Albspirit

Media/News/Publishing

Andi Përmeti: Tepsia mbi idealin dhe shpirtin demokrat

 

 

 

Dje u konsumua akti politik i votimit të kryetarit të ri të parlamentit shqiptar. Prej kohësh po përflitej për një reagim të fortë të opozitës jo vetëm për të refuzuar dhe mos votuar Gramoz Ruçin për kryetar parlamenti, por për të bllokuar gjithë parlamentin me protesta, për të mos lejuar zgjedhjen e tij si kryetar parlamenti. Të gjitha këto akte mbështeteshin tek e shkuara e tij si Ministër i Brendshëm i qeverisë së fundit komuniste dhe personalisht i përfshirë politikisht në vrasjet e 2 prill 1991.

A mund të kishte një nisje më të mirë për opozitën kur vetë maxhoranca po i jepte një kauzë, madje një kauzë shumë të fortë për të nisur protesta dhe kundërshtimin politik publik ndaj maxhorancës. Por dje ndodhi çudia. Çudia për çdo opozitar dhe normalja për pak njerëz, të cilët kanë dijeni reale mbi marrëveshjen e errët të 17 majit. Partia Demokratike jo vetëm që nuk protestoi, jo vetëm që nuk reagoi me bllokim të seancës parlamentare, jo vetëm që nuk zgjodhi bojkotin, por zgjodhi të pabesueshmen: t’i kalonte tre vota të zgjedhurish demokratë në favor të zgjedhjes së Gramoz Ruçit kryetar parlamenti.

Një turp, një goditje mbas shpine për çdo demokrat që pavarësisht gjithçkaje besoi te Partia Demokratike më 25 qershor. Sot përfundimisht u nda ideali i ndërtuar mbi dëshirën për të bërë diçka më të mirë për këtë vend, nga pazari për të qenë publikisht ose fshehtazi pjesë e tepsisë. Dje tepsia mundi shpirtin dhe idealin demokrat.

Si në çdo detyrë të tij, Lulezim Basha edhe sot nuk i zhgënjeu kundërshtarët, e nisi parlamentarizmin e tij si kryetar i demokratëve duke votuar për xhelatin e komunizmit. Tre përfaqësues të demokratëve votuan pro Gramoz Ruçit për kryetar parlamenti. Dy janë rrugët e vetme që mund të kenë çuar në këtë akt politik:

E para: Lulëzim Bashës, personit që pretendon publikisht që i kanë blerë dhe vjedhur zgjedhjet e 2015 dhe më pas të 2017, dje iu blenë tre deputetë të listës së tij personale, listë që aq shumë e propagandoi si zgjedhje të tijën pa pyetur kërkënd, listës që humbi turpshëm zgjedhjet  parlamentare të 2017. Kjo mënyrë do të ishte e turpshme për Bashën, e turpshme që personat pa asnjë lidhje me demokratët dhe Partinë Demokratike, ata persona për të cilët Basha humbi zgjedhjet dhe përçau Partinë Demokratike t’ia tregonin publikisht që seancën e parë parlamentare që s’kanë asnjë lidhje me shpirtin demokrat, që janë të gatshëm të shiten që ditën e parë për një pjesë tepsie dhe që Basha nuk është i aftë të mbrojë votat e 43 personave të zgjedhur personalisht prej tij e jo më të të gjithë demokratëve në të gjithë Shqipërinë.

Kjo do ishte një mundësi reale, por pak e besueshme duke qenë se Edi Rama i kishte votat për të zgjedhur kryetarin e parlamentit dhe nuk kishte asnjë interes për të ndërmarrë aventura, për tre vota që nuk i bënin asnjë diferencë në rezultat.

E dyta: Lulëzim Basha duhet t’i tregonte Edi Ramës publikisht që i qëndronte marrëveshjes së 17 majit. Frika e Lulëzim Bashës që Edi Rama mbasi e dërmoi jashtë çdo pritshmërie në zgjedhjet e 2017 nuk do ia kishte më nevojën atij dhe marrëveshjes së 17 maj e detyroi kryetarin e PD t’i japë sinjalet që njerëzit e listës Basha nuk kanë asnjë ideal dhe skrupuj për të mos votuar çdo kriminel komunist apo jo vetëm dhe kjo vetëm për të mbajtur tepsinë e 17 majit. Ramës dje nuk i nevojiteshin votat por fakti që LSI zgjodhi të bojkotonte seancën parlamentare, ndërsa Basha zgjodhi të ishte prezent në votim tregon prapaskenën dhe parapërgatitjen me tendencë të mesazhit që Basha donte të përcillte.

Mesazhi ishte i thjeshtë: Sot nuk të duhen, por sa herë do të të duhen i ke këtu, brenda Partisë Demokratike.

Personalish besoj se rruga e dytë është rruga se si dje tre përfaqësues të Partisë Demokratike votuan pro Gramoz Ruçit për kryetar parlamenti, por pavarësisht në ishte rruga e parë apo rruga e dytë dje ideali dhe shpirti demokratik i Partisë Demokratike vdiq. Që dje është thjesht çështje tepsie.

Please follow and like us: