Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Mish për top

 

Nga dje dhe sot shqiptarët janë përfshirë në një masë proteste karshi një vendimi gjykate në Kroaci. Kjo në lidhje me ekstradimin e Ballist Morinës, ai që në tetor të vitit 2014 u njoh si autori i lëshimit të një droni, që çoi në ndërprejren e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë. Luheshin eleminatoret e europianit në Francë. Një veprim që për disa, madje dhe burra shteti, ishte një heroizëm. Për shumë të tjerë një akt që nuk duhej të ndodhte. Ashtu sikur edhe për plot analistë oportun, një veprim i papjekur. Madje i ideuar nga vet serbët.
Sipas tyre, kalvarit të raportit midis serbëve dhe shqiptarëve, sidomos pas bërjes së Kosovës shtet, nuk u duhej edhe një ngjarje e tillë.
Por të mos harrojmë, se, deri orët e para të ditës së nesërme, asaj mbrëmje akuzohej edhe vëllai i kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Tashmë mbrapshtia e bëri të vetën. Pamjet e televizioneve të botës ishin ato që njihen, ca sportiste që mbronin kokat nga karrikat që u thyheshin supeve. Dhe nuk e di se çfarë vlere patriotike do të kishte ai dron sikur, larg qoftë, të kishte humbur jetën ndonjë nga ata djem në fushë. Apo nga ata shqiptarë në shkallët e stadiumit që kishin shkuar të shikonin futboll. Aq më tepër kur ca oshëtima tifozerie, me, vritini shqiptarët trondisnin platformën. Dhe ca të tjera të dorës së dytë, të yshtura nga bota e patriotizmit të palëve, pështynin mbi gjithçka.

Shkurt, Shqipëria dhe Serbia ishin tmerri në sytë e botës. Se si do të vente ajo ndeshje, sikur të mos kishte ndodhur kjo, askush nuk të thotë gjë, Shqipëria po luante mjaft mire. Mund të humbte, mund të fitonte. Dhe ndofta betejave tashmë shekullore për të drejtat e mohuara midis shqiptarëve dhe serbëve, apo faktit se kujt i ha hakun kandari, do i mungonte kjo, dosja e këtij ballistit. Megjithatë revanshit të një fitoreje në tavolinë, skuadra serbe iu përgjigj me qetësi. Kur ca muaj më vonë do na ftohte nervat duke fituar pastër në Elbasan. Megjithëse shkuam ne në europian. Dhe ndofta për herë të parë fati po i sillte hiletë, apo strategjitë e kancelarive të mbrapshta nga koha, në favor të shqiptarëve. Por ndofta nuk ishte as kjo.
Megjithatë si ngjarje…, nxjerr në pah paradoksin e sojit tone.
Nuk u bëmë kështu kur humbëm Gërvallët, Hotin, Aganin, e sa të tjerë. Më fort solidarizohemi me topin, se sa me gjakun e humbur. Pra mish për top e gjak për asgjë.

Please follow and like us: