Albspirit

Media/News/Publishing

Pandeli Majko: Shënim për presidentin Meta

 

Thellësisht i shqetësuar për deklarimet dhe protagonizmin e njëanshëm të presidentit të zgjedhur, Ilir Meta. Akuzat dhe paralajmërimet destabilizuese që ai po hedh këto ditë nuk i shërbejnë Shqipërisë. Ato habisin të huajt, fyejnë vendin dhe degradojnë marrëdhëniet politike.

Si politikan i vjetër, ai duhet t’ia lërë pasionin e garës politike kolegëve që e zëvendësuan në Partinë e tij. Presidenti i zgjedhur, nuk i takon më pjesës por të tërës.

Akuzat apo paralajmërimet nga podiume partiake janë të papërshtatshme në rastin më të mirë. Presidenti i zgjedhur duhet ti lërë mënjanë “bombat” për mos dekretim qeverish dhe armatosjen e popullit…

Si rregull, Presidenti shprehet për ato që ndodhin dhe jo për të kundërtën. Ai nuk është as gjykatës dhe as gjykatë. Qëndrimet e tij nuk janë gjykime emocionale por detyrime kushtetuese.

Kritikat e një presidenti të sapo zgjedhur për kryeministrin e vendit të tij nuk lexohen së pari në mediat fqinje. Punët e shqiptarëve zgjidhen në shtëpinë e tyre ku Presidenti i Republikës është një figurë qendrore. Ai përfaqëson unitetin kombëtar dhe jo marrëdhëniet me fqinjët.

Ajo që nisi si tur falënderimesh nga zoti Meta nuk ka pse kthehet në tur fyerjesh për ata që e zgjodhën. Presidenti i zgjedhur duhet të lërë LSI në fatin e vet politik dhe të përgatitet për “kujdestarinë” e Shqipërisë.

Uroj reflektimin të presidentit të zgjedhur. Gjakftohtësia është cilësi që nuk është e shkruar në Kushtetutë. Kjo nuk justifikon të kundërtën.

Please follow and like us: