Albspirit

Media/News/Publishing

Gramoz Ruçi zgjidhet kryetar i Kuvendit me 80 vota pro

Kuvendi i Shqipërisë ka zgjedhur pasditen e kësaj të shtune, në seancën e dytë të legjislaturës së re, Gramoz Ruçin për kryetar të Kuvendit. Ruçi ka qenë propozimi i vetëm për postin e kryetarit, i bërë nga 55 deputetë të grupit parlamentar socialist.

Pas betimit të 140 deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit, ka nisur procesi i votimit që është bërë në mënyrë të fshehtë, me fletë votimi. Procesi është menaxhuar nga një komision prej 5 anëtarësh, 3 të mazhorancës dhe 2 të opozitës. Në fund votat për Ruçin kanë rezultuar 80 pro, 40 kundër, 1 abstenim, ndërsa të tjerët nuk morën pjesë në votim.

Hysi: Për deputetët e zgjedhur nuk u gjetën raste pavlefshmërie të mandateve

Kuvendi i Shqipërisë nën drejtimin e deputetit të PS Besnik Bare nisi të shtunën pasdite në orën 18:00 seancën e dytë të legjislaturës së IX parlamentare, me betimin e 140 deputetëve. Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kryetare e Këshillit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve, bëri prezantimin e raportit të verifikimit të mandatave të deputetëve nga Komisioni. “Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve zhvilloi mbledhjen dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin përkatës, konstatoi se përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë 5 subjekte zgjedhore”, tha Hysi. KQZ, vijoi ajo, mbi bazën e rezultatit ka përllogaritur shpërndarjen e mandateve midis partive që garuan më vete për çdo zonë zgjedhore si dhe të kandidatëve fitues. Mandatet janë ndarë: LSI-19 mandate, PS-74 mandate, PD-43 mandate, PSD-1 mandat, PDIU- 3 mandate. “Për deputetët e zgjedhur nuk u gjetën raste pavlefshmërie të mandateve. Komisioni konstaton se mandatet e 140 deputetëve janë të vlefshme”, deklaroi Hysi. Pas verifikimit të mandatave të deputetëve nga Komisioni, 140 deputetët e rinj të parlamentit shqiptar janë betuar. Ata kanë përsëritur pas leximit të formulës nga drejtuesi i seancës Besnik Bare fjalën “Betohem”! Më pas Bare ka lexuar një nga një sipas alfabetit emrat e deputetëve për praninë e tyre.

Please follow and like us: