Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Uliksi, Poseidoni dhe Penelopa

 

Duke lexuar artikullin e Ilir Yzeirit “Përse Evropa na largohet”, q’më pëlqeu si shkrim, për një çast më vetëtiu ideja e një vuajtje në përpjekje sa Sizifiane dhe e Uliksit, që ndryshe nga i pari, (të dy të dënuar nga fuqitë e mëdha e të mbinatyrshme në një fat të mjerë), arriti më në fund përmes vuajtjesh e humbjesh qëllimin e tij, tokën e dashur të Itakës. Ç’ne? Ç’Itakë? Penelopën, pra ish natyrisht një grua, dashuria, q’ë bëri fitimtar, e Sizifin një humbës këmbëngulës pa mbarim!

Pa dashur iu ktheva vetes, po sikur të ish ndryshe? Sikur Uliksi dinak të mos donte të kthehej por të provonte siç provoi me radhë gra që ia vlenin të dashuroheshin si Circia dhe Nausika?

Ç’faj kemi ne në këtë katraurë, q’mbase shekuj pas shekujsh e sollëm këtu në këtë paragjykim të egër Poseidonian ndaj këtij ishulli të mjerë dhe arkondëve të tij mendjemëdhenj deri në marrëzi? Ç’bëmë gabim, ku i fyem Zotat, se dihet roli i tyre i drejtpërdrejtë në ndodhitë e kësaj bote si dhe në atë para kësaj.

Kur ishim perandori nga Danubi në Egjypt dhe Indi, cila fate e bëri Aleksandrin e Olimpias të harronte Ilirinë dhe të endej nëpër botë e të bënte dinasti e mbretëri të reja? Kjo ishte NËMA e parë, (ndërtuam për të tjerë mbretëri e perandori e asnjë për vete). Por jo, se Aleksandri i Dytë, i biri i Vojsavës, bijës së Muzakajve, bëri pikërisht të kundërtën dhe shpëtoi Evropën e shqyer e të përgjysmuar, këtë e dinë të gjithë ata që shpëtuan!

Por më parë dua të them, që nuk para besoj në paragjykime, ato gjithmonë veshin me petka të rreme arsyen e vërtetë të interesit, qoftë ky individ, komb a shtet. S’janë veç Helena që justifikojnë vjedhje e zaptim tokash të reja, e me to pasurim e mbizotërim. Këtë kanë në thelb perandoritë që janë më shumë se bashkim shtetesh dhe kombesh, aspak vullnetare…

Që këtej pyetjet lindin një nga një për “Paradoxin Nacional Romantik”:

A njihej dhe a njihet roli i shqiptarëve në histori, nga Europa?

Pse u quajt shprehje gjeografike?

Pse u lidh fati i Shqipërisë me Turqinë?

Cili qe roli i fesë në të, apo ç’vend zunë shqiptarët në atë perandori?

Pse duhej të ndahej Shqipëria dhe t’i përgjysmohej në kufij tokësore dhe njerëzore?

Pse është dhe ishte Shqipëria e rëndësishme të ishte?

Ç’è pengon të jetë sot ajo që duhet të jetë?

Roli i fqinjëve në formimin e aleancave të reja dhe të vjetra?

Roli i vetë shqipëtarëve në vetëqeverisje?

Në të gjitha këto pyetje përgjigjia më e vërtetë, nuk është ata, se janë sa janë, por NE!

Na njohu Gjergji i Madh, e harruam, e shamë, bëmë ç’na thanë e për pesë shekujt s’pati as varr e as këngë po të mos ishin disa të sëmurë nga mërgimi që e vajtuan dhe e ngritën mbi kalë përsëri. Tani, përveç disa shkrimesh e librash, askush nuk e kujton për historinë e lavdishme shpëtimtare por për pinjollë hollivudjanë, bamirës, artistë, shkencëtare që përveç geneve, dhe ato të baltosura, s’kanë bërë gjë në emër të saj.

A duhet të bëjmë më shumë? Po, pa dyshim po, sidomos për brezin që do vijë, se po s’respektove veten, mos prit të të respektojnë! Si? Të ruajmë simbolet e shenjtë e mos grindemi ndër vete, se e vërteta më e madhe është Shqipëria. Të gjitha mund të na ndajnë, e përveç gjuhës, për më shumë, janë ato që na bashkojnë, se pa to s’jemi ne.

Kush dhe pse u quajt shprehje gjeografike? Sa të vërtete ka ky perçmim thënë për të shpëtuar aleatin e sëmurë të Bosforit. Shtet s’ishim se s‘na lanë, por në atë kohë s’ish as Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, që më pas u ngritën në kurrizin tonë. Ne s’kishim një mbret se paguam që ata të kishin të tyret!

Sa perandorë romakë e bizantinë ishin me origjinë nga ato treva të një gjeografie vendase (autoktone), sa papë? Kush i harroi të gjithë këta, apo harruan ata të përmendnin kush qenë, që ende sot na vënë të rrëmojmë e rrëmojmë q’ti gjejmë?

Pse u lidh fati i Shqipërisë, edhe sot për fat të keq, me Turqinë? Historia dhe autoktonia, masakrat e gjakut, genocidet njerëzore e kulturale e mohojnë këtë në mënyrë kategorike. Gjuhën nuk e shuan dhe as kulturën e eposit dhe ethnosit, megjithëse vranë e prenë rapsodë e lahutarë sa mundën, grave, nënave shqiptare s’ua prenë dot as qumështin e as buzët, ta mbanin gjallë. Por do qe më mirë për turp t’i shërbenim si mercenarë të blerë Portës? Qyprallinjtë janë NËMA e dytë e këtij fati të zi. (u shërbyem atyre që na pushtuan e na vranë). Sot kjo është dhe duhet të jetë pyetja perpara çdo njerit, “kujt i shërben kjo, a i shërben Shqipërisë”?

Mos them që dhe vramë në emër të këtyre shërbesave të paguara popuj të tjerë dhe bashkëkombasit tanë. Jemi ne që i ruajtëm kufijtë perandorisë dhe i mbrojtëm sinoret. Fuqitë e mëdha sigurisht nuk na ndanë për këtë, se dhe Turqinë e përdorën për balancë si dhe sot kundër Carismit të ri që po shtrihet dhe ai, siç u shtri një shekull më parë në trevat tona. Kosova është shtëpia ime thotë Erdogani, e imja thotë Serbi, djep i Serbisë, por shqiptarët e thonë nën zë se ç’është, kur duhet të bëhen mur neolitik që të mos preket. Po të kishim pasur shtetin tonë dhe ushtrinë tonë më 1912 zor se na preknin. Por dhe nëse jo, Zvicra është një shembull tjetër urtësie.

Pyetjes së fundit që do mundohem të lëçis, jo t’i përgjigjem, se s’jam e as pretendoj të jem historian, por shkëmbimtar idesh, është: Cili ka qenë dhe është roli historik i Shqipërisë? Pa dyshim ai gjeografik, që fatmirësisht dhe pavarësisht nga ndarja mizore dhe e paramenduar, e ka ruajtur këtë thelb. Ai ekonomik është thuajse inegzistent. Ajo që mendoj ka qenë një gabim historik, e që ka fshehur një apati dhe mosdije të thellë si dhe një mohim për të parë të vërtetën, është që jemi valvitur si nga njëra anë tek tjetra, si mace e zbutur, herë feline dinak e herë njerëz të arsyeshëm, sipas nevojave të prijësve herë nga Lindja e herë nga Perëndimi, për të marrë para njëherë me Turqinë, Austro-Hungarinë, pak kohë me Italinë, me Rusinë, tani me kalifatin e ri herë ngremë një flamur e herë një tjetër. Kur mund të ishim shpallur e të kishim qëndruar neutralë në trojet tona për trojet tona, pa pasur nevojë të ishim mercenarë të askujt, por ushtarë të vendit tonë.

E kuptoj thellësisht që nuk kam të drejtë të jap mend, se s’jam veç një qytetar i thjeshtë, por kam të drejtë të ndaj një mendim me shpresë që të shohim ndoshta pak më shumë dhe këtë nëpërmjet diskutimit që bëjmë me veten.

E kuptoj plotësisht se si i ikur, çfarëdo kuptimi që ka ky grupim, s’mund t’u them bashkëkombësve kudo që janë, e aq më tepër në vendlindje, se çfarë duhet të bëjmë. Jo! Por mundet të mendojmë jo për analiza së vërtetash, kush i gjeti dhe ato të shkreta, por për të bërë diçka ndryshe nga ato që kemi bërë dhe më, përtej vetes. Se nëse s’e bëjmë ne kush? Kombet nuk ndërtohen por veç prishen nga të tjerë.

Poseidoni apo Uliksi, në fund, ndryshe nga Sizifi, triufoi dashuria. Se s’ka dashuri më të madhe se ajo e nënës, në shembëlltyrë të saj dhe ajo e gruas që do, fëmijtë e popullit tënd. Është ajo që të jep të drejtën morale, dëshirën për të menduar e forcën e veprimit.

Itaka nuk do vijë kurrë të mbërrijë vetiu!

Please follow and like us: