Albspirit

Media/News/Publishing

Sessions: Akuzat për bashkëpunim me rusët, “gënjeshtra të neveritshme”

Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions dëshmoi në një seancë të hapur para Komisionit të Senatit që po heton lidhjet e dyshuara mes zyrtarëve të fushatës presidenciale të Donald Trumpit dhe ndërhyrjes së Kremlinit në zgjedhjet amerikane.

Ai tha se akuzat ndaj tij lidhur me disa takime private me zyrtarë rusë në Hotelin Mayflower, me synimin për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, janë “gënjeshtra të neveritshme”.

Ai pranoi se është takuar me ambasadorin rus, por se asgjë e papërshtatshme nuk ka ndodhur në ato takime. Ai shtoi se nuk ka patur njohuri për biseda të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me zyrtarë rusë.

Zoti Sessiosn tha se ai ishte tërhequr nga hetimet për Rusinë, jo ngaqë kishte bërë diçka të papërshtatshme, por sepse kjo kishte qenë kërkesa e Departamentit të Drejtësisë dhe se këtë proces tani po e mbikqyrte zëvendësi i tij, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rosenstein.

Ai shprehu përkushtimin e tij për t’i shërbyer vendit me ndershmëri, një gjë që e “kam bërë, – tha ai, për 35 vjet me radhë”.

Zoti Sessions, që ka qenë senator për 20 vjet, kërkoi vetë të dëshmonte para Komisionit të Zbulimit, pasi ish drejtori i FBI-së James Comey, la të kuptohej në seancën e dëshmisë së tij javën e kaluar, se mund të ketë pasur më shumë se një arsye që Prokurori i Përgjithshëm vendosi të tërhiqej nga drejtimi i hetimit për Rusinë.

Zoti Sessions e shmangu veten nga hetimi për Rusinë në Mars, pasi u zbulua se kishte pasur disa takime me ambasadorin e Moskës në Uashington gjatë fushatës presidenciale.

Megjithatë, paraqitja e tij para Komisionit të Zbulimit e ekspozon atë ndaj pyetjeve të tjera lidhur me bashkëpunimin e mundshëm mes zyrtarëve të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë, si edhe për rolin që mund të ketë patur në shkarkimin e zotit Comey, në një kohë kur ish drejtori i FBI-së drejtonte hetimin për Rusinë.

Sekretari i Shtypit, Sean Spicer tha të hënën se presidenti është “në dijeni të faktit” që zoti Sessions do të dëshmojë dhe se ai pret me padurim fundin e hetimit për ndërhyrjen e Rusisë, që siç tha ai, ka tërhequr vëmendjen nga çështjet e tjera me të cilat përballet vendi.

Please follow and like us: