Albspirit

Media/News/Publishing

Gresa Hasa: Ishte një show, jo një protestë

Kur mbërrita në sheshin Skënderbej, pata menduar se po shkoja në një protestë ku në fokus do të ishte dhuna ndaj gruas dhe mosfunksionimi i sistemit ligjor në Shqipëri. Isha pak me vonesë dhe nxitova të gjeja një vend mes turmës por vura re se në atë turmë nuk kishte vend për mua dhe shokët e mi.

Kostumet shumë të shtrenja të politikaneve dhe pjesës dërrmuese të drejtoreshave të OJF-ve që ndodheshin aty, sikurse aromat e parfumeve prej markave më të shtrenjta evropiane, e bënin atmosferën mbytëse.  Skena ku të ftuarit do të flisnin, ishte e rregullt dhe e pastër. Askush nuk u ndye.

Pjesa më madhore e fjalimeve ishin krejt sentimentale. Këta njerëz që marrin fonde që prej viteve ’90 në Shqipëri për të rregulluar sadopak problemin e dhunës në familje dhe specifikisht atë ndaj grave, po performonin rolin e tyre si shoqëri civile; po flisnin në emër të grave që NUK I PËRFAQËSOJNË!

Mua më vjen mirë kur flitet për VRASJEN e grave, madje nuk kemi folur ende mjaftueshëm por gratë që dhunohen nuk duan të dëgjojnë vetëm fjalë. Fjalët si shpëtojnë ato nga dhuna dhe as nga vrasja. Shoqëria civile gëzon rol të jashtëzakonshëm për të ushtruar presion te qeveria dhe organet ligjore kur këto të fundit NUK FUNKSIONOJNË.

Si e garanton punën që kryen shoqëria civile kur ne mësojmë për ekzistencën e saj vetëm në raste presioni mediatik si ky i ditëve të fundmit ose për marshimet patetike për 8 mars?

U largova nga sheshi duke vrarë mendjen nëse Izaura Rustemi, të cilën bashkëshorti e vrau pasi kishte kërkuar divorcin, kishte provuar së paku një herë gjatë jetës së saj, ndonjë parfum me aromë kaq të mirë si ato që nuhata sot aty? Po Yllka Gjiko, e vrarë gjithashtu nga bashkëshorti, a kishte blerë ndonjëherë ndonjë palë këpucë aq të shkëlqyeshme? Po Lumturia Gjilaj, edhe ajo e vrarë nga i shoqi, a kishte mbathur ndonjëherë një varëse si e asaj drejtoreshës së OJF-së që zgërdhihej me mikeshat sot?! Mbi të gjitha, si është e mundur që në 26 vjet statistikat e dhunës ose mbeten konstante, ose rriten?

Nuk e vë në dyshim që mes atyre organizatave dhe politikaneve, ka njerëz që e kryejnë punën me fisnikëri dhe idealizëm por për fat të keq, këto janë përjashtimi nga rregull. E sotmja ishte një SHOW, jo një protestë dhe kjo është pafundësisht keqardhëse.

Please follow and like us: