Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Ambicia jonë është që Kuvendit t’i kthehet dinjiteti

“Të hënë paraqesim kabinetin dhe programin qeverisës. Falënderoj Presidentin e Republikës që ka reaguar duke bërë të lehtë nga ana procedurale rrugën drejt së hënës”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama në përfundim të seancës parlamentar për konstituimin e Kuvendit dhe betimit të 140 deputetëve të rinj.

Në një prononcim për gazetarët , Rama  ka deklaruar gjithashtu se “do të mundohemi të reagojmë ndaj ç’ka do të jetë racionale dhe në përputhje me programin tonë dhe shpresojmë që opozita të jetë në këtë sallë, një sfidë e vërtetë për ne dhe jo boshkllëk programi”.

Pas seancës ku Gramoz Ruçi u zgjodh kryetar i Kuvendit me 80 vota pro,  Rama deklaroi se këtij institucioni do i rikthehet dinjiteti. ”Ambicia jonë është që Kuvendit t’i kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur 4 vjet nga një gjendje kaosi permanente dhe shkelje të rregullores së miratuar me konsensus. E rëndësishme është që në Kuvend ne të sjellim një frymë të re brenda logjikës normale të funksioneve të kundërta, sepse në fund fare jemi këtu për t’u ballafaquar dhe ndeshur për programe dhe vizione të kundërta dhe në fund fare është e rëndësishme është që t’u japim shqiptarëve një shembull pozitiv për ta dhe t’u kursejmë një shfaqje të përjavshme banaliteti”, deklaroi Rama.

E ndërsa nga PD pati rrjedhje votash, Rama u shpreh se LSI nuk mori pjesë në votimin për Ruçin, pasi i trembej një fakti të tillë.

“Mirëkuptoj qëndrimin e aleatit deri dje në bashkëqeverisje, pasi nuk kanë dashur që të përballen me një rrjedhje votash, por nuk ka rëndësi sa vota më shumë dhe sa më pak, por ne të kryejmë atë që për njerëzit na kanë sjellë”,  deklaroi Rama.

Rama shtoi se “detyra jonë është të udhëheqim dhe të punojmë për të adresuar kaq shumë gjëra sa shqiptarët duan. Detyra e opozitës është që të kritikojë, të na godasë por edhe të japë alternativë. Ne jemi këtu për të bërë detyrën tonë”.

Rama u pyet nëse do të vazhdonte të bashkëpunonte me opozita, duke deklaruar se pret të shohë nëse marrëveshja e 18 majit është gjallë apo ka vdekur.

“ Në radhë të parë më duhet të shoh nëse marrëveshja është gjallë apo ka vdekur. Dhe me thënë të drejtën sot qëndrimi i PD ka qenë korrekt, institucional dhe do të thosha është një shenjë pozitive. Si do të vazhdojë mbetet për t’u parë pa pasur iluzionin se do të ketë paqe politike në filizin e brishtë të ullirit të paqes që kemi vendosur më 18 maj, por duke shpresuar që atë filiz ta ushqejmë në funksion të Shqipërisë dhe shqiptarëve për ato aspekte që kanë të bëjnë me interesat e përbashkëta të tyre. Nëse PD do të jetë e ashpër kjo nuk do të thotë se marrëveshja ka vdekur, por nëse do të shkelen principet e asaj marrëveshje, kjo është diçka tjetër. Unë nuk jam as optimist dhe as pesimist. Kam kuriozitet të shoh se si do të sillet opozita e dalë me një rezultat negativ”, deklaroi Rama.

Please follow and like us: