Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Izraeli, ‘blindohet’ stadiumi në Haifa

Në çdo ndeshje të Izraelit, qoftë në shtëpi, apo edhe në transfertë, masat e sigurisë janë aq të larta, saqë nuk bëjnë më përshtypje te vendësit, por më së shumti te kundërshtarët e skuadrës së shtetit hebre.

Edhe për ndeshjen e nesërme, Izrael-Shqipëri, që do të luhet në Haifa, masat janë ekstreme për tifozët vendës dhe ata shqiptarë. Kësisoj, dje përmes një komunikate për shtyp, institucioni i futbollit shqiptar sqaronte tifozët kuqezi për dokumentet që duhet të marrin me vete përpara se të futen në stadium.

“Të gjithë sportdashësit që kanë blerë bileta dhe do të jenë të pranishëm në ndeshjen Izrael-Shqipëri, datë 11 qershor ora 20:45, në stadiumin ‘Sammy Ofer’ në Haifa, janë të lutur që ditën e ndeshjes për të hyrë në stadium, duhet patjetër të jenë të pajisur me një mjet identifikimi, pasaportë ose kartë identiteti.

Në rast të kundërt, nuk do të lejoheni të futeni në stadium për të mbështetur Kombëtaren”, citohej dje në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kujtojmë që edhe në ndeshjen e fundvitit të kaluar në “Elbasan Arena” masat e sigurisë ishin ekstreme, duke bezdisur jo pak tifozët kuqezi.

Please follow and like us: