Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Myftaraj kallzon penalisht francezin dhe të dashurën e tij për shpalljen e Principatës së Libofshës

Kastriot Myftaraj kallzon penalisht në Prokurorinë e Fierit shtetasin francez Jarl Alexandre Alé de Basseville dhe të dashurën e tij shqiptare Egla Harxhi për shkak të deklarimit të tyre për shpalljen e Principatës së Libofshës. Më poshtë teksti i plotë i kallzimit penal, të cilin e zotëron ekskluzivisht CityNews.

KALLZIM PENAL

 

Kallzues:

Kastriot Myftaraj, i dtl. 1966, vendlindja Korçë, vendbanimi Tiranë

 

Të kallzuar:

1)Jarl Alexandre Alé de Basseville, i dtl. 8. 7. 1970, vendlindja Bordeaux (Bordo), Francë, shtetësia: franceze.

2)Egla Harxhi, e bija e Ilirit dhe e Anilës, e dtl. 29.7. 1991, vendlindja Tiranë, shtetësia dhe kombësia: shqiptare.

 

OBJEKTI:

Fillimi i procedimit penal ndaj këtyre shtetasve për veprat penale të mëposhtme:

1)”Marrëveshje për dorëzim territori”, parashikuar nga neni 210 i Kodit Penal

2)”Provokimi i luftës”, parashikuar nga neni 211 i Kodit Penal

 

Baza Ligjore

Neni 283 i Kodit të Procedurës Penale

Nenet 210, 211 të Kodit Penal

 

Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier

 

I nderuar z. Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier!

Të nderuar zotërinj, Prokuror i linjës, Prokuror i çështjes dhe Oficer i policisë gjyqësore i çështjes

 

Në datën 8 shtator 2017, në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan ishte e pranishme shtetasja shqiptare Egla Harxhi e cila tha se personi me të cilin bashkëjeton, shtetasi francez Jarl Alexandre Alé de Basseville po punon për të shpallur një principatë sovrane dhe të pavarur në territorin e Republikës së Shqipërisë, në zonën e Libofshës, duke marrë sovranitetin mbi këtë territor. Nga mënyra si foli kjo shtetase u kuptua qartë se ajo është bashkëpunëtore e z. de Basseville. Ajo e mbrojti projektin duke bërë një krahasim me Principatën e Monakos në Francë si dhe duke spekuluar për të mirat që do të sjellë për banorët e zonës.

Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë, ashtu si në çdo shtet është një parim kushtetues i mbrojtur posaçërisht nga ligjet e prejardhura nga Kushtetuta, përkatësisht Kodi Penal. Elementët përbërës të sovranitetit kanë mbrojtje të posaçme në nenin 3 të Kushtetutës që i përcakton si bazat e shtetit.

Edhe veç me shpalljen e projektit të tyre këta dy shtetas kanë kryer veprat penale të përmendura më lart, të cilat ligjvenësi i ka artikuluar juridikisht në atë mënyre që për to nuk kërkohet ardhja e pasojës kriminale që të quhen të kryera.

  1. Jarl Alexandre Alé de Basseville me dinakëri e ka lënë bashkëjetuesen e vet që të shpallë projektin e tij, në mënyrë që të shohë se si do të reagojë shteti shqiptar.

Nga ato që u thanë në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, në 8 shtator 2017, lind dyshimi i arsyeshëm se ka një marrëveshje për dorëzim të territorit të Shqipërisë te fuqi të huaja, me qëllim cënimin e pavarësisë dhe integritetit të shtetit shqiptar. Këtu dua të bëj saktësimin juridik se ligjvënësi ka parashikuar si subjekte te të cilët bëhet dorëzimi eventual i territorit jo veç shtete, por edhe fuqi të huaja. Me fjalën “fuqi” kuptohen në këtë rast subjekte joshtetërore.

Këtu nuk e kam fjalën për shtetet anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB, siç tha Egla Harxhi në emision, por për shtete dhe fuqi të tjera, që do të dalin nga hetimi.

I tërheqë vëmendjen Prokurorisë së Shtetit Shqiptar, se zona e përzgjedhur për këtë projekt është teper delikate. Atje në vitin 1924 është vendosur një bashkësi refugjatësh nga Sanxhaku i Serbisë që kërkuarn strehim në Shqipëri për shkak të përndjekjes nga autoritetet e kohës të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (e njohur më pas si Jugosllavi). Në atë kohë këta njerëz që në fakt ishin boshnjakë muslimanë, u deklaruan si shqiptarë për të siguruar strehim në vendin tonë. Por pas vitit 1990 këta njerëz janë deklaruar si serbë në censusin (regjistrimin) e fundit të popullsisë në Shqipëri, duke keqpërdorur mikpritjen shqiptare.

Shpallja e një prinicipate sovrane dhe të pavarur në një territor ku banon një bashkësi e konsiderueshme serbe, ka ndërlikime ndërkombëtare që shkojnë shumë përtej një “shakaje” të një tipi ekcentrik në dukje.

Unë kam qenë i pranishëm në emisionin “Zonë e Lirë” në 12 dhjetor 2016 së bashku me z. de Basseville dhe zonjën Harxhi (në këtë rast nuk e shpallën këtë projekt) dhe gjatë kohës që ishim në dhomën e grimit, kam pararë me sytë e mij se ai mbante një medalion me simbolin kombëtar serb, Kryqin e Shën Savës (kryqin me katër “C”), të cilin e fshehu në emision. Sigurisht është e drejta e tij të mbajë simbolet që dëshiron, por kur vjen në Shqipëri me një projekt të tillë, kjo simbolikë fiton një kuptim tjetër.

Nëse shpallet një principatë sovrane dhe e pavarur në një pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, ku jeton një bashkësi minoritare që ka lidhje me një shtet afër nesh (Serbia), atëherë duke pasur parasysh se shteti shqiptar do të jetë i detyruar që të reagojë detyrimisht pas faktit të kryer, kemi të bëjmë me një akt që synon të provokojë luftë duke e vënë Republikën e Shqipërisë para rrezikut të ndërhyrjes së fuqive të huaja. Sepse Serbia do ta quajë këtë një dhunë ndaj bashkëkombasve të saj. Krahasimi me Monakon është krejt pa vend pasi Monako nuk është një shtet i krijuar në kohën kur mbi atë territor ekzistonin ligjet në fuqi që mbronin sovranitetin dhe integritetin e Francës. Në rastin e Principatës së Libofshës bëhet fjalë për një shtet që krijohet në një territory ku ekzistojnë ligje në fuqi që mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit ekzistues, Republikës së Shqipërisë.

Do të ishte një papërgjegjshmëri e madhe nëse sa më sipër, pra provokimi i luftës për shkak të një akti të tillë, quhet një skenar fantastik, që nuk mund të ndodhë. Meqënëse ligjvënësi i ka parashikuar këto vepra penale, atëherë organet ligjzbatuese kanë detyrim të veprojnë kur verifikohen situata që kanë të bëjnë me to.

Pikësëpari, Prokuroria, si institucioni kushtetues i ngarkuar me hetimet dhe ndjekjen penale, ka detyrim që të kryejë hetime në linjën që kam thënë më lart.

Nëse nuk veprojnë autoritetet shtetërore ashtu si e kanë detyrim ligjor, atëherë të heshtin kur të ndërmerren veprimet e nevojshme ndaj këtyre dhunuesve të sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë.

 

Me respekt

Kastriot Myftaraj

Please follow and like us: