Albspirit

Media/News/Publishing

Rober Berns: Koh’ e bukur që vate

 

Mbaroi pra dashuri e vjetër?
Dhe kurrë nuk ka për t’u zgjuar?
Nuk vjen, nuk vjen më dashuria
S’vjen koha që na pat kaluar?

Do t’i kushtojmë dhe një grimë,
Ah, kohës që na pat kaluar –
Një grimë t’ëmbël miqësie,
Ah, kohës që na pat kaluar.

Ne patëm mbledhur margarita
Mi male e brigje të bleruar,
Po shumë shpesh u patëm lodhur
Pas kohës që na pat kaluar.

U lamë, u lyem nëpër lumë
Mes diellit të përvëluar,
Po det’ i keq përplasi valat
Pas kohës që na pat kaluar.

Ja dora ime e nepma tënden,
O miku im i adhuruar,
Dhe le të pimë të pangopur
Për kohën që na pat kaluar.

Duk’ e shtrënguar fort ti kupën,
Dhe unë fort duk’ e shtrënguar,
Të pimë sot për dashurinë,
Për kohën që na pat kaluar.
Shqipëroi Lasgush Poradeci.

Please follow and like us: