Albspirit

Media/News/Publishing

Kokëqethura, nën tehun e gijotinës

Luan Rama

Kokëqethura. Viti 1944-1945.

Kjo ndodhi në Francë. Kohë më parë kjo kishte ndodhur dhe në Spanjë, në Gjermani, nëpër botë… Lufta sapo kishte mbaruar dhe koka grash qetheshin përmes forcës. Kokëqethurat shtyheshin si bagëtitë dhe zvarriteshin në sheshet publike, nën thirrjet histerike të turmës të dehur nga urrejtja dhe fitorja. Ishin trofetë e fitores, poshtërimit, tjetërsimit, ato që shkuan me pushtuesin… Ato !

Të dashurosh armikun në kohë lufte ndëshkohesh rëndë. Heroina e “Hiroshima mon amour” e Marguerite Duras dashuroi një ushtar gjerman në fundin e luftës dhe kokëqethur u mbajt në një bodrum, në botën e errësirës. Pauline Dubisson, një tjetër vajzë, dhe mijra të tjera si ajo, përjetuan tragjedinë e kohëve moderne.

20 mijë koka të qethura brenda disa ditësh. Flokët dalin sërish por shpirtrat e vrarë do të jetojnë letargjinë e pafund të poshtërimit. Përse vetëm gratë qethen, poshtërohen, përdhunohen?! …

Kokëqethura, nën tehun e gijotinës —

Zgjidh i thanë: përdhunimin ose jetën, por me rrobat e shqyera dhe lakuriqësinë e trupit ajo jetonte në një botë tjetër, ç’po ndodh kështu Zoti im? Vallë i kanë harruar motrat e tyre?…

Ishte dita e kalvarit, paslufta, një orë, dy, pesë, turma shfrynte mbi trupin e saj si një buldozer i hekurt që i thyente kockat kofshët, gjoksin, vaginën dhe gojën me erën e gjakut dhe spermës mbi plagët mavi.

Më së fundi ajo ofshau, i kishte klithur qiellit që ra përmbys, tokës që u hap greminë, botës në zinë e madhe, ulëriu si të ishte dhe ajo një bishë, një Ceber në rrathët e ferrit, një bishë më shumë se bisha. Egërsira u zgjua dhe ata ikën me vrap si ti ndiqte demoni, pastaj ra heshtje, vetëm dihaste, pikonin plagët blu gjysmë-gjallë, gjysmë-vdekur, qante në heshtje nën dritën e një hëne të vrarë, qante mbi tetëmbëdhjetë vjetët e saj, dhe lulet fillikate që ranë qante mbi qumështin dhe frymën.

Ishte fill pas lufte, 1944-1945, kur mijra vajza e gra i qethnin në sheshet e harbuara të urrejtjes pse kishin shkuar me pushtuesin, në skenat publike mijra koka tullace parakalonin i tërhiqnin zvarrë nën brohorima duke përdhunuar kështu trofetë e një lufte trofetë e fitores, pa ditur se përdhunonin zemra dhe thyenin mijra jetë, një luftë mbaronte dhe një tjetër fillonte mbi tokat e shkretuara, mbi hirin dhe lulet që digjnin duke pritur erën e ngrohtë dhe shiun e një dashurie të re…

Please follow and like us: