Albspirit

Media/News/Publishing

Ruçi: Do të jem garant i zbatimit të Kushtetutës, bashkëpunim edhe me opozitën

Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë, për katër vitet e ardhshme, Gramoz Ruçi pas zgjedhjes së tij në krye të parlamentit, ka mbajtur një fjalim para deputetëve. Ruçi falënderoi deputetët për besimin dhe deklaroi se do të jetë garant i zbatimit të Kushtetutës. Ai kërkoi bashkëpunimin me opozitën për zhvillimin e vendit por edhe për bashkëqeverisje. “Mirënjohje të thellë për besimin që më dhatë duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit. Do të jem garant i zbatimit të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i zbatimit të rregullores së Kuvendit dhe kurdoherë në shërbim të qytetarëve. Për qytetarët Kushtetuta është themel i të drejtave kurse për ne ligjvënësit është themeli i detyrimeve në shërbim të të gjithë qytetarëve, në mbështetje të opozitës.Jam i vetëdijshëm se drejtimi i legjislativit është detyrë supreme sepse Kuvendi është i vetmi institucion pluralist”, tha Ruçi. Vullneti i popullit, vijoi ai, ja delegoi qeverisjen një partie të vetme, përgjegjësia jonë do ua kthejë këtë pushtet qytetarëve nëpërmjet ligjeve e reformave që do të hartojë ky parlament. Ky kuvend është rezultat i vendimit qytetar por nisur nga bindjet dhe morali im politik do t’i bëja thirrje shumicës se fitorja nuk është gjithçka, theksoi ai. “Misioni ynë ka qenë dhe është t’u shërbejmë pa përjashtim qytetarëve. Nga ana tjetër u bëj thirrje opozitareve që t’i bashkohen këtij tempulli. Opozita nuk i shërben shumicës dhe qeverisë, por qytetarëve. Ata presin nga të dyja opozitat që të kontrollojë qeverinë”, deklaroi ai duke nënvizuar se “ne do të hartojmë ligje të drejta, të mbështetura në moral të drejtë. Fryma e ligjeve do të garantojë bashkëqeverisjen”. Ne vijim të fjalës së tij, Ruçi theksoi se, ne do të garantojmë bashkëqeverisjen funksionale dhe të përgjegjshme me qytetarët si kontratë e ligjshme dhe e kontrolluar prej tyre. Bashkëqeverisja me qytetarët udhëhiqet nga parimi i madh i demokracisë që askush nuk mund të qeveris pa patur bashkëpunimin e tij. Kreu i Kuvendit vuri ne dukje se deputetët duhet të bëhen zëdhënës të njerëzve të thjeshtë. ” Zëri dhe verdikti i qytetarëve. Do t’i sjellim qeverisë legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore ndjeshmëritë e publikut. Me qytetarët nuk dështojmë kurrë. Pa ta nuk fitojmë as ne dhe as Shqipëria. Unë ju ftoj, vijoi me tej ai, t’i bashkohemi ftesës sime që kur të hyjmë në këtë tempull të lëmë jashtë derës partitë që përfaqësojmë. Në këtë sallë për të gjithë ne, e vetmja parti duhet të jetë Shqipëria”, tha ai. Duke u ndalur ne reformat e qeverise, Ruçi theksoi se, “Ky Parlament do të nxisë dhe mbështetë thellimin e reformave të mëdha. Ne do të shpien deri në fund, reformën në drejtësi dhe procesin e Vettingut për të mos lejuar që interesi publik, qytetar, ekonomia dhe mirëqenia e këtij vendi të vazhdojë të përkeqësohet, të tallet apo sfidohet nga një grusht politikanësh, zyrtarësh, prokurorësh dhe gjyqtarësh të korruptuar”. I propozuar nga Partia Socialiste, Ruçi ka marrë plot 80 vota nga 74 vota që ka Partia Socialiste në Parlament. 40 deputetët kanë votuar kundër dhe një abstenim. Deputetët e LSI-së nuk morën pjesë në votim. Pas fjalës së rastit, Ruçi bëri me dije se me datën 11 shtator, do të jetë seanca plenare e radhës.

Please follow and like us: