Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Drejtësi po për Tahirin, por jo farsë të inskenuar

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur mëngjesin e sotëm grupin parlamentar të PS për të diskutuar mbi qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Renda lidhur me heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri.

“Pikë e pare e rendit të ditës është qëndrimi i Partisë Socialiste ndaj kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Renda lidhur me deputetin Saimir Tahiri. A është i pafajshëm Saimir Tahiri? Në Shqipëri pas prindërve të tij vjen një njeri që dëshiron të besojë pafajësinë e tij, jam unë. Por ndryshe nga prindërit, unë nuk jam prindi i tij. Unë kam komunikuar shumë me të, ai ishte njeriu i parë që hyri në seli pas meje. Ishte vullnetar në zgjedhjet e 2003, u paraqit me një email. E nisi rrugën e karrierës si koordinator, që ndërtoi vetë nga hiqi. Pastaj u bë zëdhënës i partisë, mbi një dërrasë të zezë, ku shkruante faktet korruptuese. I ngjiti shkallët një e nga një. Për meritat e tij në punë u zgjodh dhe ministër i brendshëm, i dhashë gjithë mbështetjen dhe besimin tim. Por sic tregoi koha, në detyrën sh të vështirë, atij iu deshën më shumë se gjithë tjerët. Nuk i ndërhyra asnjëherë në zgjedhjet e bashkëpunëtorëve. I kam miratuar pa ngurrim kandidaturat që më ka sjellë për policinë”, tha Rama.

“Nuk e kam pasur kurrë deri ditën kur ka ikur nga dita e ministrit as numrin e të parit e as të dytit në telefonin tim. Çdo mesazh të qytetarëve përmes telefonit për policinë ja kaloja ministrit dhe aty mbyllej. Nuk mbaj mend të kem folur në katër vjet me një drejtor policie apo shef komisariati, as kam takuar ndonjë prej tyre, përveç rasteve shumë të rralla në prani të ministrit. Nuk kam lejuar në asnjë rast që ministri të vihej në pozitiv nga deputetë”, u shpreh kryeministri Rama.

“As për ankesa, as për ndërhyrje të policisë, kur deputetët viheshin në pozitë nga ankesat e njërit apo tjetrit. Kush është këtu mund ta kujtojë se që në mbledhjen e parë pas formimit të qeverisë së parë, ju kam thënë në tre drejtime do t’i ndalojmë ndërhyrjet politike: policët, mësuesit, diplomatët. Prandaj mos iu bini telefonave të ministrave, e kanë të ndaluar nga unë”, theksoi Rama.

“Më është dashur ta porosis jo një herë këtë, në ndonjë rast kam bërë edhe debat me ton të lartë me ndonjë anëtar të grupit, sepse nga një anë tradita mizerabël nga ana tjetër presioni, e bëjnë shumë të vështirë. Pas disa kohësh, u arrit mirëkuptim dhe u respektua kjo linjë e panjohur deri në vitin 2013. Për herë të parë, Policia e Shtetit nuk ishte më mish për t’u shqyer në tepsinë e pushtetit. U ndalua futja e duarve nën mëngën e policies”, u shpreh Rama.

“Jemi të mbledhur të vendosim çfarë do bëjmë ne lidhur me kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Tahirit, e cila kërkon arrestimin e deputetit. Vetëm pak muaj më parë, për të udhëhequr Shqipërinë me një shumicë votash që as vetë kjo parti nuk e kishte marrë ndonjëherë. A është i pafajshëm Tahiri? Shumëkush e kërkon me të drejtë çfarë mendoj unë. Kush është mendimi im i sinqertë përballë kësaj pyetjeje. Tahiri nuk ishte njëri nga ministrat e qeverisë sime deri dje, por ministri më i ekspozuari, më popullori dhe më i urryeri. Me sukseset më të duartrokitura publikisht. Ministri perceptohej nga të gjithë, pa të drejtë, si bashkëpunëtori më i ngushtë dhe si i preferuari im. Rrugëtimi katërvjeçar për të ngritur në këmbë Policinë e Shtetit më vunë në kontakt me të, duke u parë si i preferuari im. Në fakt isha unë, se Tahiri ishte në frontin më të vështirë. Pas shëmbëlltyrës së re policore, pretendojnë se ka ndërtuar një mbretëri të krimit të organizuar, por ai është viktimë e një sulmi. Gjithçka është një farsë e inskenuar nga amatorë”, tha Kryeministri Rama.

“Ndërkohë të mërkurën do të mblidhet seanca plenare, ku pritet të hidhen në votim dy raportet, një nga opozita dhe tjetra nga mazhoranca pas votimit në Këshillin e Mandateve. Mazhoranca ka autorizuar prokurorinë vetëm për kontrollin personal dhe të banesës së zotit Tahiri, nga ana tjetër opozita ka mbështetur të plotë kërkesën e Kriemeve të Rënda për arrestimin e Tahirit”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se Tahiri e ka bërë të qartë se nuk ka nevojë për asnjërin nga ne që të bëjë avokatinë e tij.

“ Kushdo të mendojë ç’të dojë. Nuk më intereson. Për mua nga momenti i parë sot e deri kur të dalë e vërteta nuk ka rëndësi asgjë tjetër veç përgjigjes së pyetjes: A është i pafajshëm Saimir Tahiri? Boll e kam bërë avokatin e Saimir Tahirit për 4 vjet në gjyqet politike e mediatike. E kam bërë me vetëdije të plotë pa dyshuar kurrë në integritetin e tij, e kam bërë me pasionin për të ndryshuar Shqipërinë. Uroj që të mos e kem pishmanin e jetës time politike gjithçka kam dhënë dhe gjithçka kam marrë nga Saimir Tahiri”, tha Rama.

Rama deklaroi  se nuk do të votohet për arrestimin e Tahirit, por vetëm për hetim në gjendje të lirë, ndërsa nëse sjell prova të reja atëherë do të votohet kërkesa e prokurorisë. “Tahiri duhet të hetohet me të gjithë mundësinë që parashikon kodi dhe deri kur të dalë e vërteta. Por nuk do të përzihemi politikisht si mbrojtës të Tahirit, nga unë deri te të gjithë të tjerët. Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur të vërtetën e Tahirit. Saimiri do të jetë një njeri i lirë dhe një deputet i lirë, jashtë forumit dhe grupit parlamentar. Ne jemi këtu, nëse prokuroria sjell prova dhe jo gazeta dhe vjen këtu me fakte, jo për të mbyllur derën, komisioni mund të mblidhet dhe ashtu do të ngremë dorën për arrestin nëse prokuroria do të sjellë prova” deklaroi Rama në përfundim të fjalës së tij në mbledhjen e grupit socialist. Kryeministri Rama gjithashtu  njoftoi se deputeti Tahiri përjashtohet nga grupi socialist deri në përfundim të hetimeve.

Please follow and like us: