Albspirit

Media/News/Publishing

Varrimi madhështor i Ismail Qemalit në raportimet e një gazetari të 1919

Pas lajmit të dhimbshëm të vdekjes së Ismail bej Vlorës në Peruxhia të Italisë, në Vlorë, autoritetet ishin përgatitur për të organizuar një ceremoni madhështore lamtumire.

I ndarë nga jeta që me 26 janar 1919 (sipas artikullit të publicistit Sotir Gjika, të botuar në Gazeta “Kuvendi”, 1 mars 1919, që e transmeton sot Shqiptarja), trupi i Ismail Qemalit kishte mbërritur disa ditë më vonë në Vlorë dhe ceremonia e varrimit u krye ditën e mërkurë me 12 shkurt.
Gazetari Sotir Gjika, në artikullin e tij “Varrimi i Ismail Qemal Vlorës” sjell detaje të hollësishme nga ajo ditë lamtumire.

Nga orët e mëngjesit kur qytetarë të shumtë të Vlorës kishin mbushur sheshin në skelë, në orën 10 paradite kur trupi i pajetë u vendos mbi karrocë (një moment nga levizja e karrocës mortore u fiksua në foto nga Kel Marubi), krijimi i kortezhit mortor nën tingujt e muzikës së marrshit funebër, i cili prihej nga 12 kurora ku spikatnin fjalë nderi për Ismail Qemalin… Arkivoli mbështillej nga flamuri kombëtar e karroca ku ai ishte vendosur tërhiqej nga gjashtë kuaj…

Vargu i gjatë i kortezhit pasi la skelën hyri në qytetit, i cili ishte mbështjellë nga heshtja. Dyqanet ishin të mbyllura e në dyer e mure ishin ngjitur letra mortore me fjalët: “Zí kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemal”…
I Sotir Gjikës është mbase një prej burimeve nga ku mund të marrim më shumë informacione nga kjo ngjarje e rëndësishme e historisë. Me tej pas përshkrimeve të imëta të ceremonisë mortore, ai sjell edhe një prej fjalëve të lamtumirës mbajtur në atë ceremoni,(nga Prof. Jani Minga) para se trupi i tij të dërgohej në banesën e fundit lart në Kaninë.

Më poshtë e sjellim të plotë artikullin e Sotir Gjikës mbi këtë ngjarje të rrallë, shkëputur nga vëllimi me artikuj e letërkëmbime “Detyra ime mbaron me jetën time”.

Gazeta “Kuvendi”, 1 mars 1919
Varrimi i Ismail Qemal Vlorës
(Korespondenc’ e veçantë)
Vlonë, Shkurt 1919

Më 26 kallnduer vdekja e pamëshirëshme na rrëmbeu në një kohë të papritun, në nji qytet t’ Italisë, në Perugia, burrin e përmêndun, Ismail Qemal Vlorën. Nji tjetër lule u këput prej trupit t’atdheut për me u-bashkue n’ at vênd pagje të zymtë me vargun e zâmdhajve të përlindjes s’onë, nji varr i ri u çel për me rritë mâ tepër lisin kombëtar.

Zi e madhe qe për kombin t’onë humbja e këtij burri, trishtim të madh ndien zemrat t’ona.
Po, vërtetë, trishtim të madh sepse e humbëm shi atëherë që ndihma e tij ishte e nevojshme për fatin e atdheut; na la në këtë çast të rrezikshëm, në këtê çast që horizonti i çâshtjes shqiptare âsht i errët e qi Shqipnija ka nevojë për burra të ditun e të njohtun në lamë të politikës.
Por në mes të pikllimit e t’ idhënisë vetëm nji mêndim na ngushullon: ngushullohemi sepse patëm fatin me i çfaqë trupit të tij të madhnueshëm evarinë qi i përket tue e varrue me nderim të madh e me pasë varrin e tij në parzëm t’atdheut, mb’at vend ku pushojnë eshtnat e të parve, ku lindi, ku u rrit e ku, në moshë të pleqnisë, ndërmjet rreziqeve e të vështirave të luftës ballkanike, pati guximin me ngrehë, mbas pesë shekujsh robnije, flamurin kombëtar, atë flamur qi i dha êmën e famë, qi e bani të njohtun në popullin t’onë e qi i shenjoi një faqe të bukur e të shkëlqyeshme në histori të përlindjes shqiptare.

Varrimi i tij u bâ ditën e mërkurë, më 12 fruer, në një mënyrë fort të madhënueshme. Të gjith popullsija e Vlonës ish mbledhun në sqelë ku gjindeshin në radhë edhe disa trumba ushtarësh me oficerë të tyne e me bandën ushtarake. Mbasi u bânë gatimet e duhuna, në orën 10 p. d. trupi i të ndyerit duel prej ndërtesës së Komandës “Base Navale„ e u vû në karrocë.
Nji mallëngjim pushtoi n’atë çast zêmrat e të gjithve : ishte marshi i përmortëshëm i veprës së pavdekun “Jone” e muzhiktarit Petrella që me at melodí të ngadalëshme e të përvajshme jepte shênjën e rreshtimit. Vargu zû të vehet në radhë. Prinë së parit 12 kunora lulesh që për nderim e miradije i kushtuen Populli i Vlonës, qarku e krahina e Vlonës, shkollët fillore të qytetit, qyteti i Fierit, Shoqnija Djelmoshe e Vlonës e nji e gazetës Kuvêndi me këto fjalë të përmallshme:

Ismail Qemal Vlorës
Diplomatit të vlerët
Në shênjë bindjeje
Këtê kunorë ia kushton
Drejtorija e fletores “Kuvêndi”

Kunorat mbaheshin prej disa shokëve të Shoqënisë Djelmoshe. Mbas kunoravet vijshin shokët e tjerë të shoqënisë. Vargun e zgjatëte pastaj banda ushtarake, nji griq ushtarësh të 86-it regjiment, nji trumbë ushtarësh të trupit të mitralozave. Karrocën qi përmbante arkivolin të pështjellun në flamurin kombëtar e ngrehshin gjashtë kuaj të murrmë e madhështorë ; për krahë t’ arkës vijshin disa ushtarë e prapa kadiu me të gjithë hoxhallarët e Krahinës, tre të bijt e të ndyemit Edhemi, Qazimi e Qamili ; Shkëlqesa e Tij Gjeneral Piacentini, Kryeurdhëntari i fuqivet italiane në Ballkanet, kontradmirali Lubetti, auktoritetet ushtarake e civila të Krahinës, parësija e qytetit dhe e qarkut, popullsija, shkollët fillore të qytetit dhe nji trumbë ushtarësh kalorije.

Kështu trupi i të ndyemit, i përciellun prej këtij vargut të madh në botë të përjetëshme e prej copave të përvajëshme të muzikës, përshkoi udhën e gjatë të sqelës e hyni në qytet. Qyteti atë ditë kishte ra në pushim. Nji heshtje e madhe mbretnonte gjithkah. Dukej se ishte ditë e përzieshme : e tregonin dyqanet e mbylluna të tregut, letrat e përmortëshme të ngjituna ndër dyer të dyqaneve e të mureve, letrat me rreth të zi e me fjalët: “Zí kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemal”, e tregonin të gjith fytyrat e vrêjtuna të popullit.

Nëpër dyer e dritare të shtëpiave kishin dalë gra e vajza e të gjitha përmendshin êmnin e Ismail Beut, të gjitha kujtoshin Plakun e Shqipnisë. Po, të gjitha e kujtojshin me nderim pse, disa ndër to, edhe e kishin njohtun: dinin kohën e fëminisë qi kish kalue në këtê qytet, kishin pa fytyrën e tij bujare, kishin dëgjue veprat e tij të shênjta e kishin marrë pjesë edhe në gëzimin e madh të ditës së lumnueshme 28 vjeshtë e III të motit 1912, t’asaj dite historike qi i dha Kombit shqiptar mvehtësinë e tij e qi e pshtoi prej kthetravet lakmuese t’ anmiqvet fqinj.

Përpara tregut të math u ndalue vargu e trupi i të ndyemit, ku u-mbajtën dy fjalë të përmortëshme e të mallngjyeshme, njêna prej Prof. Jan Mingës e tjetra prej Z. Qazim Kokoshit e ku ju bâ nderimi i fundshëm prej ushtrisë me marshin mbretnuer e me ushtarë që mbajtën armët për nderë. Mbas kësaj ceremonie arkën e shpunë në Kaninë të përcjellun prej trumbës t’ushtarvet të kalorisë, prej të parve të fesë, prej parësisë e prej një pjesës së madhe të popullit të Vlonës.

Në Kaninë u bânë të lutunat e zakonshme e pastaj trupi i shênjtë i të ndyerit plak u varros pranë varrit të Ferit Pashës, për me bâ pushimin e përjetshëm në jetë të pasosun, tue lânë të pavdekshëm e t’amëshueshëm në zêmër të shqiptarit e në historì të përlindjes êmnin, kujtimin e veprat pse, si thotë vjershtori i ynë më i madh, Atë Gjergj Fishta :

“…… der sa mos t’shkimen hâna e dielli
E e mramja cirkë n’oqean t’kthellët mos t’shtrasë,
Emni i atij Burrit qi për Atme…..
La nâam n’fis t’vet, aj për herë gjallon, e Deka
Mi tê pushtet nuk ka”.
Fjala që mbajti Prof. Jani Minga në varrimt t’Ismail Qemalit
Popull i përzishëm,

Shumë të brengosur dhe shumë të vrejtur të shoh sot. Vallë ç’gjëmë e tmerrshme të ka ngjarë a ç’mandatë të zezë ke dëgjuar ? Pyes me pikëllim shpirti, pyes me zemër të dridhur. Po mjerisht kudo që rrotulloj synë, kudo që mbaj veshnë, një zë përgjigjet nga çdo anë, nga çdo fytyrë e venitur dhe e shkëmbyer e juaja del një zë i helmuar dhe i shëmtuar dëgjohet : “Vdiq Ismail Qemali, vdiq plaku i Vlorës, plaku i Shqipërisë”. Heu ! Thuaj më mirë o i mjerë popull : “Vdiq burri më i madh i Shqipërisë, luftari më i fortë i mëndjes, i ndjenjavet dhe i mendimevet kombëtare, vdiq mburesa më e fortë dhe m’e madhe e kombit, vdiq politikani ynë më i madh dhe diplomati ynë më i dëgjueshëm në fushë të politikës e të diplomacisë Evropiane”.

I lindur këtu në Vlorë dhe i arësyer me arsim të lartë në Gjimnaz të Janinës, Ismail Qemali qe i zoti të flasë e të shkruajë fare mirë gjuhët e huaja : italishten, frëngjishten, arabishten e greqishten, u dëftua shumë shpejt një nga më të mëdhenjtë e më të rrallët nëpunës të qarkut politik të Perandorisë Otomane. Po mendimet politike, mendimet më të thella shpëtimtare të qënies e të përmbajtjes si një shtet evropian të Perandorisë e të atdheut të vet nga çdo rrezik i përjashtëm, e bënë Qemalë njeri të rrezikshëm dhe kështu Sulltani i kuq, Hamiti, armiku më i madh dhe më i rreptë i çdo mendimi të lirë e njerëzor, largoi Ismail Qemalin nga kryeqyteti dhe e mbajti larg në arrati. Po arratija për Qemalë ishte ura më e zjarrtë, pisha më e flaktë që të ndezë e të shtojë më tepër ndjenjat fisnike atdhetare dhe qëllimin e shenjtë e të lartë të shpëtimit t’atdheut, t’i a bëjnë më t’ëmbël, më të dashur e më të domosdoshëm. Koha duhej e koha e volitëshme arriti.

Më 1908 shpallet kushtetuta e Perandorisë Otomane. Ismail Qemali vjen këtu në Vlorë, ku pritet prej bashkatdhetarëve të tij me më të madhin nder e ngallnim dhe zgjidhet me një zë këshilltar në këshillë të Perandorisë dhe tregohet më i madhi burrë nga ndjenjat e nga mendimet politike e liridashjeje të mbështetura mbi një themel të njësisë së çdo kombi të Perandorisë. Po mjerisht mendimet e Qemalit, kaqë të kthjellta e të larta ndër pikat e tyre, kllasin jetën e tij në rrezik nga Qeveria dinake dhe kështu largohet së dyti herë prej kryeqytetit të Perandorsë. Po ylli i bukur, ylli i shkëlqyer i shpëtimit t’atdheut nuk kishte përfunduar.

Ishte ruajtur i ndriçëm për Qemalë, se ky ishte i vetmi burrë i zoti të shpëtojë atdhenë nga kthetrat e ngadhënjyesit shekullor.
Më 1912 shpallet lufta ballkanike dhe Perandoria e kalbur Otomane mundet krejt. Por të mundurit e Turqisë ishte humbja e përjetëshme e Shqipërisë. Po kush mundëte atëherë t’a shpëtonte nga rreziku i armiqvet, i cili varej mbi krye të saj si shpata e Damokleut ? Kush mundej atëherë të ndalonte hovin e rreptë dhe urinë e kurriturë t’armiqvet të tërbuar kundra atdheut ? Asnjë ! Vetëm Qemali. Vetëm ky, se ky ishte i zoti për këtë punë kaqë të lartë dhe kaqë të madhe jo me armë, po me mëndje dhe me politikë. Në mes pra shumë rreziqesh jete prej armiqvet të tërbuar ballkanas vjen këtu në Vlorë dhe ngreh, më 28 të Vjeshtës së tretë, flamurin e shenjtë kombëtar, flamurin e të madhit trim dhe mbret të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, dhe shpall kryelartë mëvehtësinë e lirinë e Shqipërisë dhe zgjidhet kryetar i Qeverisë së përkohëshme. Valët e shkumbëzuara të turmavet t’armiqvet u ndaluan përpara kësaj ngjarjeje të papandehur, përpara kësaj ngjarjeje historike të gjërave të mëdha kombëtare në botë.

Popull i përvajshëm,

Shkurtazi ky është në vijat e përgjithëshme Ismail Qemali përpara nesh dhe përpara gjithë Kombit Shqiptar. Kemi pra të drejtë sot t’i bëjmë gjithë nderimet njerëzore që i meriton ky burrë. Se humbasim më të madhin burrë të Shqipërisë, më të madhin luftar të pendës e të mëndjes pas të madhit trim dhe mbret Skënderbej, në një kohë kur fati i atdheut ndodhet në duar të të Mëdhenjvet e zëri i tij duhej të dëgjohej përpara burrave të Mëdhenj për të mbrojtur të drejtat e shkelura shtrembërisht t’Atdheut. Vdekja e Ismail Qemalit pra sot është një dëm kombëtar, një dëm i patreguar. Po ti komb mos u dëshpëro. Në ka pjellë kjo tokë kaq e vjetër në Sinisit të Ballkanit Kastriotër e Qemalër, ka pjellë edhe të tjerë burra, të cilët do ecin kurdoherë pas gjurmëve të mëdha të këtyre e do t’a mbajnë atdhenë e dashur e të shenjtë në mvehtësi e në liri të plotë me emrin e të madhit Zot.

Gazeta “Kuvendi”, 1 mars 1919.

Please follow and like us: