Albspirit

Media/News/Publishing

Horoskopi i shtatorit 2017, ja befasitë për të gjitha shenjat

 

Dashi

dashiDitët e para të muajit paraqesin një panoramë pozitive yjore për të lindurit në shenjën e dashit. Yjet stimulojnë idetë e reja, sidomos për personat që punojnë të pavarur dhe do të arrijnë kënaqësi të mëdha profesionale. Një nga ditët më interesante do të jetë datë 21 e muajit që do të sjellë perspektivën e një pune të re apo konkretizimin e një projekti të volitshëm. Të lindurit në shenjën e Dashit përjetojnë shkëndija të një pasioni të madh këtë muaj. Edhe marrëdhënia në çift do të jetë gjithashtu e mirë, por bëni kujdes dhe mos bini pre e xhelozisë që ndieni për partnerin tuaj. Nuk duhet ta prishni këtë tablo kaq të bukur, e cila kulmon në fushën e erotizmit. Ndërsa beqarët do të jenë shumë sharmantë dhe do të bëjnë për vete këdo që dëshirojnë. Marrëdhëniet tuaja lulëzojnë falë aftësisë që keni në komunikim. Do të ndieni një dëshirë të madhe për të shijuar dashuritë verore, sporte të ndryshme dhe sigurisht që edhe pushimet. Rikuperimi i forcës fizike dhe qetësisë mendore është shumë i rëndësishëm. Pas një periudhe çlodhjeje gjendja juaj psikofizike do të përmirësohet ndjeshëm.

 

Demi
demi

Ky është muaji i së vërtetës, i vendimeve dhe mundësive të mëdha, por bëni kujdes, sepse në tetor situata mund t’ju dalë jashtë kontrollit. Sjellja juaj do të pësojë ndryshime rrënjësore, sidomos në aspektin profesional. Një nga datat më të rëndësishme do të jetë data 19. Ata që duan të firmosin kontrata të reja kanë shumë dyshime, por kjo gjendje do të zgjatë deri në nëntor. Mos merrni para hua, sepse planetët nuk favorizojnë borxhet apo kreditë këtë vit. Ndërsa në aspektin sentimental do të përjetoni disa kriza të vogla, të cilat do të zgjatin deri më datë 20, sidomos në datën 17. Çiftet e konsoliduara prej kohësh nuk do të kenë probleme, ndërsa çiftet që mezi po e mbajnë në këmbë marrëdhënien e tyre është më mirë që të shpëtojnë nga kjo barrë. Ndonjëherë është më mirë të heqësh dorë nga diçka që të bën të vuash, sesa të vuash në pafundësi. Yjet favorizojnë njohjet e reja, sidomos në datën 19. Ky është muaji duhur për të marrë vendime mbi të ardhmen dhe jo vetëm, por edhe për shëndetin. Trajtimet apo kurat që nisin pas datës 20 do të jenë shumë efektive dhe do të ndikojnë pozitivisht te ju. Dhjetë ditët e fundit të muajit do të ndiheni plot energji pozitive dhe do të mendoni se jeni të aftë të bëni gjithçka.

 

Binjakët

binjaket

Të lindurit në shenjën e Binjakëve do të ndihen nervozë gjatë gjithë muajit. Marsi, Mërkuri dhe Dielli në shenjën tuaj do të shkaktojnë panik, i cili do të kulmojë më datë 19. Për fat të mirë, kjo gjendje psikologjike nuk do të ndikojë në aspektin tuaj profesional. Gjithsesi, shtatori do të jetë një muaj problematik, sidomos në marrëdhëniet me ortakët, eprorët. Duhet t’u jepni fund disa bashkëpunimeve, por a do ta bëni dot vallë këtë? Ky do të jetë një muaj ndryshimesh të cilat s’i dëshironi. Nëse keni një aktivitet privat, është momenti të vendosni në duhet të vazhdoni apo ta mbyllni. Bëni shumë kujdes më datë 26. Pjesa e parë e muajit do të jetë e qetë, por duhet të kuptoni se të gjithë ata që kanë vënë në provë durimin e partnerit, tani do të ndihen më të pasigurt se kurrë. Çiftet e konsoliduara do të debatojnë fort, madje do të ngrenë edhe zërin. Shpenzime të paparashikuara brenda familjes. Të rinjtë do të pësojnë zhgënjime në marrëdhëniet që sapo kanë krijuar. Do ta keni shumë të vështirë këtë muaj edhe në aspektin sentimental. Do t’ju këshilloja njohje të reja apo lidhje që nuk përfshijnë përgjegjësi të mëdha. Do ta keni të vështirë të ruani qetësinë këtë muaj, por jo për fajin tuaj. Nëse vuani nga ankthi, alergjitë apo problemet e stinës, kujdesuni më shumë për veten, sidomos në datën 19. Nëse stërmundoheni, i bëni keq edhe vetes suaj.

 

Gaforrja

gaforrjaJupiteri do të kthehet në shenjën tuaj vetëm pas disa javësh, më saktësisht në datën 10 tetor. Do të keni mundësi të organizoheni më mirë, do të nisni bashkëpunime të reja. Ata që kanë shumë vite në të njëjtin vend pune mund të kërkojnë rritje rroge, pasi është momenti i përshtatshëm. Nëse gjatë pranverës dhe verës nuk keni pasur mundësi të angazhoheni, tani është momenti të provoni gjëra të reja. Studentët që sapo kanë mbaruar studimet do të kenë mundësi të reja punësimi, por duhet t’i vlerësojnë mirë propozimet që u vijnë. Të lindurit në këtë shenjë bashkëpunojnë shumë mirë me të lindurit në shenjën e Demit e të Virgjëreshës. Kjo është periudha e duhur për të mbyllur një aktivitet privat e për të hapur një tjetër edhe më të madh. Tetori do të jetë edhe më i kënaqshëm në aspektin profesional. Yjet do të favorizojnë edhe fushën e ndjenjave. Takimet e reja të gushtit tani mund të rezultojnë në marrëdhënie përfundimtare, pasi mund të keni gjetur shpirtin tuaj binjak. Disa nga ju do të debatojnë fort me një ish-partner për shkak të disa problemeve ekonomike. Dhjetë ditët e fundit të muajit do të jenë të mbushura plot me emocione për të gjitha çiftet. Datat ideale janë 23 dhe 24 shtatori. Të gjithë ata që janë beqarë duhet ta shfrytëzojnë sa më mirë këtë periudhë për të njohur njerëz të rinj. Për sa i përket shëndetit, jeni ende duke marrë veten. Ata që kanë nisur tani kurat apo terapitë e ndryshme do t’i shohin rezultatet në tetor. Kujdesuni gjithashtu edhe për shëndetin mendor duke gjetur ekuilibrin brenda jush.

 

Bricjapi

bricjapi

Këtë muaj do të merrni frymë lirisht. Do të aspironi gjëra të mëdha, do të gjeni zgjidhje të rëndësishme. Më në fund, një erë e re po fryn për ju. Prej më shumë se një viti po përpiqeni të gjeni një zgjidhje për problemet tuaja dhe për këtë keni hequr dorë nga diçka shumë e çmuar për ju. Nuk e keni pasur të lehtë të ruani qetësinë, por tani e tutje gjithçka do të shkojë më mirë. Ata që kanë një biznes privat po korrin të ardhura të shumta. Ambicia juaj është e madhe dhe ndonjëherë, për shkak të saj lini pas dore familjen dhe marrëdhënien tuaj sentimentale. Një nga datat më pozitive do të jetë data 19. Ndjenjat nuk duhen lënë më pas dore, sepse mjafton ajo çka keni bërë gjatë gushtit. Nëse muajin e kaluar ka lindur një miqësi e re, jo medoemos duhet të shndërrohet në një lidhje sentimentale. Beqarët duhet të tregohen më optimistë. Ata që kanë gjetur një person të rëndësishëm, brenda pak muajve mund të vendosin të martohen apo të bëhen me fëmijë. Jupiteri do të ndikojë pozitivisht në shenjën tuaj gjatë tetorit. Nëse ndonjë nga ju po priste një përgjigje për një shtëpi të re apo për një ndryshim, tani duket se do të vijë. Mos u tregoni gjithmonë skeptikë, karakteristikë kjo e të lindurve në këtë shenjë. Gjëra pozitive edhe për shëndetin tuaj; kura dhe terapi të reja që do të kenë ndikime pozitive. Gjeni pak qetësi, sepse gushti për ju nuk ishte ai muaji i pushimeve që prisnit.

 

Luani

luani

Ky është një muaj tjetër i mbushur me energji që duhen shfrytëzuar në maksimum. Venusi ka nisur kalimin në shenjën tuaj gjatë ditëve të fundit të gushtit. Do të keni mundësi të fitoni disa të ardhura më shumë këtë muaj. Mërkuri dhe Venusi gjithashtu do të kalojnë në shenjën tuaj. Java e fundit e shtatorit do të jetë shumë e favorshme për studentët që kanë provime. Tre muajt në vijim do të kërkojnë shumë angazhim. Shumë prej jush tanimë e kanë kaluar atë periudhën stresuese që ju ka shoqëruar gjatë verës dhe është momenti të bëni kërkesa të reja, të bëni ndryshime të mëdha. Do t’ju ofrohen mundësi të reja. Bashkëpunëtorët tuaj do t’ju propozojnë hapjen e një aktiviteti. Ky është momenti i duhur për të bërë realitet projekte që do të shënojnë të ardhmen.  Tani që Jupiteri dhe Saturni janë në favorin tuaj, por edhe me ardhjen e Venusit në datën 20, mund t’ju themi me plot gojën se do të kemi shumë dasma e fejesa. Mos lini pas dore gjendjen tuaj psikologjike. Por jo gjithçka shkon fjollë. Disa nga ju nuk durojnë dot që partneri/ja t’ju qëndrojë afër nga mëngjesi deri në darkë, pasi keni nevojë për lirinë tuaj… Ndoshta edhe pak pushim larg njëri-tjetrit do t’ju bëjë mirë. Ata që do të ndahen do të gjejnë menjëherë dikë tjetër, por edhe vetëm do të ndihen shumë mirë. Gjendja financiare këtë muaj do të jetë shumë e mirë, por bëni kujdes në datën 26, pasi do të diskutoni me ndonjë familjar apo persona që i përkasin së shkuarës pikërisht për çështje parash. Keni pasur mundësi të pushoni disi, pasi për shumë muaj me radhë keni punuar pa ndalur. Mos u nervozoni për probleme ekonomike, por përqendrohuni më shumë te shëndeti.

 

Peshqit

peshqit

Yjet në qiellin tuaj do të jenë shumë aktivë. Mundësi dhe propozime të reja. Kush nga ju ka vendosur të ndryshojë punë, fillimisht do të hezitojë apo do të ketë dyshime, por kjo do të jetë një periudhë shumë frytdhënëse. Këto ditë do të provoni një përvojë të veçantë dhe do të shpërbleheni për mundin në punën tuaj gjatë muajve të fundit. Studentëve që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera do t’u jepet mundësia të japin intervista pune, të cilat me gjasë do t’i fitojnë. Në datën 19 do të ndiheni disi të pavendosur nëse do të çoni përpara një bashkëpunim të ri apo t’i jepni duart kolegut tuaj. Është më mirë të mos ushqeheni me zili, sidomos nëse punoni me shumë njerëz rreth e rrotull. Ndoshta do të detyroheni të bëni një zgjedhje drastike. Ju këshilloj të mos shpenzoni shumë këtë muaj, sidomos brenda familjes. Muaj jo shumë i zjarrtë në fushën e ndjenjave, por për ju nuk është ndonjë problem. Keni nevojë që këtë periudhë të reflektoni. Ndoshta disa vendime po i merrni me vonesë, por asgjë nuk do t’i pengojë ngjarjet e mëdha që do të ndodhin në tetor. Do të diskutoni me partnerët për arsye banale. Bëni shumë kujdes gjatë javës 18-24 shtator, sepse do të përballeni me një krizë familjare. Jeni duke përcjellë në marrëdhënien tuaj gjithë nervozizmin dhe pasiguritë që ndieni në punë. Për sa i përket formës fizike, keni nevojë të merrni veten. Disa nga planetët janë kundër shenjës suaj dhe kjo gjë mund t’ju shkaktojë stres. Shtatori do të jetë plot me angazhime, ndaj merrini gjërat me qetësi. Në përgjithësi, jeni duke u futur në një fazë më të mirë. Të gjitha terapitë janë të favorizuara.

 

Virgjëresha

virgjeresha

Shtatori do të jetë një muaj i rëndësishëm. Projektet apo aktivitetet e reja janë të favorizuara. Nëse krahasoni gjendjen tuaj nga muaji janar e tani do të vini re ndryshime të mëdha. Në fillim të vitit ishit të çoroditur dhe nervozë. Yjet kanë sjellë ndryshime të mëdha duke ju detyruar të eksperimentoni, gjë që të lindurve në shenjën e Virgjëreshës nuk u pëlqen shumë. Ndryshime të mëdha për ju në fillim të tetorit, pasi pikërisht atëherë do të kalojë Jupiteri në shenjën tuaj. Ata që kanë aktivitetet e tyre private, do t’i korrin frytet e punës së tyre në fund të muajit. Data më e favorshme do të jetë data 19. Do të vini pak rregull në punët tuaja. Jeni të kënaqur me çka keni dhe me punën që bëni, sepse tani mund ta shikoni më të sigurt të ardhmen. Kjo do të jetë një periudhë frytdhënëse edhe për ata që kanë nisur një bashkëpunim të ri. Fusha e ndjenjave do të jetë pozitive, e megjithatë do të ndiheni edhe më mirë nëse analizoni më me kujdes krizën që keni kaluar. Shtatori do të jetë muaji i përsosur për ata që janë në kërkim të një partneri, por nuk duhet të kenë probleme ligjore me ish-partnerët. Momenti i duhur për të blerë një shtëpi të re, të zgjeroni miqësitë tuaja. Do të përpiqeni të zgjidhni një problem fizik, të cilin e keni prej kohësh. Tani ndiheni më të qetë dhe kjo është e rëndësishme. Data 19 do të jetë shumë e rëndësishme në çdo aspekt, pasi shumë planetë do të mblidhen në shenjën tuaj.

 

Ujori

ujori

Nuk është momenti të rrezikoni, sepse që prej disa muajsh jeni në një luftë të heshtur me eprorin apo me kolegët tuaj në kompani. Është normale që kjo situatë t’ju duket paksa e lodhshme për t’u përballuar. Dy javët e para të muajit duhet bërë shumë kujdes. Ata që kanë kërkuar rritje rroge apo ngritje në detyrë do të kënaqen vetëm pjesërisht. Nuk do t’ju mungojë dëshira për të çuar gjithçka në djall, por kjo nuk mund të bëhet gjithmonë. Ja pse në këtë periudhë është e rëndësishme të shmangen shpenzime jo të nevojshme, sidomos gjatë dy javëve të para. Mos hidhni hapa të gabuar, mos krijoni armiq, mos bëni eksperimente për të cilat më pas do të pendoheni, sepse në fushën financiare do të rrezikoni shumë. Edhe në aspektin sentimental do të keni probleme këtë muaj. Jo të gjitha çiftet do të debatojnë, por shumë prej tyre do të kalojnë kriza të vërteta. Nëse jeni të dashuruar prej vitesh, mos harroni sa shumë jeni dashur. Të dielat e këtij muaji do të karakterizohen nga keqkuptime. Çiftet që janë në krizë prej kohësh është më mirë të ndahen. Nëse keni një shtëpi të përbashkët, do të keni probleme me ndarjen e saj. Shmangni konfliktet për motive parash. Ata që janë vërtet të dashuruar nuk vënë në diskutim pasionin. Të lindurit në shenjën e Ujorit e urrejnë xhelozinë. Në këtë periudhë ndiheni të lodhur. Tensioni në punë dhe në familje ka ndikuar shumë te ju.  Merruni me sport që të lehtësoni sadopak muskujt. Përpiquni të hiqni mendjen nga shqetësimet e përditshme.

 

Peshorja

peshorja

Jupiteri është ende duke kaluar kalimthi në shenjën tuaj këto ditët e fundit. Ai do të shërbejë si element force për ata që kanë një aktivitet privat dhe duan të fitojnë edhe më shumë deri në fund të këtij viti. Projektet afatgjata janë shumë të favorizuara. Ata nga ju që sapo kanë përfunduar studimet apo kanë mbyllur një kurs të rëndësishëm tani do të korrin frytet e punës. Gjithçka do të jetë e qetë në aspektin profesional. Mundësitë tuaja do të dyfishohen në datën 22, kur në shenjën tuaj do të futet edhe dielli. Ky kombinim planetësh do të jetë shumë interesat, sepse do të thotë se mund të blini një shtëpi të re apo të filloni një bashkëpunim të ri me partnerin tuaj. Do t’ju duhen më shumë para për të realizuar një dëshirë të fshehtë që keni. Yjet nuk bëjnë mrekulli, por ne ju këshillojmë të shfrytëzoni të gjithë periudhën deri në fund të dhjetorit. Të gjithë të lindurit në këtë shenjë që kanë një raport të qetë e të qëndrueshëm tani do të mendojnë për një fëmijë. Yjet nuk janë kundër dashurisë, përkundrazi. Projektet që kanë çiftet tani mund të bëhen realitet dhe nga thjesht partnerë, mund të bëheni edhe ortakë në një biznes privat. Përgjegjësi më të mëdha do të shënojë ky muaj për jetën në çift. Nuk do të mungojë as ndonjë propozim për martesë. Bëni kujdes me njohjet e reja. Disa nga ju do të diskutojnë me prindërit për çështje parash, sidomos nëse keni një aktivitet privat të përbashkët. Datat 28 dhe 30 do të jenë të tensionuara. Nuk duhet të lejoni që familjarët të ndërhyjnë në marrëdhënien tuaj me partnerët, edhe nëse qëllimet e tyre janë të mira. Gjatë pjesës së dytë të muajit do të gjeni më shumë kohë për veten. Ndoshta në datën 8 do të keni një problem të vogël shëndetësor, por asgjë me rëndësi. Problemet tuaja emocionale vijnë si pasojë e nervozizmit në vendin tuaj të punës.

 

Shigjetari

 

shigjetari

Java e parë e shtatorit do të jetë e shkëlqyer për ju. Në datat 7 ose 8 do të realizoni një projekt shumë të rëndësishëm. Muajt e fundit të vitit nuk do të ndiheni aq energjik sa në pranverë, e megjithatë nuk do t’ju mungojnë kushtet për të çuar përpara atë çka keni nisur. Marsi dhe Mërkuri do të sjellin pak nervozizëm, sidomos nga data 11 deri në datën 28. Po fillon të ndihet barra e madhe e përgjegjësive që mbani. Probleme me shefat apo debate me bashkëpunëtorët. Data 19 do të jetë një nga më problematiket e muajit. Me pak vullnet, nuk do të ketë pasoja apo probleme që nuk zgjidhen, sepse ju mbrojnë Jupiteri dhe Saturni. Bëni kujdes nga marifetet e ulëta. Ky do të jetë muaji i ulje-ngritjeve në fushën e ndjenjave. Kush nga ju ka një raport që s’dihet se ku po shkon do të ndihet i shkurajuar. Nëse i keni besuar verbërisht dikujt, tani prisni që edhe reagimi të jetë i njëjtë. Fusha e ndjenjave kërkon pak më shumë kujdes. Çiftet e konsoliduara nuk kanë pse tremben, e megjithatë një person i tretë do të shkaktojë debate të forta mes jush. Ndërsa çiftet e reja do të kenë probleme me largësinë nga njëri-tjetri. Nënat e reja do të mendojnë se partnerët nuk i ndihmojnë sa duhet dhe se nuk po e përmbushin si duhet rolin e babait. Bëni sërish shumë kujdes në datën 19, një nga ditët më të ndërlikuara dhe më të vështira për ju. Në shtator do të vendosni përfundimisht kë doni apo s’doni në jetën tuaj. Një vuajtje e brendshme dominon në jetën tuaj, por duhet ta kontrolloni. Kjo do të jetë një periudhë që do të vërë në provë forcën, energjinë dhe emocionet tuaja. Përgjegjësia për ju është e madhe, por jo diçka e pamundur.

 

Akrepi

akrepi

Projekte të reja, bashkëpunime të reja gjatë shtatorit, por gjithçka varet nga mosha juaj, nga përvoja që keni dhe nga vullneti. Shtatori do të karakterizohet nga suksesi për të lindurit në këtë shenjë. Fillimisht në shenjën tuaj do të vijë Marsi, i cili pasohet nga Mërkuri dhe nga më i rëndësishmi, Jupiteri. Ata që janë përgatitur shumë për një projekt të ri, tani do të shohin rezultatet e para. I keni kaluar keqkuptimet me eprorët apo bashkëpunëtorët dhe mund të nisni gjithçka nga e para. Sigurisht që keni përjetuar momente të këqija këtë vit, refuzime, kritika, paqëndrueshmëri, por duket se i keni hedhur pas krahëve. Në fund të muajit, një telefonatë mund t’ju ndryshojë të ardhmen. Ndjenjat do të rilindin, edhe pse Venusi është kalimthi. Mos nënvlerësoni miqtë. Më në fund, ata që kanë qëndruar vetëm prej kohësh, tani kanë vendosur të gjejnë dikë dhe t’i dorëzohen dashurisë. Ftoj beqarët të projektojnë gjëra të bukura, sidomos pas datës 19, kur janë të favorizuara takimet e reja. Probleme ekonomike me ish-partnerët, por janë gjëra që zgjidhen. Ata që kanë vendosur të martohen këtë vit kanë bërë shumë mirë, pasi dy vitet e ardhshme janë të favorizuara nëse duan të bëhen me fëmijë. Nuk ju mungon dëshira për të qëndruar shumë afër partnerit/es. Kjo është periudha më e mirë për të marrë veten dhe të luftoni tensionet e fillim vitit që tanimë janë harruar. Jeni më të qëndrueshëm në këtë periudhë. Mos harroni se agresiviteti verbal i të lindurve në shenjën e Akrepit fsheh drojën e madhe apo frikën e tyre se mos gabojnë.

Please follow and like us: