe mundësi ka), përmes të cilit shqiptarëve në këtë shtet do t’u hiqej statusi poshtërues i pakicës kombëtare, duke e anacuar në popull konstituiv, me çka shqiptarëve autoktonë dhe në shumicë të konsiderueshme në këtë shtet, do t’u garantohej statusi juridik-kushtetues dhe politik i popullit shtetformues.

Por, ne nuk guxojmë të harrojmë, sidomos nga përvoja e derisotme, se betejat e mëdha politike nuk mund të kenë sukses me politikanë të kapur nga organet e pushtetit, të korruptuar dhe ,,shqiptarë të ndershëm”, siç i quante dikur propaganada e pushtetit komunist, ku ata vetë dhe të efërmit e tyre do të jenë pjesë edhe e pushtetit të ardhshëm në Maqedoni.

Përndryshe, edhe ky nuk do të jetë fundi i problemeve për shqiptarët në Maqedoni. Beteja për liri dhe të drejta kombëtare do të vazhdojë fuqishëm edhe në të ardhmen…

Please follow and like us: