Albspirit

Media/News/Publishing

Gulen: Dua ta pështyj në fytyrë personin që po shkakton këto vuajtje dhe po shtyp mijëra të pafajshëm

Turqia përkujtoi 1-vjetorin e grushtit të dështuar të shtetit, ku humbën jetën të paktën 260 persona dhe u plagosën mbi 2 mijë të tjerë. Një pjesë e ushtrisë tentoi të merrte pushtetin nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, por dështuan. Që prej grushtit të shtetit, qeveria ka shkarkuar së paku 150 mijë persona nga institucionet shtetërore. Presidenti turk thotë se ky grusht shteti është organizuar nga kleriku Fethullah Gulen. Erdogan ka kërkuar ekstradimin e klerikut që jeton në SHBA. Duke folur për radion amerikane NPR, Gulen hedh poshtë çdo akuzë që i bëhet atij.

“Unë kam dalë kundër çdo grushti shteti. Kam vuajtur gjatë ndërhyrjes ushtarake në maj të vitit 1960, më pas në mars të vitit 1971, sërish në shtator të vitit 1980, dhe kam qenë shënjestër në shkurt të vitit 1997. Kam qenë gjithmonë kundër këtyre ndërhyrjeve. Nuk i njoh personat që tentuan grushtin e shtetit më 15 korrik. Mund të kenë marrë pjesë në leksionet e mia- nuk ia kam idenë. Mijëra njerëz vijnë këtu që të më vizitojnë, mes tyre 50 deputetë, ish-presidenti Abdullah Gul, ish-ministri i Jashtëm Ahmet Davutoglu. Për këtë arsye, shumë njerëz më njohin, por nuk i njoh ata. Disa ushtarë vendosën të bëjnë një grusht shteti. Por sa për humor, nëse ndonjëri prej tyre do më ishte telefonuar dhe do më kishte treguar për planin, do i thoja: “Po kryen vrasje”.

I pyetur për kërkesën për ekstradim, ai thotë: “Mendoj se SHBA është e ndërgjegjshme për reputacionin e demokracisë së saj dhe sundimin e ligjit. Nëse duan të rrezikojnë këtë reputacion duke më ekstraduar mua, nuk do them jo. Do shkoj me dëshirë”.

“Unë po jetoj vitet e fundit të jetës edhe nëse vendosin të më vrasin apo helmojnë ose të sjellin sërish dënimin me vdekje për mua. Kur isha një imam i ri në atë kohë, isha i pranishëm në ekzekutimin e dy burrave. I pyeta ata për dëshirën e fundit. Nëse do më pyesnin mua se cila është dëshira e fundit, do të thoja se dua ta pështyj në fytyrë personin që po shkakton këto vuajtje dhe po shtyp mijëra të pafajshëm”.

Please follow and like us: