Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Në përkujtim të Nënë Terezës…

Të martën ishte 20 vjetori i vdekjes së Nënë Terezës. Kaloi thuajse në heshtje. Jo se kjo javë ka patur lajme të shumta e tronditëse, që mund ta eklipsonin. Thjesht nuk na ra ndër mend.

Gjithsesi ky është mëkati më i vogël që bëjmë ndaj kujtimit të saj.

Mëkat është që këtë kujtim e reduktojmë në mburrje se është shqiptare. Ajo e kaloi jetën në modesti e përvuajturi, punoi kokëulur për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Ne llomotisim mburrje provincialësh.

Humanizmi, dashuria për tjetrin janë vlerat e mëdha që la pas. Ne rrahim gjoksin se është nga anët tona, pastaj vazhdojmë përditshmërinë mbushur me kotësi, cmirë, xhelozi, zënka, konflikte e, jo rrallë edhe gjak.

Tjetër mëkat: Trashëgimia që la pas Nënë Tereza është thellësisht shpirtërore. Kurse ne përpiqemi ta përjetësojmë kryesisht në objekte materiale si shtatore, logo, koncerte etj.

Do të duhej që ligjërimin për të ta fokusonim në rritjen e ndjeshmërisë ndaj të varfërve, ndaj njerëzve në nevojë. Dhe sidomos në vitalizimin e kulturës së bamirësisë, që e kemi aq të mangët.

Mburrjet tona ‘Nënë Tereza – gjak shqiptari’ i duken përralla me mbret kujtdo që mëson se në Shqipëri rastis që vritet tjetri për një gardh, se dhunohen gratë e fëmijët, se një pjesë e mirë e mbështetjes për të varfërit përdoret për qëllime elektorale e zullume të tjera që s’i ngre kandari i moralit.

( Nga cikli ‘Djerrinat e shpirtit’ )

Please follow and like us: