Albspirit

Media/News/Publishing

Denis Dyrnjaja: Unë e vrava gjyqtaren

Dy fëmijë jetimë, me një nënë të vrarë publikisht dhe një baba kriminel të dënuar për vrasje.

Ky është epilogu i një kronike të paralajmëruar, e ngjashme, e përsëritur me dhjetëra herë në forma të tjera në këtë vend të marrë peng nga dalldia sociale, të trullosur nga dehja e injorancës, të mendjefreguar nga pasurimi i pamerituar dhe pasens që na bën të gjithëve te pa ndjerë, të pandjeshëm si zombi që shohim si shoqin të rrënohet.

Pastaj e perflasim për pak kohë dhe më pas harrojmë sikurse harron një qenie jonjerëzore që s’ka shpirt. Harresë sociale, harresë kolektive, shoqërore dhe mbi gjithçka mediatike. Media e menduar si promotore e reagimit publik, e zgjimit publik, e ndërgjegjësimit publik, e edukimit dhe emancipimit publik është në fjetoren e saj të letargjisë profesionale. Minutat kushtuar problemeve të thella të familjes, shoqërisë, gruas e burrit veç e veç, e të dyve së bashku po t’i mbledhësh, nuk bëjnë dot as orët e një dite në vit në media.

Faqe të shkruara pa fund me vulgaritete vetem për klikime e fitime dhe asgjë me vlerë për jetën. Rreshta pa fund shkruar e transmetuar por asgjë për familjen dhe krizën shoqërore. Çdo ditë e halli më i madh është nëse ishte me brekë apo pa brekë ajo këngëtarja apo modelja, e ka buzën të vetën, se ka buzën të vetën, doli te plazhi pa dashnorin apo me dashnorin,  kur do e bëjë dasmën ajo dhe ai në korrik, gusht apo shtator, do jetë shi apo diell atë ditë?!

Mjerim mediatik, të gjithë bashkë të mjerë dhe të ushqyer me gjellën bajate që gatuajmë vetë çdo ditë. Dorëzim pa kushte ndaj miopisë profesionale, për të mos thënë paaftësisë profesionale. Asnjë raport profesional hulumtues mbi gjendjen dhe stadin e familjes shqiptare në tërësi.

Gjykatat denden me padi divorcesh e urdhëra mbrojtjeje, denoncime pafund, komshinjtë, pallatet, lagjet ziejnë nga thashethemet e vërtetuara për dhunë periodike brenda mureve të banesave, por askush nuk flet për to publikisht dhe seriozisht, asnjë analizë profesionale sociologjike, asnjë sensibilizim, asnjë shqetësim qeveritar për shkatërrimin e familjes, për depresionin social, për nivelin arsimor, e me radhë punësor e shoqëror.

S’ka nevojë të vrasim njëri tjetrin sepse së pari jemi vetëvrarë si shoqëri në llumin e injorancës sonë që e shtojmë nga dita në ditë e nga viti në vit. Busulla sociale është çakorduar. Në detin e trazuar të dalldisë kolektive me fajtorë të padënuar, me drejtësi të shtrembëruar dhe me një shtet ku forca e ligjit është e rrënuar, kjo vrasja e gjyqtares sot tingëllon si aperitiv para atyre çfarë kemi për të parë e dëgjuar, qofsha unë i gabuar!

Please follow and like us: