Albspirit

Media/News/Publishing

Festa Kombëtare e Mbretërisë së Arabisë Saudite – Al Temyat: Forcim të bashkëpunimit me Shqipërinë në të gjitha fushat

Mbretëria e Arabisë Saudite përkujton çdo vit me 23 shtator, shpalljen e themelimit të shtetit në vitin 1932 në territoret që njihet dhe sot. Me rastin e Ditës Kombëtare, u zhvillua mbrëmjen e të enjtes në Tiranë një pritje e veçantë nga Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite. Në ceremoninë e organizuar në hotel Sheraton ishin të pranishëm një sërë personalitetesh të jetës politike, publike dhe ekonomike të vendit, sikurse edhe shumë diplomatë të akredituar në Shqipëri. I ngarkuari me punë i ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, Fayez Al Temyat vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat tha ai bazohen mbi miqësinë dhe respektin reciprok. “Marrëdhëniet saudito -shqiptare, që në fillimet e tyre bazohen në miqësinë, respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin reciprok. Përgjatë punës dhe kontakteve të mia me zyrtarët shqiptarë, kam pikasur vullnetin dhe seriozitetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Këtë vit janë kryer disa vizita në të cilat është diskutuar firmosja e disa marrëveshjeve në fushën e tregtisë, ekonomisë, kulturës, turizmit dhe rinisë. Ne vazhdojmë të punojmë me miqtë tanë shqiptarë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona mike, në të gjitha fushat”, deklaroi z. Al Temyat.

“Mbretëria e Arabisë Saudite ka një rol kyç dhe të rëndësishëm në nivel rajonal dhe ndërkombëtar në kuadrin e luftës kundër terrorizmit dhe ideologjisë ekstremiste, në të gjithë format e shfaqjes së saj, paralelisht me përpjekjet për thellimin e kulturës së dialogut ndërfetar. Në këtë kuadër u ngrit dhe qendra ndërkombëtare e mbretit Abdullah bin Abdul Aziz, për dialog ndërfetar dhe ndërkulturor, e cila synon të forcojë gjuhën e dialogut, tolerancës dhe hapjes ndaj tjetrit, pranimit të tij dhe mosndërhyrjes në çështjet e tij të brendshme”, deklaroi para të ftuarve të shumtë, Al Temyat.

Si vazhdimësi e kësaj linje, tha ai, në muajin maj 2017, Mbretëria e Arabisë Saudite organizoi një samit arabo- islamo- amerikan, në të cilin morën pjesë 55 krerë shtetesh arabe dhe islame me qëllim krijimin e një aleance të vendeve arabe dhe islame me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila do të kontribuojë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, si dhe nxitjen e tolerancës.

Please follow and like us: