Albspirit

Media/News/Publishing

Disa nga miliarderët e 25 qershorit, që kandidojnë për deputet

Cilët janë sipërmarrësit që kanë vendosur t’i bashkohen politikës, duke u renditur në listën e deputetëve në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit dhe arsyet që i nxitën të bëjnë këtë kthesë të madhe në karrierën e tyre?

Cilat janë risitë që ata do të sjellin dhe a kanë frikë se do të zhgënjehen nga politika?

“Monitor” ka intervistuar disa prej tyre, që kandidojnë në siglën e dy partive të mëdha, PS dhe PD…

Kanë kapur majat e biznesit, pa u ndihmuar aspak nga politika. Kanë mësuar të mbijetojnë e të rriten mes vështirësive dhe të përdorin nuhatjen atje ku u mungonin njohuritë apo informacioni dhe të jenë të parët që vrapojnë për të kapur risitë. Kjo i ka bërë më të fortë, të orientuar nga prakticiteti, shmangia e burokracive, zgjidhja e problemeve dhe më rezistentë ndaj të papriturave dhe rreziqeve, teksa në duart e tyre kanë qarkulluar me miliona. Këtë përvojë, disa sipërmarrës duan ta sjellin edhe në politikë, duke tentuar të ndryshojnë mentalitetin se si politikanët kanë vepruar në 25 vitet e fundit, për ta sjellë politikën më afër realitetit dhe biznesit. Vullnet Sinaj, ideatori i rrjetit të supermarketeve Big Market; Ilir Ndraxhi, aksioner i kompanisë së plehrave kimike I.A.M janë në listën e deputetëve të Partisë Socialiste. Në listën e Partisë Demokratike, këtë vit, si hyrje të reja janë Agron Shehaj, administratori i kompanisë call center Intercom Data Service; Flamur Hoxha, sipërmarrës në industrinë tekstile. Agron Duka, sipërmarrës prej vitesh dhe Fuad Haxhiymeri, sipërmarrës në kompaninë e përpunimit të miellit Bloja dhe aksioner në Bankën Credins janë në listën e Partisë Demokratike, në kuadrin e aleancës me Partinë Agrare Ambientaliste.

Sipërmarrësit shprehen me idealizëm për kontributin që ata do të kenë në jetën politike të vendit dhe janë të bindur se nuk do të zhgënjehen, edhe pse mënyra si ka funksionuar politika në këto 25 vjet ka treguar se ka pak vend për idealistë. Përkundrazi, ata shpresojnë se do të arrijnë ta përmbysin këtë mentalitet dhe të sjellin në Kuvend një filozofi ndryshe nga ajo që kemi parë deri më tani.

“Biznesmenët e suksesshëm janë njerëz me ide. Po kështu, ata kanë ide për zhvillimin ekonomik të vendit, për ndryshimin e situatës, për të luftuar burokracinë e korrupsionin”, thotë Vullnet Sinaj.
“Biznesi flet me fakte dhe shifra; jo me fjalë dhe slogane. Politika vepron me fasadën, biznesi me punën e kryer dhe faktin e thjeshtë”, pohon Agron Shehaj.

Agron Duka, i cili ka edhe më parë përvojë në institucionet shtetërore, tregon se “kur kam qenë ministër, me formim biznesmeni, jam përpjekur që në qeveri e Parlament të punoj për të harmonizuar platformën qeveritare dhe interesat e biznesit, për të mirën e zhvillimit të ekonomisë kombëtare. Këtë qasje pritet të kenë sipërmarrësit e suksesshëm në politikë”.

PARTIA SOCIALISTE

Vullnet Sinaj: Politika duhet të mësojë prakticizmin nga biznesi

Shqipëria ka nevojë sot për ide racionale për rritjen e ekonomisë dhe zhvillimit

Vullnet Sinaj, ideatori i një prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në vend, Big Market, gjithnjë e ka konsideruar jetën e tij të pashkëputur nga jeta e të tjerëve përreth. “Kështu që vendosa që t’i hyja politikës, për të dhënë kontributin tim njerëzor në zonën ku jam lindur dhe rritur, në zonën e Lumit të Vlorës. Labëria ime ishte lënë në harresë të plotë. Nuk mund të rrija indiferent para këtij realiteti”, pohon ai. Sinaj është i katërti në listën e deputetëve të Qarkut të Vlorës. Sinaj shton se politika duhet të mësojë nga sipërmarrësit e suksesshëm PRAKTICIZMIN në zgjidhjen e problemeve, organizimin, drejtimin dhe këmbënguljen deri në realizimin e plotë të detyrës. Sipërmarrësit, eksperienca e biznesit i ka mësuar të gjejnë zgjidhje për çdo situatë dhe janë të aftë ta luftojnë dhe zhdukin burokracinë.
“Strategjitë madhore deri te situatat më të vogla nuk zgjidhen si duhet vetëm nga kolltukët e rehatshëm, por nga zbritja në terren, nga prekja e realitetit ashtu siç është dhe përballja me të, nga i menduari në mënyrë konstante për zgjidhjet më të mira”. Ai është i bindur që politika në vendin tonë duhet të mësohet të bëhet praktike me zgjidhje sa më të shpejta e të sakta e me kostot më të ulëta. Sinaj e pranon që sipërmarrësit janë idealistë, se kështu e kanë nisur biznesin, me një ide, dhe idenë e tyre e kanë bërë realitet me punën e tyre të palodhur, me sakrifica pa kufi. “Biznesmenët e suksesshëm janë njerëz me ide. Po kështu, ata kanë ide për zhvillimin ekonomik të vendit, për ndryshimin e situatës, për të luftuar burokracinë e korrupsionin. Ne do mbështesim bizneset e zonave ku do të jenë, pasi jemi të bindur se zhvillimi i vendit do të vijë vetëm nëpërmjet zhvillimit të sektorit privat. Nuk mund të bësh biznese pa qenë i guximshëm. Biznesmenët e suksesshëm nuk kanë frikë, se po të trembeshin nuk do ta arrinin suksesin”. Sipërmarrjen e ka krijuar duke u bashkuar me 20 aksionerë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij, mendimin e të cilëve e ka marrë dhe gjatë kohës që po shqyrtonte këtë nismë të re. Ndaj dhe biznesin tashmë e ka deleguar plotësisht tek ata. “Kam krijuar një kompani serioze dhe kam mbledhur rreth vetes njerëz të përkushtuar, shumë punëtorë e besnikë, të cilët do t’i çojnë përpara ato”, thotë ai. Ai mendon se kjo është koha e duhur, madje moment historik ku vendi, më shumë se kurrë më parë, ka nevojë për rritje ekonomike, se sa fjalë, fjalë, fjalë pa fund, të politikës së vjetër. Ndaj kërkon që biznesmenët e suksesshëm të përfshihen në politikë sa më shumë, pasi vendi ka nevojë për përvojën e tyre në zgjidhjen e problemeve. Shqipëria ka nevojë sot për ide racionale për rritjen e ekonomisë dhe zhvillimit.
“Vendi ka nevojë për ne. Shqipërinë nuk kemi në dorë të kujt ta lëmë tjetër. Kjo është e vetmja detyrë që nuk mund të delegohet”, është mesazhi i tij i fundit.

Ilir Ndraxhi: Në politikë, për të kontribuar për sektorin e bujqësisë

Vendimmarrja në këtë drejtim ka qenë shumë larg realitetit në të cilin zhvillimet në bujqësi kanë kaluar gjithë këto vite

Ilir Ndraxhi vjen nga kasta e bizneseve që janë tek VIP-at për të kandiduar nën siglën e Partisë Socialiste në Qarkun e Durrësit. I katërti në renditje, ai duket se tashmë e ka të sigurt një vend në Parlament. Por, para se të ndërmarrë këtë hap tha se është menduar gjatë. Ai mbart një përvojë në biznes që në vitin 1989, kur u dhanë shenjat e para të liberalizimit në bujqësi. Në fillim e nisi aktivitetin me tregtinë e farërave dhe ushqimeve për blegtorinë dhe më vonë, me pesticidet dhe grurin. Përvoja e gati tri dekadave i ka treguar se sektori i bujqësisë nuk është i përfaqësuar në politikëbërje. Kompania e tij I.A.M, ku zotëron 72% të aksioneve, në vitin 2015 kishte një qarkullim vjetor prej gati 2.1 miliardë lekësh. “Nisur nga përvoja ime në biznes e gjithë këtyre viteve kam parë se, politika nuk e ka bërë më të mirën për bujqësinë. Vendimmarrja në këtë drejtim ka qenë shumë larg realitetit në të cilin zhvillimet në bujqësi kanë kaluar gjithë këto vite”. Duke qenë se tani ndihet i kompletuar në biznesin që e ka të “lidhur aktivitetin me bujqësinë, e ndiej për detyrim moral që njohuritë e mia të shkojnë në të mirë të të gjithëve. Sa më shumë njerëz me përvojë dhe njohuri të thelluara në sektorë të caktuar, aq më mirë do të jetë për politikën dhe për vendimmarrjen që të miratojë vendimet dhe ligjet e duhura”, tha Ndraxhi. Konkretisht, sektori i bujqësisë që ka një kontribut të madh në ekonominë e vendit, është i nënpërfaqësuar në politikë dhe çdo ditë e më shumë po vuan pasojat e mungesës së vëmendjes. Gjithë këto kohë dhe në ditët në vijim jam duke punuar për një program dedikuar sektorit të bujqësisë, për të cilin do të loboj shumë edhe në Parlament, u shpreh ai. Në themel të këtij programi do të jetë TVSH-ja në bujqësi dhe subvencionet. Vendet e rajonit aplikojnë aktualisht një TVSH shumë më të ulët se Shqipëria për disa impute bujqësore, ndërsa Shqipëria e ka nivelin 20%. Sektori i bujqësisë ka nevojë për një rregullim fiskal dhe për një rritje të mëtejshme të subvencioneve. “Ne e dimë që buxheti i shtetit ka kapacitete të pamjaftueshme për të përballuar të gjitha nevojat në të gjithë sektorët, por ka ende vend për përmirësime”, shtoi kandidati për deputet. Ai tha se vendet fqinjë, edhe me kushte të ngjashme zhvillimi me Shqipërinë, aplikojnë politika më të favorshme për bujqësinë edhe sa u përket subvencioneve. “Mendoj se një rritje e masës së tyre dhe një shpërndarje më e drejtë do të ishte pozitive për rritjen e prodhimit bujqësor”, shtoi më tej. Teksa ka vendosur që përvojën e tij ta zhvendosë në politikë Ndraxhi thotë se bizneset e tij do të drejtohen nga i biri, i cili këtë vit përfundon studimet në Holandë. Ai tha se ka investuar që fëmijët të kenë kulturën e punës dhe biznesit dhe tashmë dita ka ardhur që stafeta e drejtimit t’u kalojë atyre, përfundoi ai.

PARTIA DEMOKRATIKE

Agron Shehaj: Rregulla të qarta loje, sundim i ligjit dhe jo i pushtetarit

Dua të futem si biznesmen (i suksesshëm) dhe të veproj në politikë pa u bërë, domosdoshmërisht, politikan

Agron Shehaj, sipërmarrës i call center dhe punëdhënësi më i madh privat në Shqipëri, përmes kompanisë Intercom Data Service, që ka rreth 3 mijë të punësuar, befason me përgjigjen, kur e pyesim se pse zgjodhi që të hyjë në politikë. “Vendosa të futem në politikë, sepse nuk më pëlqen politika. Më saktë, nuk më pëlqen politika siç është, të paktën këtu në Shqipëri. Sa u takon defekteve të saj, besoj, gjithkush mund të rendisë një listë me vërejtjet e veta. Janë disa dhe nuk është ky qëllimi i kësaj bisede”, thotë ai. Agroni është i pari në listën e deputetëve të Partisë Demokratike në qytetin e Vlorës.
Shehaj pohon se vendosi t’i futet politikës edhe për të kthyer mbrapsht një prirje të vjetër të saj. “Shndërrimin në biznesmenë të njerëzve të politikës. Të cilët e nisin si kandidatë, qofshin këta për deputetë, ministra apo kryetarë bashkish, dhe shndërrohen në biznesmenë. Unë dua të futem si biznesmen (i suksesshëm) dhe të veproj në politikë pa u bërë, domosdoshmërisht, politikan”.
Një sipërmarrës, thotë ai, mendon për vete, por edhe për të punësuarit e tij; ai nuk e harron kurrë se ka një lidhje organike mes punëdhënësit dhe punëmarrësve dhe, nëse kjo lidhje shkëputet, bie funksioni kryesor, që është suksesi dhe jeta e biznesit. Një gjë tjetër që biznesi bën, por jo politika, është ajo se biznesi flet me fakte dhe shifra; jo me fjalë dhe slogane. Politika vepron me fasadën, biznesi me punën e kryer dhe faktin e thjeshtë. Kur e pyesim nëse po rrezikon dhe a ka frikë se do të zhgënjehet nga politika, përgjigjet: “Pse, ajo që kam marrë përsipër kur iu futa biznesit, nuk ishte e mbushur me dilema dhe pyetjen ‘A do t’ia dal?’ ‘A do të ecë?’. Biznesi kalkulon faktorin e riskut dhe e pranon atë. Po të mbyllësh sytë para një faktori të tillë, nuk je sipërmarrës por ‘i marrë mendsh’. Kështu që, le të jemi të hapur, edhe ndaj këtij risku. Por, pa e lënë mënjanë optimizmin dhe besimin te potenciali i gjërave, njerëzve dhe shoqërive, për të ndryshuar dhe për të pranuar ndryshimin”. Ai është i qetë sa u takon bizneseve të tij dhe mbarëvajtjes së tyre, teksa ata do të drejtohen nga njerëz të aftë të cilëve u ka deleguar përgjegjësi. Ndër të tjera, ai drejton përmes delegimit. “Bizneset e mia nuk kanë përfituar nga politika dhe as do të përfitojnë. Janë dy gjëra krejtësisht të ndara, dhe të tilla do të jenë. Unë veproj në fushën e eksporteve dhe shërbimeve dhe nevojën e politikës e kam thuajse zero. Pra, nuk kam ‘dogana për të kaluar’ dhe as pengesa të tilla, që politika mund të më lehtësojë apo rëndojë. Jam i lirë prej këtyre shtrëngesave”, thotë Shehaj. Një gjë duhet të kemi parasysh, shton ai: sipërmarrja sjell mirëqenie, jo vetëm për biznesmenët, por edhe për shoqërinë. Sipërmarrja, shteti dhe shoqëria janë hallka të një zinxhiri i cili funksionon kur ka mbarëvajtje dhe harmoni mes hallkave. Si aktor politik i ardhur nga biznesi, do të kem vetëm një interes, i cili do të më largojë nga çdo konflikt interesi: rregulla të qarta loje, sundim i ligjit dhe jo i pushtetarit. Sipërmarrja, ajo e ndërtuar mbi kreativitetin, pasionin, por edhe riskun, kërkon siguri, jo favore.

Flamur Hoxha: Shqipëria ka njerëz që e duan më shumë sesa e urrejnë

Që të gjithë ne presim që gjërat t’i rregullojnë njerëz që vijnë nga qielli dhe vetëm ankohemi

Dilema e Flamur Hoxhës, sipërmarrës në fushën e tekstileve dhe ndërtimit, ka qenë e madhe për të vendosur nëse duhet të kalonte nga biznesi në politikë. E priste që të haste në reagime të shumta, por biznesmeni që ka aktivitetin kryesor në qepjen e këmishave për marka të njohura ndërkombëtare, e vendosi që përvojën e tij ta shtrijë dhe në politikë.

Flamur Hoxha është në listën e deputetëve të Partisë Demokratike në Tiranë. “Nëse nuk gërshetojmë përvojën e punës së ndershme me përfaqësim të njerëzve që nuk kontribuojnë për interesa të veta, atëherë ky vend është i destinuar të jetë një shkretëtirë, teksa njerëzit gjithnjë e më shumë do të duan të largohen”, thotë ai. Edhe për arsye të së shkuarës së tij jo shumë të lumtur e ndien si detyrim që të kontribuojë, që qytetarëve të këtij vendi t’u kthehet besimi tek e ardhmja. “Që të gjithë ne presim që gjërat t’i rregullojnë njerëz që vijnë nga qielli dhe vetëm ankohemi”, thotë ai. Ai e pranon që mund të jetë idealist, por thotë se njerëzit e guximshëm, idealizimi i çon përpara. Ndaj është i bindur që do të japë kontribut në fushën e sipërmarrjes, ekonomisë, punësimit, politikave mbështetëse të biznesit, investimeve të huaja. Të gjitha këto do ta bënin Shqipërinë një vend konkurrues, ku do t’u jepet vlerë njerëzve që kanë ndërtuar gjithçka me djersë dhe jo me pazarllëqe. Ai thotë se kjo përqasje është statuti i tij dhe do t’i përmbahet këtij rregulli, pavarësisht se për të nuk ka rëndësi nëse është deputet apo pranë një force politike, teksa synimi i tij është të arrijmë një të ardhme më të mirë brenda Shqipërisë dhe jo jashtë saj. “Do të ftoj njerëz të të gjitha shtresave që të bëjmë më shumë për të mundur atë pesimizëm që po i largon njerëzit nga vendi dhe që i shtyn të mendojnë se Shqipëria nuk bëhet”. Ai ka marrë përsipër një mision të vështirë, që të përpiqet të ndryshojë mentalitetin që ekziston te politika. “Duhet të besojmë që Shqipëria ka njerëz që e duan më shumë sesa e urrejnë. Do të mundohem të jem flamur që ka hyrë në një betejë për interes të të gjithëve”. Hoxha ka 25 vjet si sipërmarrës dhe thotë se në këto vite nuk gjen asnjë presje të dyshimtë në aktivitetin e tij. Bizneset e tij janë tashmë të konsoliduara dhe do të vazhdojnë të drejtohen nga bashkëpunëtorët, që janë të punësuar. “Kam 4 biznese, të katërta do të vazhdojnë rrugën, duke mos qenë të implikuar në asnjë aferë”.

Agron Duka: Njerëzit e ardhur nga biznesi janë një vlerë e shtuar për politikën

Ata ndoshta do të shërbejnë për të depolitizuar debatin, për ta përqendruar atë te politikat reale dhe programet zhvillimore dhe jo te betejat boshe që zhvillohen në Parlament apo nëpër debatet televizive

Hyrja në politikë e Agron Dukës, sipërmarrës në kompaninë AIBA dhe të tjera, ka qenë disi rastësore. Nuk e ka ushqyer ndonjëherë në rininë e tij këtë ambicie. Ai thotë se ka qenë një kontakt me z. Fatos Nano në vitet 2000 shkaku i angazhimit të tij politik. “Formimi im si agronom përcaktoi në njëfarë mënyre rrugëtimin tim politik, pasi u mora kryesisht me çështjet e bujqësisë, nëse ju kujtohet kam mbajtur edhe postin e ministrit të Bujqësisë”. Mundësia për të dhënë një kontribut në politikë, veçanërisht në atë sektor për të cilin kishte përvojën dhe pasionin, e ka bërë tanimë politikën një segment të rëndësishëm të jetës së tij. Z. Duka thotë se politika ka shumë për të mësuar nga sipërmarrësit e suksesshëm në vend. “Një nga çelësat e suksesit në biznes është zgjedhja e stafit drejtues, por edhe e punonjësve mbi bazën e meritokracisë. Politikanët janë më shumë të prirë të shpërblejnë kontributin e dhënë në fushata elektorale. Sjellje të tilla ndaj punonjësve dhe administratës nuk mund të krijojnë zhvillimin e dëshiruar, por vetëm një konsum të mazhorancave, të cilat zakonisht ndëshkohen me votë. Ndërsa biznesmeni e ndërton sipërmarrjen e tij me mund dhe sakrificë, prandaj rekrutimin e punonjësve dhe të stafit e bën në bazë të aftësive dhe meritokracisë”. Duka pohon se kur ka qenë ministër, me formim biznesmeni, është përpjekur që në qeveri e Parlament të punojë për të harmonizuar platformën qeveritare dhe interesat e biznesit për të mirën e zhvillimit të ekonomisë kombëtare. Këtë qasje pritet të kenë sipërmarrësit e suksesshëm në politikë. Ai pranon që idealizmi është një faktor i rëndësishëm, pasi sipërmarrësit janë të zhgënjyerit e parë nga politika e zakontë. “Ne i përjetojmë të parët dështimet e politikave të keqhartuara dhe keqzbatuara, ndryshimin e taksimit çdo 2 vjet pa një plan strategjik ose një projekt afatgjatë. Për këtë arsye, shumë sipërmarrës thonë se hyjnë në politikë për idealizëm, pasi ndiejnë se mund të japin kontributin e tyre, të përdorin aftësitë e akumuluara në vite të tëra sipërmarrje të suksesshme. Personalisht kam pasur momente të mira dhe momente të këqija në politikë, pasi mungesa e konsekuencës në veprimtari dhe në fjalën e dhënë është zhgënjyese. Gjithsesi, derisa të ndihem i dobishëm dhe i vlerësuar për banorët e zonës sime nuk do t’i druhem zhgënjimit”. Bizneset i ka deleguar të gjitha dhe ka kohë që nuk merret me ato personalisht. “Tanimë ato menaxhohen dhe administrohen në mënyrë të suksesshme nga Drejtori i Përgjithshëm, pa nevojën time”, pohon ai. Duka shton se njerëzit e ardhur nga biznesi i sjellin politikës përvojën e tyre pozitive në menaxhim, si dhe duke njohur më mirë problematikën e tij, janë më objektivë në hartimin e ligjeve në dobi të klimës së shëndetshme për zhvillimin e biznesit në përgjithësi. Nëse mirëqenia e shqiptarëve është sot më e lartë, ajo është produkti i kësaj kategorie njerëzish që kanë zhvilluar ekonominë e vendit, kanë krijuar punësim dhe mundësi për qindra mijë qytetarë. Njerëz të tillë janë një vlerë e shtuar për politikën, ndoshta do të shërbejnë për të depolitizuar debatin, për ta përqendruar atë te politikat reale dhe programet zhvillimore dhe jo te betejat boshe që zhvillohen në Parlament apo nëpër debatet televizive. Ky brez i ri i sipërmarrësve, që i përkushtohen politikës, mund të mbyllë atë boshllëkun midis këtyre dy sferave shoqërore që duhet patjetër të ecin bashkë, nëse duam që Shqipëria të ketë një të nesërme më të sigurt dhe një ekonomi më të fortë.

Fuad Haxhiymeri: Përvoja ime 27-vjeçare në biznes i vlen politikës

 

Politika shpesh është treguar egoiste dhe jo e vëmendshme me atë pjesë vitale të ekonomisë, bizneset, që sigurojnë punësim dhe të ardhura edhe për pjesën tjetër të popullatës

Në fillim të viteve 1990, kur shumica e të rinjve po braktisnin me shpejtësi vendin për një jetë më të mirë, Fuad Haxhiymeri pikasi shpejt se shpresa dhe mundësitë ishin edhe në skëterrën që kishte lënë komunizmi. Ai sot është aksioner dhe drejtues i kompanisë “Prima”, në sektorin e blojës, miellit dhe nënprodukteve të tij. Por gjatë rrugëtimit si biznesmen ka parë se shumë herë, politika, në vend që të stimulojë biznesin, i ka krijuar dëm, herë nga mungesa e njohurive dhe herë nga mungesa e vlerësimit për sektorë të veçantë, duke u shndërruar shpesh në kosto.

Me 27 vite përvojë, Haxhiymeri e sheh veten të maturuar në biznes dhe ndien detyrim për t’i çuar njohuritë e tij në vendimmarrje. Ai vjen nga Partia Agrare Ambientaliste, me fokus mjedisin dhe bujqësinë dhe kandidon për deputet i 13-i në radhë nën listën e Partisë Demokratike.

“Gjithë këto vite në biznes kam mësuar shumë. Por edhe kam parë se politika shpesh është treguar egoiste dhe jo e vëmendshme me atë pjesë vitale të ekonomisë, bizneset, që sigurojnë punësim dhe të ardhura edhe për pjesën tjetër të popullatës. Ndaj e ndiej si detyrë morale që përvojën time në këto vite ta çoj në vendimmarrje”,- tha Haxhiymeri.
I diplomuar në ekonomi qysh në vitet 1986, Haxhiymeri ka vënë gurin e themelit në sistemin tatimor. Ai është biznesi i parë i kryeqytetit që është regjistruar në Tatime. Nëpërmjet privatizimit të Mapos së fëmijëve në vitet e para e të tranzicionit, ai shumë shpejt bashkë me pjesëtarët e familjes së tij ngriti perandorinë e biznesit në sektorin e agroindustrisë. Vitet e fundit, ai ka qenë aktiv në opinionin publik nëpërmjet avokatisë për krizën që po kalon industria e blojës, si pasojë e futjes në tregun vendas të miellit serb pa standarde.

“Unë jam një njohës i mirë i sektorit të bujqësisë dhe kam njohuri të thelluara në sektorin e agropërpunimit dhe gjithë zinxhirin që lidhet me të. Njohuritë dhe përvoja që unë kam do t’i shërbejnë politikës që të jetë e saktë në vendime dhe në ligje të cilat të shkojnë në favor të zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë. Nuk ka qenë i lehtë vendimi për t’iu bashkuar politikës por, ndërgjegjja nuk më ka lënë të qetë kohët e fundit. Politika të jep mundësi për të përmirësuar disa gjëra që në pozitat që jam sot nuk mund t’i bëj.

“Ne dhe ju bashkë kemi parë shpesh se si disa persona e kanë shfrytëzuar politikën për t’u pasuruar. Kanë hyrë në Parlament me duar në xhepa dhe kanë dalë prej andej me biznese. E kundërta do të jetë shembulli im. Për fat, biznesi im ka zgjidhur problemet financiare dhe të punësimit për mua dhe njerëzit e mi të dashur. Në këto 27 vite, asnjë lek nuk e kam fituar duke marrë pjesë në tenderët e qeverisë. Ndaj jam krejt i zhveshur nga konflikti i interesit. E ndiej në ndërgjegje që t’i jap më të mirat e përvojës sime poltikëbërjes”, – tha Haxhiymeri
Ne shpesh e fajësojmë politikën për gjërat që nuk shkojnë, prandaj dua t’i jap një shans vetes për të përmirësuar sadopak politikën, sidomos sektorin e bujqësisë, shtoi ai.

Bujqësia shqiptare është aktualisht në fazat e hershme të zhvillimit të saj dhe me shumë mundësi për biznes. Mirëpo këto mundësi nuk do të mund të avancojnë nëse politika nuk e bën një ekzaminim të saktë të sektorit për të ndërmarrë më pas vendime pro biznesit dhe prodhimit.
“Unë hyra në biznes kur tregu ishte vetëm një koncept dhe nuk kishte një sistem taksash të formësuar. Tani, pas 27 vitesh, bizneset shqiptare kanë evoluar, janë mataruar dhe kanë një përvojë të admirueshme, e cila duhet t’i ofrohet politikës si një vlerë dhe ekonomisë si përfitim”, tha ai.

“Mbase po tregohem shumë idealist, por para se të fajësojmë politikën, duhet të japim kontributin për përmirësimin e saj, pasi ky vend ka plot mundësi dhe shanse për një jetë më të mirë”, shtoi më tej.

Haxhiymeri tha se pas hyrjes në Kuvend, bizneset e tij do të vijojnë aktivitetin njësoj. “Prima do të vijojë të drejtohet nga anëtarë të familjes, pasi edhe deri më sot, administrimi i saj është bërë nga familja Haxhiymeri”, – përfundoi ai. /Monitor/

Please follow and like us: