Intervista: Sara Gurabardhi

Fotografi: Fani Aliko

Jemi mësuar ta shohim më shpesh në rolin e intervistueses, e më rrallë në karrigen e të intervistuarit. Aktive në ekran dhe në skenën e teatrit, Jonida Vokshi ka zbuluar jo pak në intervistën ekskluzive për bordo.al! Duke qenë se konsiderohet një nga vajzat më të bukura të televizionit, Jonida rrëfen opinionin e saj mbi raportin e estetikës dhe publikut. Nga ana tjetër, është ndoshta nga ato të pakta figura, që gjithmonë paraqitet sa më origjinale që mundet në sytë e audiencës. Pse kjo zgjedhje? Po marrëdhëniet me produktet estetike dhe regjimin ushqimor, sa të rëndësishme i ka Jonida? Këto dhe shumë të tjera do të mund t’i ndiqni në intervistën e mëposhtme, ashtu sikurse ju ftojmë të klikoni në galeri për të parë setin fotografik të Vokshit, ekskluzivisht për bordo.al!

Prej disa vitesh tashmë, të shohim në ekran në rolin e moderatores të emisionit ‘Thurje’. Si po ndikon kjo eksperiencë në formimin tënd si figurë televizive? 

Sigurisht që eksperienca ndër vite më ka rritur dhe dhënë një siguri dhe komoditet më të madh para kamerave të “Thurje”. Gjë që besoj i bashkangjitet figurës sime me kalimin e viteve, duke e kompletuar, por sigurisht që pavarësisht viteve e konsideroj ende veten me shumë eksperience e rrugë përpara për të arritur ku duhet, ku unë dua dhe ku publiku që më ndjek meriton.

Cili nga episodet e emisionit të ka lënë mbresë më së shumti dhe pse?       

Ka qenë episodi kur kemi diskutuar rreth ndodhisë së ndeshjes Serbi-Shqipëri dhe këngës “Kuq e zi je ti”, projekt ky i bërë me aq ndjenjë e përkushtim nga Digitalb, e sigurisht nuk mund të mohojmë që ai moment historik shoqëruar me këngën që u kthye në himn, vazhdojnë të mbeten emocionuese.

A po të pengon angazhimi në televizion në përkushtimin ndaj teatrit?                

Padiskutim që si angazhimi im në Digitalb sikurse projektet e tjera kërkojnë angazhim maksimal, por fatmirëshish një shfaqje teatri apo një projekt filmi zgjat për një periudhe të caktuar, gjatë së cilës dhe unë i jap forca 100% nga vetja që të perkushtohem njësoj.

Teatër apo kinematografi, cilin prej këtyre dy arteve do ta quaje pa frikë ‘shtëpinë tënde’?  

Nuk mund t’i ndaj. Për teatër kam studiuar dhe e kam dashuruar që fëmijë.Por edhe filmin njësoj. Janë dy zhanre tek të cilat do e ndjej veten përherë komode, pasi bëj atë që dua dhe kam investuar.

Sa i rëndësishëm është paraqitja fizike në botën televizive? Po në art?       

Ajo çka unë mendoj që është vërtetë e rëndësishme është fakti që paraqitja fizike (pavarësisht nëse të ka falur Zoti më shumë apo më pak bukuri) në televizion dhe art në përgjithësi, është një lloj detyrimi ndaj publikut që të ndjek e të pëlqen. Në sensin që një figurë televizive apo nje artist duhet te jete e/i kuruar, pavarëshit stilit apo formatit me të cilin prezantohet. Pasi çdo figurë televizive apo artistike është shembull për dikë.

Kemi parë që nuk eksperimenton shumë me pamjen e jashtme. Cila është arsyeja që të ka mbajtur larg lyerjes së flokëve?

Nuk kam eksperimentuar shumë se kam qenë dhe jam pro një lloj look-u lidhur ngushtë me identitetin dhe karaktetin, dhe përderisa unë jam në rregull me këtë lloj kimie mes look-ut dhe natyrës time, përse të ndryshoj! Ndërsa flokët t’ju them të drejtën nuk i kam lyer pasi më kap tmerri vetëm kur mendoj të njejtin proçes muaj për muaj, e dalja e rrënjëve e këto gjera (qesh), është diçka e re për mua për të cilen nuk jam gati.

Para disa vitesh, more vendimin për një ndryshim ekstrem, duke i prerë flokët në një version shumë të shkurtër. U pendove më vonë apo e shijove një paraqitje të tillë?               

Gjithmonë më kanë pëlqyer flokët e shkurtra, por nuk kishte ardhur ende momenti, edhe për shkak të projekteve herë pas here që duhej look apo personazh me flokë te gjata. Deri para katër vitesh, kur erdhi koha t’ia plotësoja këtë dëshirë vetes. Me flokë te shkrurtra mund të më shihni prapë! Më pëlqejnë shumë dhe ndihem shumë komode me to.

Si përkujdesesh për flokët e tua?   
Fati im i mirë është që i kam të palyera dhe kjo ma lehtëson shumë punën. Nuk më duhet ndonjë përkujdesje e veçantë. Më mjafton një shampo e përshtatshme dhe një ‘conditioner’ dhe jam mëse në rregull.

Firma kozmetike e parapëlqyer e Jonidës…?   

Varet nga produktet. Produkte të ndryshme i zgjedh nga linja apo firma të ndryshme. Nuk kam nje fiks për çdo gjë kozmetike që përdor.

Kremi i preferuar i lëkurës?

Çfarëdo lloj kremi që është për bebe. Nuk i ndaj!

I qendron besnike një parfumi të caktuar apo të pëlqen të eksperimentosh me fragranca të ndryshme herë pas here?  

Parfumet janë dobësia ime. Më pëlqen t’i koleksionoj dhe të eksperimentoj. Sigurisht që kam të preferuar që dhe i rikthehem herë pas here, por janë disa. E rëndësishme për mua tek parfumet që zgjedh është të ketë një aromë që kur e nuhas, nuk e kam menduar që mund të ekzistojë një e tillë. Te çuditshme, më shumë se të mira apo të ëmbla.

Cili është produkti ushqimor që nuk mungon kurrë në dietën tënde?   

Pyetja më e vështirë! (qesh) Me dietën i kemi marrëdheniet shumë të këqija. Nuk i preferoj dhe nuk i mendoj as të shëndeteshme, kështu që mundohem të ushqehem shëndetshëm sipas mënyrës e shijes time, pa kufizime, se ushqimin e dua shume. Eh do thoni ju,kush nuk e do! (qesh)

Je pro apo kundër ndërhyrjeve kirurgjikale? 

Tek vetja nuk do t’i preferoja dhe deri tani nuk e kam ndjerë nevojën e ndonjë ndryshimi në pamjen time. Por, nuk jam kundër për aq kohë sa i vihen në dispozicion të ndjerit mirë të njeriut, por gjithmonë duke qenë pro vetëm ndryshimeve estetike, e jo të ekzagjeruara dhe brenda karakterit, pa ndryshuar identitet. Për këtë të fundit jam totalisht kundër.

Çfarë nuk do të doje të ndryshonte kurrë në pamjen tende?      

Buzëqeshja, sepse është e lidhur ngushtë me shpirtin dhe do doja të kisha fatin të qeshja gjithmonë./revista Bordo/