Ka shënuar fillimi i sezonit të ri shkollor, 2017-2018. Fëmijët u vunë në qendër të vëmendjes nga media dhe jo vetëm, por mesa duket drejtoresha e Teatrit të Kukullave ka hedhur dritë në një tjetër aspekt. Qendra Kombëtare Kulturore për fëmijë, nën drejtimin e Monika Lubonjës dhe stafit të bashkëpunëtorëve të saj kanë nisur përgatitjen për 70-vjetorin e krijimit të këtij institucioni, historia e të cilit është më e pasur nga ç’e mendojmë.

“…Qendra Kombëtare e Kulturës për fëmijë, që dikur ka qenë Pallati i Pionerit, ka një histori aq të gjatë dhe të rëndësishme për fillesat e gjithë talenteve në vend, nga arti tek sporti, nga muzika tek piktura, nga skena e aktrimit tek fushat sportive!”, ka theksuar Lubonja nëpërmjet një statusi të gjatë në Facebook, shoqëruar me foto gjatë çasteve në punë e sipër. Këtë herë, drejtoresha e Teatrit të Kukullave shpjegon se themeluesit e Pallatit të Pionerit, krijuesit, pedagogët, aktorët, regjisorët e sportistët do të sillen në qendër të vëmendjes, por kjo nuk është e gjitha.

Për të gjithë ata të cilët e kanë prekur nga afër eksperiencën e të qenurit pjesëmarrës në një institucion të tillë, tashmë kanë mundësinë të ndajnë foto apo kujtime nga momentet performuese, dhe jo vetëm. Nga ana tjetër, Lubonja zbulon se finalizimi i kësaj pune kolosale do të vijë si rezultat i takimit sëbashku të të gjithë emrave që kanë bërë historinë e këtij institucioni të rëndësishëm vendas. “Forma se si…?! Kemi kohë për t’ua thënë! Tani na duhet të mbledhim çdo gjë: emra, foto, kujtime…”, përfundon Lubonja, duke bërë ftesë për të hapur arkivat personale, në mënyrë që të mblidhen sa më shumë materiale, për festimin e një 70-vjetori unik.