Albspirit

Media/News/Publishing

LSI, po Norën e harrove?

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, edhe pse e re në moshë, disa ditë rresht është përballur ashpër me ish-ministren e Arsimit Lindita Nikolla. Akuzat dhe kundër-akuzat ishin të rënda aq sa kaluan në ofeza personale. Mehmetaj akuzoi Nikollën për reformën në arsim, duke e quajtur si të dështuar. Deputetja e LSI-së tha se kjo reformë penalizon maturantët dhe i kujtoi ish-ministres Nikolla studimet e vajzës së saj në Francë. Nikolla iu përgjigj duke akuzuar LSI për diplomat falso. Në Ministrinë e Arsimit, prej 8 vitesh, LSI ka një zv/ministër. Ajo është Nora Malaj, e cila gëzon këtë post 4 vite nga koalicioni me PD dhe 4 vite nga koalicioni me PS. Pse Mehmetaj nuk i kërkon llogari Malajt që e ka brenda partisë së saj por mundohet të gjejë fajtorin tek ana tjetër? Akuzat për arsimin plasën në momentin e krisjes së marrëdhënjeve mes Metës dhe Ramës. LSI po e shtrytëzon këtë akuzë, për faktin se prek drejtpërdrejt të rinjtë, duke e shfrytëzuar për fushatën elektorale, që të bëjë për vete maturantët dhe të rinjtë. Rinia konsiderohet nga LSI-ja si pika e tyre më e fortë. Nëse Nikolla është përgjegjëse për dështimin e reformës së arsimit, aq përgjegjëse është edhe zëvëndësja e saj Nora Malaj. Në 8 vite në këtë post, Nora Malaj, nuk ka dalë asnjëherë publikisht të kundërshtojë apo kritikojë reformat e ministrisë. Mesa duket, LSI po përdor një vajzë të re, që është dhe deputete, e cila kërkon të jetë zëri i rinisë. Por kjo parti politike, duhet të kërkojë fajin në radhë të parë tek vetja e saj. Të analizojë pse nuk reagoi në fillim, por me votat e saj u miratua reforma në arsim. Nëse LSI ishte kundër kësaj reforme, votat e saj nuk duhet të ishin pro. Nënkryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, kur u pyet pse po e kritikon tani këtë reformë, pasi partia e saj votoi pro, ajo tha se ishte skeptike që në fillim, por patën shpresë se situata do të rregullohej. LSI po kritikon ish-ministren e PS-së për një ‘gjellë’ që e kanë gatuar së bashku dhe që e votuan përsëri së bashku.(Konica.al)

Please follow and like us: