Albspirit

Media/News/Publishing

Brilant Gashi: Fali bijtë e tu, Atdhe!

Sikur t’a dinim, që do të bënim shumë të këqija jo vetëm ndaj familjes sonë por edhe ndaj atdheut, atëherë ne më mirë të mos kishim lindur fare por në momentin kur ne lindëm, nënat tona nuk e dinin se në të ardhmen do të bëheshim një barrë shumë e madhe për Shqipërinë tonë. Nënat tona nuk kanë faj, e vërteta është që në këtë punë nuk është faji i askujt.

Edhe unë nuk dua të bëhem një barrë për kombin tim, por vetëm dua t’a ndihmoj me mundësitë e mia. Mëmëdheu im më dha një shans shumë të mirë që t’i tregoj ngjyrat e mia të vërteta ndaj atdheut. Këtë e bëra nëpërmjet lapsit dhe letrës! Nuk e di nëse e kam ndihmuar sa duhet këtë copë toke të shkatërruar, por do të vazhdoj, që t’a ndihmoj me çdo kusht.

Në këtë bisedë të gjatë me ty, mendova me vete dhe vendosa të t’a parashtroj këtë pyetje, të cilës duhet t’i përgjigjesh: Nëse dikush nga bijtë e tu do të bënte tradhëti ndaj teje, më thuaj nënë, a do t’a falje?

Ishte duke menduar mëma Shqipëri rreth kësaj pyetjeje dhe më tha: Do të të tregoj herën tjetër për këtë pyetje. “Jo” – i thashë sepse doja, që ta dija përgjigjen e vërtet të saj. Dhe vazhdova bisedën me të duke i thënë “Më lër t’a dëgjoj përgjigjen për këtë pyetje të lutem”. Atdheu e pa me vëmendje këmbënguljen time dhe vendosi të përgjigjej.

Isha gati t’a dëgjoja përgjigjen e nënës Shqipëri dhe përgjigja e saj ishte kjo: “Këtë pyetje do t’a zbulosh vetëm duke parë të kaluarën time”. Në fillim nuk e dija se cila është domethënia e kësaj përgjigjeje dhe si përfundim ndalova dhe mendova. Shkova në dhomën time pranë flamurit kombëtar dhe Skënderbeut. “Më tregoni përgjigjen e vërtete” – ishin fjalët e mia ndaj këtyre simboleve dhe figurave kombëtare .

Fjalët e nënës Shqipëri mbetën në kujtesën time për shumë kohë dhe me kalimin e kohës, fillova të kuptoj se çfarë thoshte Atdheu im i dashur dhe heshtjen e simbolit kombëtar. Po pra, duhet të mësoj historinë time, historinë e një kombi që gjithmonë ka vuajtur. Erdhi koha t’a mësoja historinë e kombit dhe gjakut tim. Kjo është ajo që përpiqej të thoshte Nëna Shqipëri!

Gjatë gjithë viteve Shqipërisë i dolën foshnja të shëndosha të lindura në mesin e luftës. Nënat e tyre gjithë kohën me mendimin se këto foshnja do të jenë ardhmëria e një kombi të stërlashtë. Këto foshnja u bënë burra trima dhe filluan të luftonin për një tokë që quhej Shqipëri Natyrale.

Në ato luftëra të dendura ndaj armikut , dolën shejtanë të cilët do i’a prishnin shpirtin e mirë të këtyre trimave. Paraja e ndyrë bëri që të shfaqen ngjyrat e vërteta të këtyre trimave dhe kështu nga luftëtar të mirë dhe kurajoz u bënë tradhëtarët më të mallkuar të nënës Shqipëri. Në historinë tonë, mëshira jonë për tradhëtarët ishte zero. Nuk kemi pasur mëshirë për tradhëtarët dhe si përfundim i kemi vrarë.

Poshtërimi i figurave tona kombëtare, mbulimi i heroit tonë për aktivitete fetare dhe hudhja e simboleve kombëtare në tokë si lecka janë faktet kryesore se bijtë tanë mendojnë se janë duke bërë gjënë e duhur në emër të zotit por në të vërtet me ato veprime thjeshtë shfaqen si tradhëtarë.

Prandaj oj tokë mëmë – Fali bijtë e tu.

Please follow and like us: