Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Mehmeti: Qyteti i borës

 

Në këtë qytet të ftohtë dikur u takuam,

Qyteti i borës e quajtëm,tre mijë vjet më parë,

Në këtë qytet pe akulli të dy u dashuruam,

Dhe mbetëm tre mijë vjet të ndarë.

 

Dhe sa herë kthehesha nga rruga e gjatë,

Udhëtoja gjithnjë drejt qytetit tënd të ashpër,

Sikur doja të sillja atje një mesazh të bardhë,

Prej qytetit tim flokëkaltër.

 

Por ti s’jetoje më në këtë qytet,

Qindra kilometra prej tij e larguar,

Ndonëse shetisja mes njerëzish të lumtur, plot jetë,

Ndjeja vetminë,sa shumë i vetmuar!

 

Asgjë s’kish mbetur nga koha e lashtë,

As njerëzit, as stolat, as mulliri i harruar,

Veç akujt e ftohtë ndër sy më vareshin,

Të heshtur, si pirunj të rrëzuar.

 

– Hej, në qytetin tënd të borës kam ardhë,

Klitha, befas, me zërin tim të shuar,

– Shkriji këta akuj që më rrinë si ushtarët kroatë,

Këtë qytet të borës lermë ta dua..

 

Korçë, Janar 2017

Please follow and like us: