Albspirit

Media/News/Publishing

Ministrja Kërtusha largon nga puna dy titullarë lokalë në IKP dhe ISSH

Në kuadër të masave të marra për parandalimin e përfshirjes së punonjësve të administratës publike në fushatë zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës, Ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Znj. Xhulieta Kërtusha ka firmosur sot dy propozime për largim nga puna për dy titullarë lokalë në Inspketoriatin Kombëtar të Punësimit dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Më konkretisht Ministrja Kërtusha i ka propozuar, z. Artur Mickaj, drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, largimin nga puna të z. Gent Halilaj me detyrë “Drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit”, Kukës, me arsyetimin se për këtë të fundit ka fakte që vërtetojnë pjesëmarrjen në aktivitete të fushatës gjatë orarit zyrtar të punës.
Po kështu znj. Kërtusha i ka propozuar z. Astrit Hado, Drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, largimin nga puna të znj. Luiza Qipo me detyrë, “Përgjegjëse e Agjensisë së Sigurimeve Shoqërore” Ersekë, me arsyetimin se ekzistojnë faktet që vërtetojnë se znj.Qipo ka marrë pjesë në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, gjatë orarit zyrtar të punës.
Propozimi i Ministres Kërtusha bazohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 473 datë 1.6.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, për vitin 2017”.
Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë është e angazhuar që në zbatim të ligjit dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave, të monitorojë dhe marrë masa për rastet e pjesëmarrjes së punonjësve në varësi të saj në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 25 qershorit.

Please follow and like us: