Nëse të gjithë ata që na drejtojnë, në të gjitha fushat bëjnë qejf me ne, duke përfshirë këtu edhe ata që na kanë në dorë jetën, kjo ndodh, vetëm sepse njerëzit që kanë profesion informimin janë kërrusur nga mediokriteti. E dini cili ka qenë lajmi më i rëndësishëm sportiv i dy ditëve të fundit? Që tre gazetare të RTSH Sport, pas ndeshjes Skënderbeu – Partizani kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit me futbollistët korçarë dhe drejtuesit e tyre dhe kur u gdhinë në mëngjes i kishin hequr nga puna. Dhe si u shpërnda ky skup i paparë, të cilin “profesionistët” idiotë të mediave e ruajtën me aq fanatizëm? Një mendje e sëmurë, që deri tani ka jetuar pothuajse një gjysëm shekulli, njëlloj sa unë, ia kaloi një video një të sëmuri kronik, jo vetëm në mendje dhe e shpërndanë në rrjetet sociale, nga ku kuptohet që viroza u bë kolektive. Dhe e dini se çfarë po bënin ato vajzat? Thjeshtë po kërcenin me mënyrën e moshës së tyre në një bar të Korçës, ndërsa penaliteti që morën (unë isha një nga ata që e vendosa), ishte një vërëjtje për të mos kaluar cakun e etikës profesionale, ndërkohë që do të vazhdonin punën normalisht në “News Room”. Kjo ishte ngjarja… kaq pak, ndërsa lakejtë u sulën me një egërsi të frikshme, duke injoruar çdo parim moral, për të vrarë më parë si çakenj dhe më pas për të bërë hienat që kanë dëshirë të shqyejnë kërma. Në fillim thanë që i pezulluan, më pas i shkarkuar dhe në fund i pushuan dhunshëm, nëpërmjet portaleve të tyre panoramike-ballkanike. E botuan dhe e shpërndanë si të pacipë, atë video të dërguar nga një mendje e çalë dhe më pas, për të konfirmuar nivelin e turpshëm profesional, kërkuan përgënjeshtrime nga vajzat e festës tek “Republika”.

Për hir të publikut, më duhet të sjell në vëmendje, që dërguesi dhe botuesit e përdalë kanë publikuar një video me një koment identifikues për vajza, njëra 19 vjeç dhe një tjetër ndonjë vit më e madhe, ndoshta sa vajzat e tyre biologjike. Një fakt që fatkeqësisht nuk i bëri përshtypje, për shkak të interesave të tyre 24 orëshe. E dyta, në atë filmim që do të jetë bërë nga ndonjë manjak, njëlloj si këta të fundit që ne i njohim, duken duke kërcyer me të njëjtin harbim edhe gazetarë meshkuj, por që ordinerët dërgues dhe botues nuk i publikuan me emër. Ndërsa më e rëndëshmja është, që atje duken edhe njerëz të tjerë të rastësishëm, në të njëjtin ambjent, por që sigurisht nuk kanë dashur të bëhen personazhe portalesh dhe për këtë disa duhet të mbajnë përgjejgjësi.

Nuk mund ta besoni se sa njerëzve u jam lutur, në një ditë kur mezi po prisja të shihja Dortmund – Real, që ta hiqnin atë video të shoqëruar me ato komente, por këtu turpi nuk ka më limite. Përdora vitet e mia të punës, njohjet e vjetra, por nuk munda, sepse e kishin konceptuar si lajmin e jetës. Gjithësesi, i gjithë pavioni i të sëmurëve mediatikë e bëri efektin me lajmin e pasdites së të martës. Vetë ish-kryeministri, në orët e vona bëri të ditur se janë mbledhur të gjithë bosët e drogës, të huaj dhe vendas dhe kanë hequr nga puna një vajzë, të cilës ia vuri nofkën “pejane”.
Ndërsa dje, si për të vazhduar me konseguencë këtë presion të tmerrshëm ndaj një redaksie të re, siç është ajo e RTSH Sport, nëpërmjet një portali që fitoi edhe disa klikime tonat, jemi njoftuar gjatë mbledhjes së mëngjesit, se Drejtori i Përgjithshëm i institucionit do të zhvillojë një tjetër mbledhje, këtë të tipit blic, pikërisht me stafin e sportit. Ndërsa lajmi bombë përfundonte: Për të rejat do të njoftoheni në orët në vazhdim. Pra, e reja e ditës ishte që pritet një raprezalje dhe nëse kjo do të ndodhë do të jetë një kënaqësi ekstreme për kolegët tanë shpirtzinj. Sidoqoftë, deri në fund të ditës, nuk patëm mbledhje, as me Noriegën, as me Ortegën dhe as me Fonsekën (jo, ky i fundit është ai që ka luajtur me Juven, nuk do vinte në mbledhje). Ndërsa, meqenëse qentë e tërbuar na kanë zënë mëhallën, si redaksi kemi vendosur t’i bëjmë tetanozin gocave që na përfolën.