Albspirit

Media/News/Publishing

Tahiri: LSI, kalë i ngordhur, pas 25 qershorit del në opozitë

Kryesocialisti i Tiranës, gjatë takimit elektoral në Pezë, deklaroi se votat e shqiptarëve në 25 Qershor nuk mund të shkojnë për një parti që do jetë në opozitë, por për PS-në e cila do të qeverisë bashkë me qytetarët.

“Po mirë, kush nga ju që ka pesë lekë në shtëpi, dhe me ato pesë lekë do blinte një kalë që është duke ngordhur?

Kush nga ju që ka pesë lekë në shtëpi shkon dhe blen një shtëpi që është duke rënë? Kush nga ju që ka pesë lekë shkon dhe investon në një tokë që nuk nxjerr prodhim? Kush nga ju që ka pesë lekë në shtëpi shkon dhe i investon në një biznes që nuk fiton?

Po kur vota është investimi më i madh për katër vitet e ardhshme, tek një parti që ti pret të të zgjidhë hallet e tua, për cilën arsye do e votosh, do e çosh votën tënde, këtë lloj investimi tëndin tek LSI-ja?

LSI-ja miqtë e mi pas datës 25 do jetë në opozitë. Dhe në qeverisje do jetë Partia Socialiste, Edi Rama dhe ju. Vetëm kaq. Asnjë tjetër’, tha Saimir Tahiri.  

Mesazhi i drejtpërdrejtë që Saimir Tahiri u përcolli banorëve të Pezës ishte hedhja e votës për partinë që sipas tij u zgjidh problemet nesër.

“Në qoftë se ti ke hallin të jesh më i fortë, të kesh një shtet që të mbron, të kesh drejtësi, ata duan gjyqtarët e korruptuar, shtetin e duan të rrënuar, sepse vetëm ashtu mund të rrinë në këmbë, e vetëm ashtu mund t’u rrinë kalaqafë njerëzve.

Po ne nuk kemi dot hallet e tyre dhe as qajmë hallet e tyre. Ne në datë 25 nuk do merremi me hallet e tyre.

Në datë 25 është dita e vetme kur ju mund të vendosni për hallet tuaja. Përndryshe në qoftë se e bëjmë pazar duhet të heshtim për katër vitet e tjera, miqtë e mi. Në qoftë se e bëjmë pazar dhe nuk çojmë te kutia e votimit këdo që s’ka votuar dot deri dje Partinë Socialiste duhet të heshtim”, u shpreh Tahiri, kandidat i zonës për Partinë Socialiste.

Please follow and like us: