Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Fronti opozitar më kot

 

 

Ky është fronti opozitar më kot ndaj as mos e çoni nëpër mend se do të rrëzojnë qeverinë e Edi Ramës. Për më tepër pas këtyre shifrave marramendëse që po dalin nga fitimet që u ka sjellur droga, grupeve, qarqeve dhe përftuesve të tjerë, përfshi këtu edhe qeverinë aktuale. Kush ka paranë, ka pushtetin. Dhe këta janë pasuruar e forcuar aq shumë, sa vetëm ndonjë plan nga jashtë mund t’i shkuli nga pushteti. Lul Basha dhe Monika as mos e çoni nëpër mend.

Eshtë fronti opozitar më kot sapo i sheh. Sapo i dëgjon. Një skuadër e dale bojë duke filluar nga Lulzim Basha që rri me dhunë në krye të një PD-je të cilën e ndjekin nga pas një takëm që nuk e kanë për gjë ta quajnë normale uzurpimin e postit. Hiqeni nga mendja se liderë të tillë do ndreqin vendin.

E ndjekin ai soj që bëri Gërdecin a 21 janarin. Kur shikon Monikën kryetare e një partie familjare. Një rrotacion mes babait, mamasë e nesër i biri. Një transaksion politik legal ku gjithçka duket kaq normale sado akuzave për përvetësim deri të thesarit të shtetit. Të eurove me kapul, me video, por ai që i dispononte hëngri dhe’ para pak ditësh. Kur shikon Koçon ideatorin e legalizimit të marihuanës sa kohë që ishte në krah të Ramës. Një lloj reformatori për politikat rajonale të rilindjes. I konkloduar me skandale seksuale, prona të dyshimta në vijën bregdetare. Kur shikon Mediun, kryetarin e përjetshëm të një partie që veç emri i ka mbetur. Këtij vet, t’i rrojnë votat e demokratëve. Atyre që sot hanë fara luledielli rrugëve se idealet i kanë për Fatmirin dhe çunin e Fahriut. Apo atë tjetrin, Zenin e Saliut. Kur shikon Nardin, hokatarin e batutave dhe starin e dance with me. Kë të kapësh e kë të lësh. Një lloj Byroje politike e kohës.

Me gjithë mend e keni se ky front do nxjerri Shqipërinë në shesh? Nuk e besoj…

Shqipëria duhet të dali vet.

Një tjetër shtet, një tjetër qytetari…, pas Francës, që përmbysi kastat e vjetra, ishte edhe Austria pak ditë më pare. Solli në krye të legjislativit një burrë 31 vjeçar me emrin Sebastian Kurz. Një parti popullore e djathtë. Do ishte një shenjë e mire për të djathtën tone. Por kjo e jona vetëm emrin ka të tillë. Eshtë e uzurpuar nga tarafi i Zërit të Popullit. Nga ata që përpilonin dikur dosje. Pra nga xhelatët e diktaturës.

A kanë mundësi shqiptarët ta kurojnë veten e tyre. Sigurisht që kanë! Lufta me drogën është në hapat e para. Por kjo jo nga ne, nga vendi fqinj. Nga ne, e gjitha është një zhurmë, e cila ashtu si të tjerat do shuhet shpejt. Dhe ne do të vazhdojmë në atë llumin e poteres mes militantëve.

Nuk është vrarë asnjë politikan, asnjë gjykatës, asnjë shtetar. E si mund të mendosh se po luftohet droga. Po bëhen reforma…

Kjo dosja e madhe e përgjimeve të prokurorisë së Katanias në shtetin fqinj, është e gjitha një histori për të vënë duart në kokë. Mjafton të kujtosh një fakt, se si një oficer vrojtues a monitorues i vijës bregdetare, i shtetit shqiptar kujdeset që trafikantët e drogës të mos devijojnë në ujrat e Greqisë.

Gjithmonë referuar përgjegjësisë së detyrës me kushtetutë.

Me sinqeritet është për të vënë duart në kokë. Në një shtet normal, me një opozitë të besueshme, do ishte rrëzuar jo një qeveri por do ishin përjashtuar nga politika batalione të tëra figurash të saja. Tek ne nuk ndodh. Nuk ka për të ndodhur. Njerëzit janë të lodhur të sjellin rishtas në pushtet Lul Bashën e Sali Berishën. Monikën, Nardin, Koçon, Vangjelin etj. Janë kryekëput të lodhur.

Kjo sepse e gjithë është një lojë me hidhe dhe prite.

E një klase njerëzish që e kanë marrë peng jetën tuaj.

Në mëndje më shkon në një ëndërr ide se, sikur të ngrihet , të ndodhi rishtas një lëvizje tjetër studentore. Një lëvizje së cilës të mos ja marrin frenat misionarët e diktaturës, por e tillë që t’i dali zot vendit të saj. Droga dhe klanet e saj janë përdorur nga të gjitha palët. Nuk është gjë e re. Por kjo që ndodhi këto vitet e rilindjes ramore, qe një fushatë mahnitëse e tipit të korrje e shirjeve dikur. Tashmë Shqipëria është zënë gafil. Ta çosh mendjen tek një aleancë e gjerë politike? Nuk ia vlen. Janë më shumë se të konsumuar. Prandaj duhet diçka e re. Pra një lëvizje e re. Por fatkeqësisht… studenti aty, o është i kapur nga njëshat, nga militantizmi, o po nxiton të plotësoj Llotarinë amerikane. Kjo është e vërteta.

Unë e shoh më të pashpresë se kurrë. Dhe ca më tepër kur gjithçka është debat studiosh. Në Katania vepron policia, në Shqipëri studiot. Të pashpresë, fyese. Lutuni për një lëvizje të re.

 

Please follow and like us: