Albspirit

Media/News/Publishing

Zamira Cavo: Dy fjalë për kryebashkiakun Velija

 

U bënë dy vite që tashmë Tirana, falë punës suaj dhe stafi tuaj ka ndryshuar. Këtë askush nuk e konteston më. Madje unë besoj se nuk ka më nevojë as të bëni publicitetin e rradhës në ekranet tona.
Por nuk di nëse aty ku kaloni njëherë i riktheheni sërish pas disa kohës? Nuk e besoj. Nëse do i riktheheshit punëve të bëra, do të vinit re se cfarë nuk shkon. E di që do thoni: “Qytetarët e kanë fajin, se prishin dhe shkatërrojnë cdo gjë”. Po kjo është e vërteta. Por kjo besoj se nuk ju justifikon. E para sepse dëshmon për edukimin e dobët në sistemin tonë shkollor dhe e dyta sepse ju nuk arrini të siguroni një qëndrueshmëri të punëve tuaja, pasi mungon kontrolli.
Për të qënë më konkrete po i referohem kazanëve të plehrave. U fol shumë për ndarjen e mbeturinave. Por sot kemi një pamje gati të mjerushme. Të paktën në zonat ku unë kaloj. Kazanë të shqyer dhe plehra qe shperndahen cep më cep. Në ato ditët e para karrocat me disa punonjës të Bashkisë dukej sikur do siguronin një pastërti të qëndrushme për qytetin. Tani vetëm qëndra ka këtë pastërti. Në rrugët e tjera plehrat kanë marrë dhenë dhe puntorët e Bashkisë nuk duken më me karrocat e tyre të bukura. Kaq shumë mbushen kazanët sa vetë punonjësit e pastrimit i kanë hapur dhe shkulur kapaket e tyre. Eshte një gjendje e turpshme.
Ose u tha që furgonët e linjave të afërta sidomos ato të Durrësit, do kishin vendin tyre. Por furgonët tashme i gjen rradhë rrugicave të brëndshme të Tiranës dhe rrinë aty të pa shqetësuar nga askush duke vazhduar traditën…
Nuk është problemi vetem i qytetarëve, por është problemi i vazhdimsisë së kontrolleve që duhen bërë, i vazhdimësisë së rregullit dhe kontrollit. Kur bën një punë dhe nuk pyet se si shkon më, kur nxjerr një vendim dhe nuk e kontrollon, mos prisni që qytetarët të bëjnë të kundërtën. Të mësuar me idenë “Hë mo se kështu thonë të gjithë këta e pastaj njësoj bëhet”, qytetarët do të bëjnë atë që e shikojnë më të lehtë për jetën e tyre. Sigurisht ata që janë mësuar kështu.
Jam e bindur që do më thoni se nuk kemi kaq punonjës bashkie që të mund të kontrollojnë sjelljet e qytetarëve! Këtë e di shumë mirë por nuk ka nevojë të kontrolloni qytetarët, por të kontrolloni kompanitë me të cilët punoni, të kontrolloni punonjësit tuaj, të kontrolloni zbatimin e urdhrave që ju vetë i nxirrni. Nëse do vazhdojmë me justifikime, shumë shpejt investimet që ju bëni me paratë tona, do futen sërish në gropën e madhe të shkatërrimeve dhe korrupsionit!

Please follow and like us: