Albspirit

Media/News/Publishing

Kukan: Basha nuk është shumë i disponueshëm për dialog, por duhet të hyjë në zgjedhje

Eurodeputeti Eduart Kukan, ndjekës-raportues për Shqipërinë në PPE, i ka dhënë sot një intervistë gazetares së RTSH Arta Tozaj. Siç raporton televizioni publik në këtë intervistë Kukan ka hedhure kritika për kreun e PD-së, Lulzim Basha, për të cilin tha se nuk është shumë i disponueshëm për dialog. Më poshtë disa përgjigje të z. Kukan:

…Jam i shqetësuar për situatën në Shqipëri, sepse zgjedhjet po vijnë, koha fluturon dhe ne ende nuk kemi kushte të vendosura politike për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Për mënyrën sesi shkuan negociatat, ato nuk sollën ndonjë rezultat, edhe pse pati shumë misione, shumë thirrje, diskutime, por sërish nuk ka asnjë marrëveshje. Nga qëndrimet e kryeministrit dhe të liderit të opozitës, kuptoj se takimi nuk ishte i sukseshëm e ne dëshirojmë të shohim se Shqipëria ecën përpara pas zgjedhjeve. Kështu që, çdo bojkot i zgjedhjeve, çdo bojkot i parlamentit, nuk është standart europian! Prandaj, ne po mundohemi t’i mbushim mendjen partnerëve tanë, Lulzim Basha dhe partisë së tij, se është e domosdoshme për t’u angazhuar në dialog politik, për zgjidhje politike dhe ne ende nuk heqim dorë nga kjo.

E di se është kohë e shkurtër dhe qëndrimet e palëve janë shumë larg, por ne do të vijojmë të dërgojmë të tilla mesazhe në mënyrë që të ketë zgjedhje demokratike e të lira, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, sigurisht, sepse pa pjesëmarrjen e të gjithave, dëmtohet vendi, lëndohen të gjithë. Ne, më të vjetrit që jemi marrë në këtë punë me Shqipërinë, e dimë tepër mirë se është humbur shumë kohë për shkak të “kokëfortësisë politike” të elitës politike. Kjo duhet lënë mënjanë me të vërtetë dhe ata, të gjithë, duhet të sillen me përgjegjshmëri për vendin e tyre… Mendoj se ato ishin lëshime serioze(të Ramës) ndaj opozitës dhe unë do të kisha dashur që zoti Basha të thoshte se ai donte qeveri teknike e votim elektronik, por dhe se, nëse kishte mundësi të tjera për ta bindur atë se gjithçka do të jetë në rregull, nën kontroll, ai do të kishte qenë i gatshëm për ta marrë në konsideratë atë” tha zoti Kukan.

Ne e kuptojmë pozicionin e zotit Basha përsa i takon çështjeve në vend që kërkojnë një qasje më radikale, siç përmenda korrupsionin, trafiku i drogës e me radhë, por mbi pjesëmarrjen në zgjedhje, ne jemi shumë …, kjo është çështje e panegocieshme. Standardi europian është që lufta politike të kryhet brenda parlamentit e në zgjedhje dhe ne ende nuk kemi rezultat përfundimtar e refuzoj të komentoj mbi të. Ne ende po përpiqemi të bindim partnerët tanë se është edhe në interes të tyre, por më së shumti në interes të Shqipërisë, që ata të marrin pjesë në zgjedhje.

Në të kundërt do shohim se çfarë do të ndodhë. Unë refuzoj të spekulloj tani. Është shumë sensitive. Ne mund të vazhdojmë të shtyjmë, të këmbëngulim, t’i mbushim mendjen e t’i bindim për zgjedhje normale në Shqipëri. Asgjë më shumë. Gjithësecili në partinë tonë është përfshirë, deri në nivelin më të lartë. Pra, ne po bëjmë vërtët gjithçka. Po ju them se ne nuk heqim dorë e po bëjmë gjithçka për të patur zgjedhje normale në Shqipëri. Ne po e marrim shumë seriozisht të ardhmen e Shqipërisë, rolin e partisë sonë simotër dhe për këtë arsye, ne nuk po heqim dorë e do ta vazhdojmë këtë presion me qëllim që të sigurohen zgjedhjet e lira në Shqipëri.

Please follow and like us: