Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Mirela Oktrova: Farsa e integrimit

Slogani i studentëve të dhjetorit 1990 “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ka mbetur në histori si ëndrra e ndritshme që çau terrin dhe vrau frikën e diktaturës, si mishërimi i shpresës së ngadhnjimit mbi dhunën, mjerimin, izolimin dhe mungesën e perspektivës, si vizioni i përparimit të mezipritur dhe opcioni sfidant i lirisë së shumëdëshiruar.

“Shqipëria si gjithë Evropa” ishte bukë në uri, dritë në terr, zjarr në të ftohtë dhe shok në vetmi – një identitet i ri që mund t’i çonte shqiptarët përtej kufijve autoktonë, një përkatësi e re që i bënte të mos ndiheshin më të vegjël, të vetëm, të pafuqishëm dhe aq më pak të parëndësishëm. Ajo ishte e drejta legjitime për të jetuar ëndrrën dhe për t’u ndjerë të barabartë, për të çbërë kufijtë dhe për të pushuar së shëmburi ura – mes veti dhe aq më pak me të tjerët… .

“Shqipëria si gjithë Europa” u bë zëri i fortë i së ardhmes që premtonte të mbyste të shkuarën në ideologji dhe në egërsi, në kufi dhe në dasi, në idhuj dhe në energji – shkurt bekimi fuqiplotë i Perëndisë mbi të eturit e rraskapitur të lirisë… .  Ndaj kur 27 vjet më parë në sheshin Skënderbej ra busti i diktatorit të fundit në Evropë, ne besuam se beteja ish’ fituar, se lufta kish’ mbaruar dhe se kishte ardhur koha, që guximi ynë të merrte si shpërblim gjithë lirinë e merituar përfshirë edhe Evropën e dëshiruar…

Po ç’liri dhe cilën Evropë ëndërronim ne atëherë?

Përse Evropa na rropati së ndjekuri si mirazhi i shkretëtirës?

S’deshi ajo të na dojë, apo s’ditëm ne ta duam?

27 vjet më parë Evropa ishte për ne jo thjesht dhe vetëm sinonimi i lirisë, por edhe parakushti i lumturisë. Kalimi i kufirit drejt saj shihej si dimensioni i veçantë i qenies dhe ndërgjegjes, si realizim profesional dhe mirëqenie ekomike, si shëndet fizik dhe ideal estetik . Evropa ishte çelësi magjik që sistemonte dijet dhe manaxhonte karrierën, suksesi që prodhonte personalitete dhe vuloste autoritete. Ajo ishte hapësira çudibërëse, që e shndërronte hiçin në gjithshka, varfërinë në bollëk dhe fatkeqin në fatlum, parajsa tokësore që fshihej pas detit dhe piramidave kufitare të ferrit vdekjeprurës, që na mbante peng – Ishte dielli, që dukej nga nata jonë… . Ndaj ne u turrëm si mundëm dhe me ç’mundëm drejt tij… me varka dhe me anije …, në kufij dhe në ambasada…,  legalisht dhe ilegalisht, me ç’kishim dhe ç’nuk kishim …, të vendosur për të mos u kthyer më në vendin e natës …, gjallë a vdekur…, të sigurt për fuqinë e lirisë sonë…,  të bindur në të drejtën tonë për të pasur dhe bërë gjithshka… .

Ikëm dhe u zhgënjyem…!

U zhgënjyem sapo kuptuam, se njerëzit e “botës së diellit” ishin njerëz sa dhe si ne, që punonin siç do të na duhej të punonim edhe ne, që studjonin shumë më tepër nga ç’ishim mësuar të studjonim ne, që respektonin ligjet, që ishim çmësuar t’i zbatonim me, që përbuznin vjedhjen dhe çmonin shkollimin, flisnin më zë të ulët dhe seleksiononin mbeturinat, pastronin oborret dhe shkonin në votime, luanin me fëmijët dhe mblidhnin ndihma për emigrantët, kishin shumë detyrime dhe pak kohë të lirë.

Ky “diell” ishte “diell i vështirë”… . Ky s’mund të ishte dielli ynë.  Ne kishim pritur shumë gjatë që të shkatërrohej diktatura – s’ kishim kohë të prisnim, sa të ndërtohej demokracia! Ndaj u mjaftuam vetëm me lirinë dhe shpikëm një rrugë tonën drejt Evropës dhe demokracisë: një rrugë të lehtë për ne dhe të pakuptueshme për Evropën, shmangëm hyrjen kryesore për të rrëshqitur nga deriçka – andej nga nuk na kapte drita e diellit dhe s’kish nevojë për transparencë, ku s’binte në sy krimi dhe s’kërcënonte ndëshkimi, ku ligjin e bënte Maliqi dhe e drejta bëhej dhunë, ku mund të bënim ç’donim vetë dhe të thoshim ç’donin të tjerët, nga ku bënim sikur ecnim një hap para, ndërkohë që shkonim dy hapa prapa… .

Kështu 27 vjet rresht – deri sot – kur ndonëse shtegu ynë i së ardhmes vazhdon të shpallet ai drejt Evropës, entusiazmi moderohet gjithnjë e më dukshëm.

Jo për euroskepticizëm! Po për interesa të kundërta me vlerat e propaganduara!

Europa mund të kishte qenë vërtet fari ynë në detin e trazimit, të cilit dikur donim t’i hynim në këmbë, po ne na nuk na u desh busulla e duhur për të ndjekur dritën, që vinte prej tij… ndaj rruga jonë nuk qe as e drejtë dhe as e llogaritur, por qerthullore dhe e çoroditur…

Evropa nuk është një “diell i vështirë” dhe i paarritshmëm.

Evropa mund të jetë edhe sot vizioni i përparimit dhe opcion sfidant i lirisë!

Ndaj le ta lëmë diellin të fitojë brenda nesh!

Le t’i japim fund farsës!

Please follow and like us: