Enkel Demi

Një shoqatë gazetarësh ka shprehur shqetësimin se kanë arrestuar një farë Kastriot Myftaraj. U fol gjerë e gjatë me një pathos të veçantë për rikthimin e nenit 55, famëkeqit të agjitacion-propagandës, instalimit të diktaturës, cënimit të lirisë së shprehjes dhe marrina të këtilla.

Pyetja është e rëndomtë: Ta quash një zonjë “kurvë” është liri e shprehjes, e drejtë e informimit, mision gazetaresk? Të bësh thirrje si terrorist i ISIS-it që kush e heq qafe zonjën i bën shërbim atdheut është e drejtë informimi? Pastaj çfarë gazetari është ky njeri i lojtur nga fiqiri që sa herë flet dhjet? Nuk mbeti fuks, kalec, dështak pa na dalë gazetar, megjithëse në jetë të tij nuk ka kumtuar një lajm të vetëm. Na është bërë ky zanat si letër higjenike sa të vjen turp ta thuash. Në atë shoqatën që lëshoi deklaratën jam mëse i sigurtë që ka gazetarë që kanë grisur palë të tëra këpucë për të raportuar. Si nuk u vjen zor që e fusin veten në të njëjtin kallëp me këtë shëmtirë të gjirizit të shpifjes, sajesës, vëllavrasjes.

Po, mor po arrestohesh për këto gjëra që pëllet ky zog gomari! Në gjithë botën të vënë byzylykët për këto gjëra. Kush i tha këtyre që të jesh gazetar, blogger, portalist mund të këpusësh kopaçe sa ta ka ënda ose sa herë shkund kyçin e pasionit duke parë talk showpolitik në televizor.

Zonja Vlahutin, natyrisht mund të jetë shndërruar e padëshiruar për një pjesë e shqiptarëve, madje e urryer. Unë vetë nuk e çmoj kushedi se çë sjelljen e saj diplomatike. Patjetër që mund të mendohet se është bërë patericë e qeverisë, bën çudira, tek pret shirita inagurimi të sukseseve të qeverisë. Ka fatin e keq që bie në sy, se i ka flokët e kuqe, por më shumë përflitet se ka blerë një vilë si frëngu pulën… Mund ta ketë një listë mëkatesh çarçaf, por askush nuk ka të drejtë ta përcaktojë si e përdalë, jo më të vrasë mendjen se duhet pushkatuar. Këtu nuk ka gazetari, por krim. T’i dalësh në mbrojtje sot këtij dallkauku është të ligjërosh fyerjen deri në asht dhe vrasjen si mjete informuese.

Gjithkund ka personalitete politike, të sipërmarrjes, medias, artit që ngjallin urrejtje, por nuk arrijmë dot deri këtu. Xhanëm ky karas liqeni ka kaq vjet që shpif, fyen dhe nuk i hyn gjemb në këmbë. Nuk ka lënë njeri pa i sajuar hukubete, Fevziut, Bushatit, Bazes, politikanëve, shkrimtarëve, grave, vajzave të bukura, gjithë dynjasë. Pasoja? E botojnë, e ftojnë në studio, e quajnë historian, shkrimtar, analist. Pika që nuk na bie! Ky si ka surratin, ka menderen.

Kjo shoqata që lëshoi deklaratën si nuk bëzan kurrë, kur paçavurja sulmon koleget apo nëpër qoshe skërmitemi, sepse përcaktori “kurvë” shkon për ato që bën vaki ta bëjnë punën e gazetarit më mirë se ty.

Ajo që të tmerron në gjithë këtë histori është që për hir të urrejtjes, minj kanalesh si ky bëhen të dashur për njërin krah të politikës apo tjetrin, në varësi të konjukturës së sharjes së ndyrë. Sot, u shkon pas fijes çadristëve, ndaj edhe Ismail Kadaresë t’i kujtojmë Frontin e Nexhmies, por shumë shpejt, këtu kemi për të qenë që do i shkojë pas midesë palës tjetër dhe vemja mbijeton. Kjo lloj specie vërteton në mënyrë shterruese sa njeri i keq dhe i poshtër bëhesh në media dhe politikë, derisa shfrytëzohen këto gropa septike.

Në fund, jam i sigurtë që nuk do lërë gjë pa vjellë edhe për mua. Që do jem i Asfalisë kjo është e sigurtë. Që do e kem vrarë unë Teme Sejkon edhe kjo nuk diskutohet, por nuk do habitesha sikur të ma nxjerrë katragjyshen dashnore të Ali Pashës.

Prite Zot rrezikun!