Albspirit

Media/News/Publishing

Thomas Mann: Letërsia është një mallkim

Romani i shkrimtarit gjerman Thomas Mann me titull “Tonio Kregeri” konsiderohet si libri më autobiografik i shkruar nga Mann. Përmes kujtimeve të Tonio Kregerit autori paraqet vështirësitë që i kalon ‘artisti’ në një shoqëri që nuk mund ta kuptojë. Gjithë vepra ka për qëllim të trajtojë raportin mes shoqërisë dhe individit. Individi në këtë rast portretizohet përmes Tonio Kregerit, i cili qysh në fëmijëri ishte i dashuruar pas leximit dhe mendimit. Raporti i tij me shokët ishte raport jo i lehtë. Tonio Kregeri nuk mund të komunikonte natyrshëm me shokët. Raporti i tyre ndonëse shoqëror nuk ishte aspak komod. Kjo ndodhte për shkak se shokët nuk e kuptonin Tonion kur u fliste për personazhe librash dhe as Tonio nuk mund ti kuptonte shokët se si mund të ishin kaq indiferent ndaj të lexuarit dhe të menduarit.

Tomas Mann përmes personazhit ka paraqitur shqetësimet e tij personale në raport me shoqërinë dhe barrierat që ekzistojnë mes artistit dhe shoqërisë. Barriera të cilat krijohen nga pamundësia për ta shikuar jetën dhe botën në një dimension tjetër. Me një fjalë, nga pamundësia për të dyshuar dhe menduar për anën tjetër të të Vërtetës. Thomas Mann këtu paraqitet si një njeri që nuk mjaftohet me të vërtetat që i janë dhënë si të gatshme, por i etur për njohje dhe plot kuriozitet, ai dëshiron ti thyej kufinjtë që i janë vendosur nga shoëqëria. Të jesh në një pozitë të tillë nuk është aspak e lehtë sepse do gjykohesh dhe izolohesh nga shoqëria vetëm për faktin se je ndryshe. Dhe gjithë “fajin” për këtë sipas Mann e ka letërsia dhe të menduarit.

Në një moment gjatë një bisede me mikeshën e tij Lisaveta mbi letërsinë, Tonio Kregeri i drejtohet me plot revoltë për veten e tij dhe pozitën ku ndodhet:

“Letërsia s’është prirje, por mallkim, që ta dini. Kur fillon ta nxjerr kokën ky mallkim? Herët, tmerrësisht herët, në një periudhë të jetës kur duhet të kishim ende të drejtë të jetonim të qetë e në harmoni me zotin e me Gjithësinë. Filloni ta ndieni veten të veçuar, në kundërshtim me të tjerët dhe i pakuptuar nga ata, nga njerëzit e zakonshëm e për së mbari; humnera e ironisë, e dyshimit, e kontradiktave, e njohjes, e ndjenjave që ju ndan nga njerëzit, thellohet shumë e më shumë, ndiheni i vetmuar dhe tani s’ka më mundësi marrëveshjeje. Cfarë inati! Sidomos po të supozosh që zemra ju ka mbetur aq e gjallë, dhe aq dashuruese sa t’ia ndiejë tmerrin!… Vetëdija për vlerën tuaj ndizet, sepse e ndieni veten të shënuar në ballë mes një mijë të tjerëve dhe e kuptoni që kjo s’i shpëton kujt”./Ardian Batusha/

Please follow and like us: