Albspirit

Media/News/Publishing

Amnistia top sekret për politikanët, përfiton edhe “kush i qan hallet e mia”

Zbardhet amnistia ndaj politikanëve që u bë në heshtje dhe pa zhurmë në fundin e legjislaturës. Vetëm disa ditë u fol nga mediat, por si gjithmonë, çudia tre ditë zgjat.

Ajo që ka ndodhur është një ndryshim në Kodin Penal për politikanët e akuzuar dhe të gjykuar për një çështje. Sipas këtij ndryshimi, nuk mund të rikthehet çështja kur është gjykuar njëherë.

Po kush preket nga ky ligj? Eh, shkon shumë lart. Ilir Meta për shembull, presidenti i zgjedhur i Republikës, nuk mund të gjykohet për herë të dytë për videon me Dritan Priftin. Lulzim Basha i dyti, për çështjen e Rrugës së Kombit. Fatmir Mediu për Gërdecin, por edhe shumë të tjerë që do t’i kalojmë në sitë në ditët e ardhshme.

Por ç’ka ndodhur realisht në ligjin që tashmë doli në fletoren zyrtare?

Për të gjithë ata që kanë fituar një herë pafajësinë, çështja nuk mund të rihapet edhe kur ka prova të reja. Këtu, më së shumti janë politikanët ata që përfitojnë, pasi ligji është bërë me qëllim nga vetë ligjvënësit shqiptarë për të shpëtuar veten. Janë botuar dje në Fletoren Zyrtare ligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Këto ligje hyjnë në fuqi pas 15 ditëve, dhe gjithashtu edhe neni i famshëm 449, i cili amniston politikanët dhe qytetarë të thjeshtë nga mosrigjykimi i një çështjeje edhe kur ka prova të reja.

Konkretisht, sipas nenit 449 të Kodit të Procedurës Penale, nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë, dhe as rishikimi i vendimit të dënimit, kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit. Ndërkaq, pika e parë e këtij neni saktëson se rishikimi i vendimeve që kanë marrë formë të prerë lejohet në çdo kohë, edhe kur dënimi është ekzekutuar ose shuar, por me kushtin që të mos synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit. Ndërsa varianti në fuqi parashikonte që vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, por me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit.

Kjo është një amnisti, pasi shumë politikanë që i kanë shpëtuar drejtësisë apo që kanë ia kanë “hedhur” me një dënim minimal nuk do të rrezikohen më nga drejtësia e re. Pra, kush është shpallur i pafajshëm nuk mund të dënohet më, ndërsa kush është dënuar një herë nuk mund të dënohet më tepër, edhe nëse dalin prova dhe fakte të reja për atë vepër penale.

Ndryshimi i favorizon të gjithë zyrtarët dhe pushtetarët e tërë krahëve politikë në Shqipëri që e kanë blerë drejtësinë e korruptuar ndër vite duke marrë pafajësi apo dënime modeste. Ndryshimi në KPP, në njëfarë mënyrë, vendos edhe një vit zero sa i takon luftës kundër korrupsionit, me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Please follow and like us: