Albspirit

Media/News/Publishing

Japodët, popull enigmatik ilir

Në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Zagrebit, në prezencën e një numri të madh të ftuarish, mysafirësh e adhuruesish të arkeologjisë, u hap ekspozita me titull “Japodi –zaboravljeni gorštaci” (Japodët – malësorët e harruar).

Ekspozita është fryt i bashkëpunimit të Muzeut Arkeologjik të Zagrebit dhe Muzeut të Vendit të Bosnjë- Hercegovinës në Sarajevë, ndërsa kuratorë të ekspozitës janë dr. Lidija Bakariq nga Zagrebi dhe dr. Adriana Providur nga Sarajeva, përderisa hapjen e kanë bërë Bakariq bashkë me Ivan Radman Livaja nga institucioni nikoqir i ekspozitës, shkruan Naser Ferri, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Kjo ngjarje koincidon me 130-vjetorin e fillimit të gërmimeve sistematike në nekropolet dhe lokalitetet e tjera të kulturës japode dhe me 180-vjetorin e themelimit të Muzeut Arkeologjik të Zagrebit.

Në këtë ekspozitë ekspozohen mbi 400 artefakte prej qeramike, bronzi, qelibari, qelqi dhe prej materialeve të tjera të gjetura kryesisht nëpër nekropole të japodëve e që tash janë pjesë të koleksioneve të dy muzeve të përmendur. Vlen të ceket fakti që artefaktet më të vjetra të prezantuara në këtë ekspozitë janë enët prej qeramike nga shekulli XIII para erës sonë, ndërsa kujdes i veçantë u është kushtuar stolive dhe gjësendeve të tjera prej qelibari, të cilin japodët e kishin përdoruar shumë, sidomos për stolisjen e grave, dhe kishin qenë mjeshtër të punimit të artefakteve luksoze prej metaleve të ndryshme e po ashtu edhe prej qelibari të cilin përmes lidhjeve tregtare me popujt e tjerë e importonin nga Baltiku.

Korrik 2017

Please follow and like us: