Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Babeta Rexhepi

Fjalët e Librit

E shoh njerëzimin tek largohet
prej meje, si rreckë jashtë mode tashmë
lundrojnë ndër duar aplikacione
mburren, më të bukurin kush e ka ndër to?

Si mirazh të largët kujtoj kohën
kur si thesar zbulohesha nga pak
hapja horizonte, zbuloja shtigje
tek zemrat e vetmuara dhe ato flakë.

Lindja emocione, dhuroja tjetër botë
zhvilloja neurone, në të rinë e plakun gjithashtu
vrisja mërzitinë, ankthin, netët e ftohtë
isha i dobishëm, i nevojshëm këtu.

Por sot njerëzimi rreket
në përmbajtje e dukje pa thellësi
duke larguar vdekshmërisht krijimin
duke humbur pak nga pak si njeri.

Ndaj më vjen të qaj, jo për veten,
por për zbrazëtine që do me ndjekë
nëse pasardhës nuk më gjenden
të ndrisin mbi errësirën që po merr jetë.

Ndaj, ju që po lexoni këtë fund
dhimbjen ma kuptoni, të pathënat gjithashtu
lutem shfletoni libra, sa më shumë ju mund
të lulëzojë dituria pak nga pak këtu.

Të rrisim filiza të shëndetshëm,
që botën ta bëjmë më të mirë
të zbulojmë thesaret e nendheshëm
të jetojmë pafund mençurinë.

 

Ti

Ti je frymë brenda frymës, apokalips ndjenjash
Je e vërteta që vonë mësova ta lexoj
Je det furtunash, dallgë pasionesh
Je drita qe dejeve, thellë, më depërtoj.

Je padyshim, muzë e përjetimeve te mia
Zvogëlohem për cdo cast teksa të mbaj në lartësi
Kam kuptuar se imazhi yt më është gjithësia
Ndaj prej kohësh, bie-zgjohem-jetoj për ty.

Por ti akoma s’ke kuptuar çfarë je në mua
Rëndohesh netëve e zgjohesh një femijë
ndez një zjarr te madh, vullkane në këtë grua
e vetë çuditërisht mbetesh, i njëjtë, qënia – njeri.

 

Dedikuar ty

Përqafoje rrezen e parë të diellit
buzëqeshi agimit dhe jetës çdo çast
Zgjidh fustanin më të bukur, buzëkuqin
këpucët e preferuara, mos i ruaj në raft.

Mos mbaj mëri nga nata e shkuar
Negativiteti dije, mbjell ftohtësi
Gezoju të sotmes sa e ke ndër duar
Mos e lër të nesermen të ta fshij.

Duaj më shumë dhe fal me zemër
Ëndrrat realizoi, mos i ndrydh pa i parë
bëj gjithçka mundesh, mos i quaj “të tepërt”
Në varr e dashur, asgjë nuk ke për të marrë.

Fotografia e Babeta Rexhepi

Please follow and like us: