Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Ruçi dhe gam gamet e fasadës së re

 

 

Si dikur, dikush i udhëhequr nga komiteti i partisë, i zgjedhur për veprimtari të shquar dhe pacipësi, vendosi një fletë-rrufe, tek muri, osé më mirë ke stenda që mbyllej pastaj me dry, e duhej të shkoje tek këshilli i lagjes, që një pensionist me shokët e tij, që s’kish ç’të bënin dhe ruanin ngjarje të tilla, që t’i tregonin si ndodhi të e dikurshme në luftën e përpjekjeve të mëdha me pushtuesin, të vinin të hapnin stendën me zhurmë për të mjerin që pas shumë netësh pa gjumë, mezi që mundur të përgjigjej. Pastaj do ishin ata që me vështrim të vëngër e fjalë ndër dhëmbë do fillonin thashethemnajën e një kobi të zi të paracaktuar që si ndëshkim Zeuesi mbante fjalën rrufe, gjykimin e paracaktuar që mezi priste të bëhej moral shoqëror.

 

Kohët çuditërisht ndryshuan fasadat, mjeti më i mirë për të mos ndryshuar thelbin, e Shallvaret e gjora edhe pse iu lyen buzët me të kuqe, nga pas prapanica mbetën të rrena e të rrjepura nga lagështia siç i kishin qysh përpara njëzet e ca vjetësh. Thelbi i atij standarti proletar të kudogjendshëm ka ngelur i pa ndryshuar qysh ku u ndërtuan të mjerat, qysh në kohët e rusëve, siç mbeti i njëjti mentalitet i mjerë tek ata q’u ngujuan n’ato mure. Ndryshoi ngjyrë herë pas here në histori, e në kohën e kinezëve mori ca ngjyra të verdha e ca citate të shkruara, u vunë nëpër mure ca fletë-rrufe, e pastaj ranë të lagura me shiun e vjeshtës që erdhi pas. Dënimi moral e me opinion si metodë e luftrave klasoro-intrigante vazhdoi të ishte pjesë e helmit shoqëror, që paraprinte ose i shkonte pas deri në varr, të mjerit të dënuar, e bashkë me të po i njëjti opinion si njollë u ngjitej pjesëtarve të familjes deri në më shumë se tre breza. Sot e njëjta gjë, hidhet rrufeja nga kryeministri apo nga kryetari i opozitës, fillon një gam gam qenjsh, që të thuash aty ujkësia u kthye përsëri në tërë këta politiqenër, sa të mendosh që hëna e plotë kurrë s’hëngri veten e as u mbars.

 

Përse duhej Ruçi dhe Xhafa, të ishin njeri kryetar kuvendi e tjetri ministër. Si emra dhe individë janë të rëndësishëm aq sa dhe fare të parëndësishëm. Kush ka rëndësi në këtë rast është mënyra dhe vrimat në shoshën e Vetingut apo të politikës shqipetare, sui generis, që bënë të mundur, që ata pikërisht ata, të zgjidheshin të ishin aty, jo për meritat e mençuritë, arritjet e tjerë e tjerë, por për ato besnikëri partiake si të shkretat bukuroshe ndaj Lanës, Shallvaret, brekëgrisurat ato. Emërime në emër të Vetingut, figurave të pastërta, kur i gjithë parlamenti në vëtvete është shallvaro-partiak, si nga e majta që lyen dhe e djathta që u heq bojën, janë jo vetëm tërësisht partiake, në mos pashallëqe individësh kariere, por dhe të prejardhura nga Katovica, apo i njëjti katua.

 

Kush i propozoi për deputetë dhe kush i la të bëheshin deputetë, këtë e di partia.

Kush i propozoi për ministra dhe kush i la të bëheshin ministra, këtë e di partia.

 

Nëse të dy këta individë nuk janë të denjë për arsyet që ngre opozita, pse nuk ka një padi apo të paktën një hap ligjor që të mundohet të vërtetojë fajësinë e tyre. Tortura ishte e ndaluar me ligj dhe në kohën e diktaturës dhe nëse i bukuri hetues ka rrahur të pandehur, pse nuk është hedhur në gjyq? Si xhanëm nuk u dënua një për krime të tilla, ka shumë që kanë firmosur e kryer vrasje të paligjshme dhe për kohën e diktaturës, ç’presin të persekutuarit kur ende janë gjalle? Ah po dosjet, ato presin? Elefanti është ulur në dhomë ne bëjmë sikur s’e shohim. Ka dhe të tjerë si ata të Gërdecit, 21 Janarit siç ka komandantë kampesh përqëndrimi që kanë shfatosur njerëz dhe ca ende lingërinë nëpër rreshtat e parlamentit dhe rrahin gjoksin se do bëjnë Vetingun. Vetingu s’bëhet për të lyer një fasadë për sytë e BE DHE USA, por për të mirën e vendit. As nuk mund të pastrohen apo të hiqen ministra apo deputetë me fletë-rrufera në mas-media, që sikush t’i lexoje në iPhone e të komentoje për të kaluar kohën. ATA QË S’DUHET TË JENË NË PARLAMENT, S’DUHET AS TË HYNË NË PARLAMENT, SE PASTAJ FSHIHEN MBAS LIGJIT E S’HIQEN DOT MË.

 

PUSHONI SË BERI GAM GAM DHE NDRYSHONI LIGJIN E ZGJEDHJEVE.

LIGJI I SOTËM ËSHTË I DALË KOHE DHE LEJON TË HYNË ATA QË S’DUHET TË HYNË.

Në mos do të jetë vonë dhe në zgjedhjet e ardhshme dhe në ato pas tyre. E prapë Ruçin apo Xhafën do ta keni në parlament a qeveri, apo në të dyja njëherësh.

 

VINI LIGJIN MBI GJITHÇKA. ATY FILLON E MBARON DEMOKRACIA e jo tek opinionet e rrugëve, apo ato të zyrave partiake.

 

Shallvaret si jevga të bukura ka kohë q’iu tregojnë të vërtetën e prapanicave të tyre, ndaj lërini fasadat e lyera si buzët e ndërtoni mençurisht të ardhmen tuaj.

Please follow and like us: