Albspirit

Media/News/Publishing

Ema Shazivari: Çudia më e madhe zgjat 3 ditë

Lajmet në Shqipëri nuk janë aspak surprizë. Që kur hap sytë në mëngjes, të gjithë e dimë që në lajme do dëgjojmë vetëm vrasje, drogë, më shumë drogë, dhe tek tuk ndonjë fasadë që vjen nga qeveria. Skandalet përsëri nuk përbëjnë ndonjë surprizë të veçantë. Të bujshme ose jo, të frikshme ose thjesht tronditëse, ato janë të pritshme.

Në një hark kohor prej dy javësh në Shqipëri ka pasur 2 ngjarje të bujshme dhe mjaft të prekshme. E para ajo e Shkozës, në Tiranë ku qindra njerëz rrezikojnë të mbeten në mes të 4 rrugëve. Debati ishte i madh, por më e madhe ishte censura. Në rrjetet sociale statuset ishin nga më frymëzueset dhe nga më të larmishmet, ndërsa veprat ishin me minus. Askush përveç “hallexhinjve” nuk doli të ngrinte zërin, sepse një gjë është e sigurtë për shqiptarin, “rëndësi ka mos të më preki mua”. Ashtu në heshtje, sikur të mos kishte ndodhur kurrë zhvillimet në lidhje me Shkozën u zbehën. Prej kohësh asnjë media nuk jep asnjë informacion se çfarë u bë me këta banorë, çfarë masash mori qeveria jonë e përbashkët, apo të tjera si këto? Pse? Indiferenca e shqiptarit është frikshme.

Bandat nga ana tjetër janë më të freskëta. Javën e kaluar, emisioni “Opinion” publikoi një video gati skandaloze, ku dukej se si makina e nën drejtorit të policisë në Elbasan, goditet si një makinë nga ato me përplasje ku luajnë fëmijët, dhe e keqja e të këqijave ishte fakti që prezenca e policisë aty ishte patetike. Sigurisht jo më patetike se deklarata e tyre më pas teksa thanë se “nuk na u lejua hyrja në ambient”. Në sondazhet e zhvilluara përsëri nga “Opinion”, të gjithë qytetarët me larmishmëri vote u shprehën se përgjegjëse për bandat është politika. Edhe në këtë rast, guximi dhe kurajo e shqiptarëve kufizohet deri te rrjetet sociale. Askush nuk kërkon llogari te shteti i vet, askush nuk e kupton realisht rrezikun se si dashje pa dashje po jetojnë një “97 moderne”, teksa të gjithë janë të zënë me dilemën se “ku do ta pimë kafen sot”.

Nuk e kuptoj mbas gjithë kësaj indiference, ku media dhe vetë qeveria ka aftësinë që ti kalojë gjërat kaq lehtë, shqiptarët kërkojnë llogari. Nuk mund të jetë përgjegjëse qeveria, kur populli nuk kupton fuqinë e vetë. Nuk mundet kurrsesi populli shqiptar të ankohet, pasi fajin për të gjithë të këqijat ja ka toleranca që vjen si pasojë e injorancës dhe e frikës. Rastet e lartë-përmendura nuk janë as të parat dhe as të fundit që anashkalohen kaq me lehtësi. Është bërë zakon që në Shqipëri çudia më e madhe të zgjasë vetëm 3 ditë ose më pak dhe askush përveç popullit nuk ka faj!

Please follow and like us: