Albspirit

Media/News/Publishing

Manjani: Dashuriçkat e PD dhe PS sollën krizën

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka mbajtur sot një qëndrim të hapur pas deklaratave nga Rama e Basha sa i takon zgjedhjeve. I ftuar në studion e “Ora News”, ai pranon publikisht se vendi po shkon në përplasje dhe se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë.

“Zgjedhje pa opozitën nuk ka. Unë nuk mund të them kush ka të drejtë, por jam i bindur dhe mbetem i bindur se arroganca është arsyeja e kësaj krize. Jam i bindur se sistemi politik në Shqipëri është në krizë të thellë prej vitesh. Pa diskutim dashuriçkat e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në kurriz të Kushtetutës së vendit kanë këtë pasojë. E gjithë kjo situatë kërkon zgjidhje.

Bota demokratike kërkon zgjedhje dhe pjesëmarrje të të gjitha partive. Pavarësisht nga ndonjë ambasadori/reje, e cila sillet vërdallë këtu për axhenda të tyre. Është detyrë e shtetit shqiptar të realizojë këto zgjedhje”, tha ai.

Deklarata e Manjanit pason pas atij të kryeministrit Rama, ku tha se PD e humbi mundësinë e fundit që kishte.

“Mos ndodhtë mrekullia në orët e mbetura dhe po ndodhi, shyqyr që të ndodhi, këto fjalë nuk kanë më asnjë rëndësi. Ne nesër do të nisemi drejt 18 qershorit pa Partinë Demokratike, e cila duhet ta ketë shumë të qartë se Shqipërinë peng nuk e merr dot kurrë dhe as që e bën dot një vatër të re gjullurdie në rajonin e trazuar nga ndërhyrjet e aktorëve të tjerë kundër BE-së e NATO-s”, u shpreh Rama gjatë komunikimit javor.

Please follow and like us: