Albspirit

Media/News/Publishing

Nue Ukaj: Shkapja nga fantazma osmane

Përgjatë këtij sundimi, ne kemi pësuar aksident historik, por e kemi ruajtë autoktoninë tonë. Pikërisht për këtë arsye, mendjendriturit ndër shekuj, kërkonin dhe këshillon shkapjen nga fantazma osmane; shkapje kjo për të cilën kemi nevojë të flasim edhe sot. Sepse kjo detyrë nuk ka mbaruar dhe duhet ta bëjmë, që të mund të ecim nesër me vetëdije ka një e ardhme progresive

Për domosdoshmërinë e shkapjes së shqiptarëve nga Perandoria Osmane dhe nga veset që na la ajo, dikur flisnin e shkruanin korifenjtë e kulturës shqiptare, ata që punonin dhe vepronin në periudhën e ndritshme të Rilindjes, si dhe në dekadat e para të pavarësisë kombëtare. Për këtë domosdoshmëri flisnin e shkruanin mendjet e ndritura, pa dallim feje, krahine e ideje. Për këtë flisnin e shkruanin ata që e donin një komb unik dhe të emancipuar. Për këtë flisnin e shkruanin ata që donin, që shqiptarët të përmbyllin periudhën e klithmave e të vajtimeve dhe të hynin ne periudhën e lartësimit kombëtar.

Po ashtu, për pasojat e rënda që na shkaktoi pushtimi osman, për plagët kombëtare, flisnin dhe shkruanin korifenjtë më të mëdhenj të kulturës shqiptare, ata idealistë e heronj të vërtetë, që me punë dhe sakrificë të madhe bënë që të bëhej Shqipëria.

Pas më shumë se një shekulli lirie e pavarësie kombëtare, ne ende vazhdojnë të jemi në kurthin e këtij debati. Një pjesë rropatët të arsyetojë, pa një rrjedhë logjike sundimin osman mbi shqiptarët, duke proklamuar madje një marrëzi ahistorike, për gjoja një bashkëjetesë e bashkëqeverisje ndërmjet shqiptarëve dhe popujve tjerë të kësaj perandori.

Ky është vlerësim infantil dhe pa kurrfarë baze historike.

Por, ky debat si i tillë na ka trullosë jo pak. Pas më shumë se një shekulli lirie e pavarësie kombëtare, debatet më të ashpra ndërmjet nesh, vazhdojnë të jenë ato që lidhen me raportin tonë historik me këtë perandori. Sa herë që shkruhet e flitet për këtë periudhë të gjatë e dramatike historike, shpërthen pezmi e mosdurimi i madh ndërmjet nesh. Mbrehën shpatat dhe nxehen gjakrat. Një pjesë e apologjetëve të kësaj perandorie- që mund të jenë të përkrahur edhe nga shteti turk- kërkojnë që të shkruhet një histori pa të vërteta, një histori e re, e cila, për hir të një “vëllazërie” politike, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun tenton tinëzisht ta paketojë dhe ta shpallë mit historik; mit që ka prishë Pax Otomania. E në vazhdën e kësaj historie pa të vërteta, natyrisht se kërkohet të zhvleftësohen edhe figurat tjera shembullore të Rilindjes Kombëtare dhe një varg patriotësh e dishepujsh që punuan për një komb shqiptar europian.

E çmenduria ka shkuar aq larg, saqë, në emër të kësaj vëllazërie, “mbetjeve osmane” u është kërkuar  që ta ndryshojnë  dhe të retushojnë historinë. Dhe në këtë grackë, me vetëdije a pa të, ranë jo pak shqiptarë.

Pas një shekulli, këto raporte, do të duhej të ishin dhe të vlerësoheshin më shumë si punë e historianëve, e atyre që mbi fakte, dokumente, arkiva e të dhëna arkeologjike, do të mund të bënin analiza e shpjegime shkencore për të njohur më mirë kontekstin historik e politik të kohës. Por, këto raporte, qëmoti kanë tejkaluar punën e historianëve dhe janë bërë çështje e gjithë shoqërisë shqiptare.

Meqë debati për këtë periudhë nuk pushon dhe përcillet me gjithfarë sajimesh e marrinash, atëherë është e udhës që të thuhet se, për të kuptuar dhe njohur sipërfaqësisht gjendjen e shqiptarëve në atë perandori dhe “bashkëjetesën” për të cilën trumbetojnë disa trutharë, ka pak nevojë për analiza, stërhollime, interpretime e dokumente. Sepse, mjafton të kthehemi në vitin 1912, kur tokat shqiptare u çliruan. Të analizohet panorama e atëhershme e jetës shqiptare: qytetet, rrugët, sheshet, jeta arsimore, kulturore e shëndetësore, e pastaj, qetësisht e pa ngarkesë, mund të pyesim: cili ishte realiteti atëkohë dhe çfarë trashëguam nga perandoria në të cilën “bashkëjetuam” dhe “bashkëqeverisëm”?

Pa dyshim, secili që gjykon me ndërgjegje  e liri kombëtare, e di fare mirë se pamja e jetës shqiptare atëbotë ishte e mjerë- tej mase e mjerë.

Perandoria Osmane, një nga më të fuqishmet që njohu historia, shqiptarëve s’u la libra, shkolla, rrugë, biblioteka, qendra administrative- s’ u la asnjë universitet, asnjë teatër, asnjë objekt opere, as një qendër sportive. Por u la mjerim, shkatërrime e viktima të panumërta, analfabetizëm e prapambeturi, arkitekturë të shkatërruar dhe skamje të tmerrshme. Pra, shqiptarët nga ajo perandori nuk trashëguam asgjë madhështore, që do të mund t’i frymëzonte atë të madhështoheshin dhe të bënin vepra madhështore. Pra, shqiptarët nuk bashkëjetuan dhe as nuk e bashkëqeverisën atë perandori, por ishin të shtypur e të sunduar se është më zi.

Ne mund të vazhdojmë të çirremi këtu e deri në Stamboll, të bërtasim dhe ta lartësojmë zërin kundër kësaj të vërtete historike, të bëjmë lojëra djallëzore: të tentojmë të shpifim e të trillojmë çfarë të  na bjerë në mend, ta mbulojmë Skënderbeun, të përbuzim rilindësit, por të vërtetën historike nuk mund ta zhbëjmë.

Kështu që, sa herë tentohet të justifikohet pa sens logjik “bashkëjetesa” në këtë perandori, ne më së shumti përrallisim veten, sepse, na përgënjeshtron e vërteta historike: shkrimi shqip, gjuha, shkolla, libri, kultura, politika, arkitektura, dhe kush jo tjetër!

Si rezultat i këtij debati pa sens e në thelb ahistorik, ne sot ballafaqohemi me një krizë të thellë identitare. Dhe si pasojë e kësaj krize, sa herë na dalin përpara tema të natyrës fetare, pa menduar mirë dhe me një ngarendje dalldie pohojmë: “Shqiptarët kanë orientim properëndimor, shoqëria jonë është properëndimore. E ardhmja jonë është Europa.” Kjo i bie se  shqiptarët nuk janë perëndimore, shoqëria e saj nuk është perëndimore dhe se ajo nuk i takon Europës, por e aspiron atë.  Ky shpjegim është gabim i madh. Është formulim pa sens dhe pa logjikë. Sepse, aspirata properëndimore, kanë edhe shumë vende tjera, që jetojnë sipas stilit dhe modelit perëndimor të vlerave dhe demokracisë.

Ky debat na sillet si fantazmë në çdo stinë dhe bëhet temë e mosmarrëveshjeve konstante ndërmjet nesh, sepse nuk e kemi qartësuar raportin tonë me të kaluarën, pra nuk jemi shkapë nga fantazma osmane. Por, përvoja ka dëshmuar se betejat kundër kujtesës dhe ndërgjegjes janë të destinuara që të mos kenë sukses.

Përgjatë këtij sundimi, ne kemi pësuar aksident historik, por e kemi ruajtë autoktoninë tonë. Pikërisht për këtë arsye, mendjendriturit ndër shekuj, kërkonin dhe këshillon shkapjen nga fantazma osmane; shkapje kjo për të cilën kemi nevojë të flasim edhe sot. Sepse kjo detyrë nuk ka mbaruar dhe duhet ta bëjmë, që të mund të ecim nesër me vetëdije ka një e ardhme progresive.

Please follow and like us: