Albspirit

Media/News/Publishing

Ernest Koliqi propozoi për “Nobel në Letërsi”, rumunin Mirçea Eliade

Prof. dr. Ardian Kyçyku*

Lidhjet kulturore mes shqiptarëve e rumunëve janë shumë më të thella nga sa paraqiten rëndom në shtyp. Dokumenti i mëposhtëm shton një dëshmi më tepër:

Viti 1957 – Ernest Koliqi propozon për Çmimin “Nobel në Letërsi”, shkrimtarin dhe shkencëtarin e famshëm rumun, Mirçea Eliade.

Më tej autori Kyçyku, përmes një rezymeje të punës së Ernest Koliqit, e prezanton atë para publikut rumun, duke e përmendur se ai ishte prozator, poet, dramaturg, eseist, redaktor dhe profesor i letërsisë (Shkodër, 1903 – Romë, 1975). Studioi për letërsi në Padova të Italisë. Është autor i volumeve: “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh”, “Kangjelet e Rilindjes” “Kushtrimi i Skënderbeut”, “Gjurmat e stinëve”, “Simfonia e shqiponjave”, “Shija e bukës së mbrûme”, “Pasqyrat e Narçizit”, etj. Themeloi në Itali disa nga qendrat universitare të studimeve të civilizimit të shqiptarëve, ashtu si edhe revista të letërsisë, kulturës dhe shpirtërore. Është konsideruar një prej kolosëve të prozës shqiptare moderne.

Në vijimësi të këtij artikulli më në detaje, profesori universitar, Dr. Kyçyku, na jep disa pasazhe nga vepra e Ernest Koliqit, e më tej një biografi të shkurtër për Mirçea Eliade-n (Mircea Eliade), si shkrimtar, historian dhe filozof rumun (Bukuresht 1907 – Çikago 1986), specialist i shquar në historinë e feve dhe në studimin e miteve, duke e përmbyllur me komentet e Mirçea Eliades për shkrimtarin kombëtar rumun, Emineskun.

*Ardian Kyçyku me pseudonime letrare: Ardian-Christian Kyçyku/Ardian-Christian Kuciuk lindi në Pogradec më 23 gusht 1969. Kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega gjuhë-letërsi dhe mban titullin Doktor i shkencave filologjike dhe doktorant në teologji, në Universitetin e Bukureshtit. Është anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë; i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; i Central European Academy of Science and Art; i Akademisë Evropiane të Arteve (AEA) si dhe President Ekzekutiv i European Academy of Performing Arts.

Ka një mori veprash letrare të shkruara të botuara në gjuhën shqipe; pothuajse 27 të tilla ku ka zhanre të ndryshme, romane, proza, trilogji, pjesë teatrore, apo ese ndërdisiplinore, ku më e fundmja përmendim: romanin “Incógnito” në vitin 2016.  Ndërsa në gjuhën rumune, pothuajse 23 vepra, në zhanret e antologjisë, proza të zgjedhura, monografi apo pjesë teatri…

Krijimet dhe librat e tij, janë përkthyer në mbi dhjetë gjuhë të huaja. Aktualisht mban postin e Rektorit të Universitetit Rumun të Shkencave të Arteve “Gheorghe Cristea” të Bukureshtit; bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i revistës evropiane “Haemus” që botohet në Bukuresht qysh në vitin 1998 (nga ku është përmbledhur dhe ky artikull) si dhe kryeredaktor i revistave “ComuniQue” dhe “EuArts”. Ka disa çmime, si ai Kombëtar i Letërsisë “Penda e Argjendtë” për vëllimin me tregime “Perla” (2012); “Qytetar Nderi i Pogradecit” (2014); Akademia Kult – Çmimi “Libri artistik i vitit / Shkrimtari i vitit” (2015); Çmimi II “Katarina Josip” për Dramë Origjinale Shqipe, Prishtinë, 2016 si dhe Çmimi i Madh – Festivali ndërkombëtar i filmit “Très court” 2017.

Please follow and like us: