Albspirit

Media/News/Publishing

“Sophia”, revista më e re filozofiko-letrare

 

Revista “Sophia” shumë shpejt do të jetë në të gjitha qendrat në kryeqytet, përfshirë fakultetet, bibliotekat, shkollat e mesme si dhe nëpër kafiteritë e kryeqytetit që kanë si aktivitet edhe librin

Në praninë e shumë studentëve, profesorëve dhe dashamirëve të librit, të hënën, në hapësirat e bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, është promovuar revista më e re filozofiko-letrare “Sophia”.

Revista Sophia është aktivitet i blogut “Virtual Sophists” dhe i vjen lexuesit kosovar më një përmbajtje mjaft të larmishme, përfshirë këtu shkrime eseistike, recenzione të veprave, përkthime për herë të parë në gjuhen shqipe dhe poezi.

Në panel me rastin e promovimit kanë qenë filozofi dhe shkrimtari Besnik Domi, profesori Arben Hoxha dhe politikologu Fatlum Sadiku dhe kryeredaktori i revistës, Ardian Batusha.

Fillimisht të pranishmëve iu është drejtuar kryeredaktori i revistës “Sophia” Ardian Batusha, i cili me këtë rast ka thënë se revista po iu vjen lexuesve pas një pune të gjatë të disa studentëve të filozofisë, të organizuar përreth bllogut “Virtual Sophists”.

“Bllogu virtual Sophists ka nisur punën e tij në tetor 2016. Deri më tani krahas botimeve të qindra shkrimeve dhe mijëra lexuesve, kemi krijuar edhe Klubin e Librit dhe tash edhe revistën “Sophia” si aktivitetin e radhës”, ka thënë me këtë rast Batusha.

Ai ka shtuar nga përvoja e tij si studentë, platforma si këto, ku të rinjtë mund të kenë hapësirë për t’u shprehur, qoftë gojarisht apo përmes shkrimit, kanë munguar në të kaluarën në mesin e studentëve. “Prandaj qëllimi i krejt projektit “Virtual Sophists” është që ta krijojë këtë hapësirë për të gjithë dashamirët e leximit dhe shkrimit”.

Nga penalistët u tha se promovimi i një reviste me karakter filozofik dhe letrar, në vendin tonë përbën ngjarje në vete, pasi Kosova ka mungesë të theksuar të grupeve që promovojnë mendimin kritik në shoqëri.

Po ashtu u tha se në epokën e teknologjisë që po e jetojmë sot, aktivitete të tilla, e kthejnë sadopak vëmendjen e lexuesit tek libri dhe nxit kulturën e leximit në shoqëri.

Ndryshe, Revista “Sophia” shumë shpejt do të jetë në të gjitha qendrat në kryeqytet, përfshirë fakultetet, bibliotekat, shkollat e mesme si dhe nëpër kafiteritë e kryeqytetit që kanë si aktivitet edhe librin./“Virtual Sophists”/

Please follow and like us: