Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Një sqarim i detyruar për “120 mijë bashkëpunëtorët e Sigurimit”

 

Mbrëmjen e djeshme në një emision televiziv, gazetari Sokol Balla pyeti kryetaren e Autoritetit “të dosjeve” në lidhje me shifrën e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe mori përgjigjen nga kjo e fundit se kanë qenë 120 mijë të tillë. Meqenëse kjo shifër është nxjerrë nga libri im “Historia e Sigurimit të Shtetit”, Tiranë 2012, por nuk është pjesë apo e dhënë e asnjë dokumenti shtetëror, nisur nga fakti se shumë po e citojnë edhe si të dhënë zyrtare, e quaj të nevojshme dhënien e një sqarimi për të interesuarit.
Nga të gjitha dokumentet e trashëguara të shtetit shqiptar nuk është e mundur të nxirret një shifër 100% e saktë në lidhje me numrin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit në vitet 1944-1991. Ka disa arsye që nuk do ta mundësojnë kurrë një fakt të tillë, ndër të cilat më kryesoret janë:
-Mungojnë tërësisht të dhënat për vitet 1944-1948.
-Mungojnë pjerësisht të dhënat e viteve 1989, 1990 dhe 1991.
-Ka gabime përllogaritje në të dhënat vjetore.
-Ka përfshirje në disa raste të agjenturës së policisë dhe përjashtim të dy drejtorive të tjera.
Për këtë arsye shifra e dhënë prej meje është nxjerrë mbi bazën e sondazhit duke shfrytëzuar të gjitha të dhënat e gjetura me burime të tjera me karakter njëmujor apo tremujor për periudhat për të cilat nuk trashëgohet informacion i plotë. Në libër unë kam sqaruar formulën e përllogaritjes dhe nxjerrjes së kësaj të dhëne që për mua i afrohet 90-95% shifrës së vërtetë.
Për të qenë korrekte kryetarja e Autoritetit kishte dy mundësi përgjigjeje: ose të thoshte që nuk e di një shifër të tillë, ose të thoshte 120 mijë sipas Kastriot Dervishit.

Please follow and like us: