Albspirit

Media/News/Publishing

15 Janar 1915, Mit’hat Frashëri: Kur të vdes

Kur të vdes, miq, mos mbillni mbi varrin tim lule që i thanë dielli i gushtit, mos më vini një shtyllë në këmbë që e rrëzon era e Veriut. Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të fortë dhe, në mes të bregut të vogël, virmëni një qeparis. E dua këtë dru që përçmon vitet e shekullit, që u bën ballë Jugës që djeg dhe murlanit të marrë, që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor. Shpirti im do të jetë i pështjellë në trupin e tij dhe do të shohë këtë njerëzi, këtë botë dhe stërnipërit e të sotmëve. Edhe kur fryn Veriu i egër dhe dëgjoni drurin plak t’oshëtijë, mos pandehni se era këndon në degët e tij. Është zemra ime që qan e rënkon. Edhe kur shihni mbi gjethin e saj të hollë pikëza që shkëlqejnë në diellin e një mëngjesi gazmor, mos pandehni se janë pika vese. Janë lotët e mi. Se dua që edhe pas vdekjes, o miq, të rënkoj e të qaj bashkë me ju, të kem pjesë në gëzim e në pikëllimet.

Please follow and like us: